Një 29-vjeçare, nënë e tre fëmijëve theu sot heshtjen duke treguar dhunën që ish-bashkëshorti ushtronte ndaj saj prej vitesh.
Në një rrëfim për ‘Njerëz në Fokus’ Ana sot nuk ka frikë të flasë, ndërsa episodet e dhunës që ajo ka përjetuar, kalojnë imagjinatën. Një shpullë që nisi që në fejesë, për të vazhduar me dhunën e përditshme martese, ku nuk i kursehej as kur ishte shtatzënë apo dhe në sy të fëmijëve.
Në rrëfimin e saj, 29-vjeçarja zbulon se si ish-bashkëshorti e rrihte pa asnjë arsye dhe e provokonte duke përdorur ish-familjarë të saj të vdekur. Ajo tregon se si tentoi të vrasë veten pas episodit të tij të fundit të dhunës. Duke u shprehur se dhunës së tij nuk i kanë shpëtuar as fëmijët, e reja zbulon edhe mënyrën si ish-bashkëshorti, sipas saj, kurdisi divorcin me qëllim marrjen e të gjithë pasurisë.
“Jam vajzë e një ish-efektivi të rënë në krye të detyrës dhe sa herë më rrihte më thoshte: Ik në polici, por do turpërosh emrin e babait tënd. Rrija vetëm për nënën e vëllezërit se i kisha të vegjël. Më ka dhunuar edhe në shtatzëni. Më gjente duke larë enët, më thoshte pse është tv ndezur dhe më gjuante. Më ka rrahur gjatë gjithë kohës. Më gjente duke larë enët në banjo më thoshte pse i lan këtu dhe veç më qëllonte. Edhe në sy të familjes së tij më dhunonte. Ato thoshin që pse ia kthen fjalën.
I dënonte fëmijët dhe ata hanin me të fortë ushqimin dhe pasi villnin ata detyroheshin ta hanin. Ai nuk ishte baba. U hiqte pantallonat dhe u qëllonte me thupër. Kam qenë shtatzënë me djalin e vogël, më rrahu dhe më theu dhëmbët. Ai më tërhiqte zvarrë. Natën e fundit që më rrahu kam tentuar që të vras veten. Kam prerë damarët. Hera e parë që e kam denoncuar ka qenë dhjetor 2016-ta dhe më pas në mars erdhi kërkesa për divorc nga ai. I kishte bërë gjithçka në emrin tim, kishte gjetur avokat. Dhe i bëri të gjitha në favor të tij për të fituar pasurinë”, rrëfehu Ana. /LAPSI.AL/