-A do ti shërbejnë demokracisë dhe vendit me një parti të re me vizion demokratik, siç kërkojnë apo do enden si rusët në filmin “Ballë për Ballë”?!
Mbledhja e kryesisë së PD-së ditën e enjte u kthye në një lloj KPD-je socialiste në selisë blu. Pati debate dhe pritej të kishte. Kjo tashmë është normale, brenda anormalitetit të PD-së qëkur Rama dhe Basha u bënë bashkë kundër LSI dhe të tjerëve. Edhe sherri Jemin Gjana me Valbona Mezinin ishte normal në një kryesi që nuk funksionin më si e tillë. Sepse realisht PD nuk ka më kryesi si institucion, që nga momenti kur Basha gaboi me kandidimet dhe la jashtë listës për deputetë vetë anëtarë të kryesisë, dhe palosi kundërshtarët. Forumet e PD-së kanë brenda tyre të kënaqurit me kryetarin dhe ata që pas humbjes bënin thirrje për tu mbledhur para partisë dhe ta nxirrnin jashtë zyrës me forcë Lulzim Bashën. Ndaj sherri i së enjtes nuk çudit askënd në PD. Bile pritej edhe me keq se sa ndodhi. Mund të ndodhë edhe me shumë se sa ndodhi. Nuk i dihet nëse rrijnë në një oborr palët që duan me shumë të hanë njeri tjetrin se sa qeverinë Rama.
Nëse në PD vazhdohet me qëndrimet e kundërta ekstremisht, mbledhjet e radhës së forumeve do të jenë edhe më të tensionuara. Mund të ketë edhe karrikë që hidhen mbi kokën e njeri tjetrit. PD është një parti e ndarë dhe këtë tashmë e dinë të gjithë në atë formacion politik. Lulzim Basha ka dy rrugë për ta normalizuar selinë blu: Ose pranon fraksionet në PD me statut në kongres ose ti përjashtojë kundërshtarët me vendim kongresi dhe marrë kontrollin e plotë të partisë. Zgjidhje tjetër, siç kanë ardhur punët në atë parti, nuk ka. Ndaj edhe bashkë, edhe të ndarë nuk duhet të pranohet më si opsion nga Basha. Kjo vlen dhe për kundërshtarët e tij.
Siç duket antibashët janë mirëorganizuar dhe e kanë marrë veten pas goditjes që iu bëri kryetari në maj-qershor. Tashmë kanë filluar fazën e kundërgoditjes. Edhe në mbledhjen e kryesisë kishin shkuar për sherr dhe e gjetën përbukuri sherrin. Mjafton ta kërkosh sherrin dhe ai të vjen vetë. Kështu kanë vepruar antiBashët; të gjithë me incizim gati dhe nën tavolinë. Kjo të paktën u pa nga mediat që transmetuan videot ose më saktë zërat në mbledhje.
Si rregull, në një mbledhje të tillë nuk shkohet me idenë kush regjistron më shumë fjalime kundër Bashës, por për të folur dhe shikuar nëse ka shtigje bashkëpunimi më apo gjithçka ka mbaruar. Siç duket, shumica e antiBashëve e kishin mendjen se sa ishin në rregull me regjistrimet për t’i përdorur më pas në media. Dhe realisht këtë punë e bënë mirë! Çështja është se çfarë vlere sollën këto regjistrime? A i treguan publikut ndonjë gjë që nuk dihej? Të gjithë e dinë që zgjedhjet brenda PD nuk ishin një model për tu patur zili. Po ashtu dihet se mes grupit Basha dhe anti-Basha ka pasur përplasje që kanë degjeneruar në sherr. Në mbledhjen e kryesisë pati të njëjtin qëndrim të palëve që e shohim çdo ditë në media dhe në rrjetet sociale. Basha ka deklaruar ato që i thotë gjithmonë dhe kundërshtarët e tij kanë rishprehur dhe një herë listën e ankesave, që është publike prej shumë muajsh. Përgjimet vetëm shuan disa kuriozitete njerëzore, por politikisht nuk prodhuan asgjë të re. Faktuan problemet që në PD i dinë të gjithë, krizën e partisë mes kryetarit dhe kundërshtarëve të tij.
Lulzim Basha përfundimisht nuk hap udhë dhe antiBashët duhet të gjejnë zgjidhje tjetër politike dhe organizative, e jo duke shkuar për të regjistruar. Nuk i nxihet fare faqja Bashës, pas asaj që u bë natën e 17 majit, natë që tjetërsoi krejt PD-në. Ndaj harroni incizimet ju grupi antiBasha!
Krijoni partinë tuaj, pasi PD-në zor se e shikoni më me dylbi!
Në kriza të tilla brenda partisë, ai që ka pushtetin, pra kryetari, bën gjestin e tërheqjes. U jep hapësirë kundërshtarëve, madje dhe u lë detyra për t’i provuar sesa u dhimbset partia. Basha nuk ka ndërmend ta bëjë këtë gjë. Nuk i futi në lista. Nuk i përfshiu as në garën për kryetar dhe me grupin e ri parlamentar i ka larguar nga çdo organ vendimmarrës në parti. Në qëndrimin e fundit politike tha se nuk do të lejonte fraksione. Gjë që nënkupton se nuk do të pranonte më as zëra kundër. Ka mbetur vetëm që tani ti nxjerrë kundërshtarët nga partia me të gjitha mënyrat. Nuk u ndien grupi antiBasha kur firmosi marrëveshjen me Ramën. U organizuan vetëm kur e panë që u anashkaluan nga listat. Tani kërkojnë që të rregullojnë PD brenda pak kohe me çimka, presione dhe fraksione. Është shumë vonë për një parti që nuk e ka pasur asnjë herë lirinë e mendimeve si pjesë vitale të saj. Basha i ka përjashtuar me kohë nga partia. Tani u takon atyre të zgjedhin, do vazhdojnë sherrin me një kryetar që siç tha Astrit Patozi po e kthen partinë në një kasolle, apo do krijojnë parti të re.
A do ti shërbejnë demokracisë dhe vendit me një parti të re me vizion demokratik siç kërkojnë apo do enden si rusët në filmin “Ballë për Ballë”?!
S.P.