Home KRYESORE Themeluesi i Facebook-ut tregon sesi një historian arab i mesjetës zbuloi të...

Themeluesi i Facebook-ut tregon sesi një historian arab i mesjetës zbuloi të ardhmen e botës

Themeluesi i Facebook rrëfen sesi një historian arab i mesjetës zbuloi të ardhmen e botës

Mark Zuckerberg është i bindur se Perëndimi ndodhet në pragun e falimentimit. Por ka një armë sekrete, e cila gjendet në shkrimet e Ibn Khaldun, historianit të madh arab të Mesjetës.

Sipas Ibn Khaldunit, çdo cikël historik përbëhet nga një fazë ngritjeje, e karakterizuar nga akumulimi i pasurisë dhe nga vlerat tradicionale, dhe nga një fazë rënieje, e karakterizuar nga përkeqësimi i zakoneve, nga një taksim gjithnjë e më i lartë dhe nga luksi. Gjenerimi bart në vetvete farërat e degjenerimit, degjenerimi bart në vetvete farërat e gjenerimit të ardhshëm.

Pika kulmore e zhvillimit përkon me fillimin e korrupsionit. Në këtë fazë përhapen shkencat spekulative dhe arti, të financuara nga një sufiçit i akumuluar në fazën e mëparshme. Domethënë, Ibn Khalduni ishte goxha i ndërgjegjshëm se, duke qenë vetë ai intelektual, njëkohësisht ishte një produkt i bumit ekonomik dhe një sinjal i dekadencës

Qysh nga fillimi i vitit 2015 Mark Zuckerberg ka marrë zakonin që të këshillojë libra për të ushqyer një debat në faqen “A Year of Books”, duke u frymëzuar nga ajo që pak kohë më parë bënte Bill Gates. Dhe duhet pranuar se këshillat e miliarderëve amerikanë shpesh janë të shkëlqyera: nëse falë Gates bota ka njohur studimet e ekspertit të energjisë Vaclav Smil lidhur me rënien e fuqisë ekonomike amerikane, Zuckerberg në vijim ka promovuar libra jo banalë filozofie të shkencës, sociologjisë, antropologjisë dhe gjeopolitikës.

Ai nuk ka famë se është intelektual dhe, nëse besojmë në mishërimin kinematografik të tij, ndoshta nuk është as kushedi se çfarë inteligjent: imazhi që kemi është ai i dikujt, që ndeshi disi rastësisht në një ide të madhe dhe shpejt u rrethua nga financues dinakë dhe këshilltarë të aftë. Atëherë çfarë të thuash, përveçse këshilltarët e aftë kanë bërë një punë të shkëlqyer? Djaloshi është demonstruar jashtëzakonisht përthithës. Zuckerberg vazhdon të habisë, dhe këtu nuk po flasim për aktivizimin e kohëve të fundit, të gif-eve të animuara në rrjetin e tij social.

Këshilla bibliografike e disa kohëve më parë është befasuese: Muqaddima e Ibn Khaldunit, një traktat mbi historinë universale, i shkruar në vitin 1377. Qartazi, sipas themeluesit dhe shefit të madh të Facebook, ky libër mund të na ndihmojë të kuptojmë të tashmen. Çfarë ka kaq shumë interesante në këtë libër? Dhe si futet ky në debatin bashkëkohor? Është ajo që kam ndërmend të ilustroj.

Ibn Khalduni që ndoshta autori i parë që propozoi një “shkencë të historisë” të përqëndruar mbi idenë se ndodhitë njerëzore ndjekin cikle të rregullta – lindje, zhvillim, dekadencë – dhe analizon në mënyrë të detajuar shkaqet që çuan në transformimet sociale dhe në revolucionet kulturore.

Nëse parimi i cikleve gjendet tashmë tek grekët, sidomos tek Historitë e Polibit, këtu vlerësohet karakteri sistematik i kërkimit. Ideja gjeniale e filozofit magrebas qe ajo e aplikimit në fenomenet sociale, të studimeve të Aristotelit lidhur me gjenerimin dhe korrupsionin e formave të jetës.

Sipas Ibn Khaldunit, çdo cikël historik përbëhet nga një fazë ngritjeje, e karakterizuar nga akumulimi i pasurisë dhe nga vlerat tradicionale, dhe nga një fazë rënieje, e karakterizuar nga përkeqësimi i zakoneve, nga një taksim gjithnjë e më i lartë dhe nga luksi. Gjenerimi bart në vetvete farërat e degjenerimit, degjenerimi bart në vetvete farërat e gjenerimit të ardhshëm. Pika kulmore e zhvillimit përkon me fillimin e korrupsionit.

Në këtë fazë përhapen shkencat spekulative dhe arti, të financuara nga një sufiçit i akumuluar në fazën e mëparshme. Domethënë, Ibn Khalduni ishte goxha i ndërgjegjshëm se, duke qenë vetë ai intelektual, njëkohësisht ishte një produkt i bumit ekonomik dhe një sinjal i dekadencës.

Ky model vitalistik i historisë mund të aplikohet ndaj fenomeve dhe niveleve të ndryshme, të kundërvëna midis tyre si ingranazhet e një mekanizmi të vetëm. Mbi të gjitha aplikohet ndaj qytetërimeve dhe dinastive: Ibn Khalduni përshkruan në mënyrë të detajuar parabolat e kalifateve umajade dhe abaside. Në fillim të Nëntëqindës, tek Rënia e Perëndimit, Osvald Spengler do të nxjerrë konkluzione të ngjashme. Por ajo që na intereson më shumë këtu, sepse i intereson Zuckerbergut, është se modeli khaldunian mund t’i aplikohet ekonomisë, domethënë në dy nivele: atë makroekonomik dhe atë biznesor.

I konsideruar prej shumë studiuesve si shpikësi i të parës “shkencë të organizimit social”, “baba i ekonomisë” apo deri “baba i ndarjes së punës”, “pararendës i marksizmit”, por edhe i neoliberizmit reganian, Ibn Khalduni propozon parasëgjithash një projekt të parë të teorisë së cikleve ekonomike. Skema ngjitje – rënie e Khaldunit nuk është shumë e largët nga teoria e stadeve të zhvillimit të Walt Whitman Rostow, një prej modeleve më të praktikuar nga ekonomistët.

Artikulohet në 5 faza, nga shoqëria tradicionale në epokën e konsumit masiv. Me pak fjalë, në këtë tekst të lashtë Mark Zuckerbergu kërkon instrumenta interpretuese për të kuptuar fenomene mjaft konkretë, si rënia dhe novatorizmi. Refleksionet e një historiani arab të 1300 mund ta ndihmojnë të pilotojë me efikasitet më të madh kompaninë e tij, në një kontekst global i cili po transformohet rrënjësisht.

Por pyetjet që dalin na përkasin të gjithëve: si të njihen shenjat e një krize kur shfaqen? Është e mundur të mbështetet një zhvillim ekonomik pa limite? Si të shmanget që të mos përfundohet siç kanë përfunduar umajadët dhe abasidët? Rasti i Greqisë, që është vetëgllabëruar në një spirale konsumesh joprodhues (fillimisht) dhe interesash mbi borxhin (më pas), duket se ka dalë nga këto faqe.

Duke respektuar thëniet e Kur’anit, sipas Khaldunit teorikisht do të ishte e mundur të shmangej rënia, por në praktikë asnjë dinasti nuk ka arritur ndonjëherë t’i rezistojë korrupsionit të zakoneve. Mekanizmi i përshkruar tek Muqaddima ka diçka të pandryshueshme: etika kur’anore – ashtu si ajo protestante tek Max Weber gjashtë shekuj më vonë – mundëson që të prodhohet pasuri, por tepria e pasurisë domosdoshmërisht që i gërryen vlerat tradicionale, duke retrovepruar mbi kushtet e domosdoshme të prodhimit.

Në fazën e urbanizimit, faktorët prodhues mobilizohen gjithnjë e më shumë masivisht për të ushqyer një “sistem prestigji” (jâh), domethënë një konkurrencë mjaft të kushtueshme për akaparimin e pushtetit dhe, për pasojë, edhe të resurseve. Për absurd, shpërdorohen më shumë resurse për të nxjerrë resurse atij që i prodhon, sesa për t’i prodhuar drejtpërsëdrejti. Dhe konkurrenca bëhet gjithnjë e më e ashpër, sa më të rralla bëhen resurset për t’u ndarë, pasi “Kur shpirti mësohet me ndonjë gjë, kjo gjë hyn në qënien e tij dhe bëhet pjesë e natyrës së tij”.

Grekëve do t’u fishkëllenin ndoshta edhe veshët, por këshilla ime është që përqëndrohemi tek fishkëllima në veshët tanë. Sipas Ibn Khaldun është të paktën e mundur të njihet nëse po jetojmë në një fazë ngritjeje apo rënieje: treguesi kryesor është disekuilibri midis prodhimit dhe konsumit.

Në kohërat e tij, pasi ekonomia ishte kryesisht bujqësore, ekuilibri përcaktohej nga raporti midis fshatitit (prodhuesve) dhe qytetit (konsumatorëve). Por për ta azhornuar analizën e tij me kohërat e sotme, është patjetër e domosdoshme që të përfshihet industria midis sektorëve prodhues.

Në këtë mënyrë do të kuptojmë se në modelin khaldunian mund të përmblidhen idetë e tashmë të cituarit Vaclav Smil lidhur me krizën e sektorit prodhues amerikan”, një shoqëri që pushon së prodhuari të mira materiale është e destinuar që të shembet.

Një fil rouge lidh refleksionet e klasës drejtuese amerikane, nga Gates tek Zuckerberg, të gjithë të vetëdijshëm se operojnë në një kontekst rënieje: është fundi i shekullit amerikan, o njeri, fillimi i stanjacionit shekullor të ekonomive të avancuara, siç u proklamua nga ish Sekretari i Thesarit Larry Summers.

Pa dyshim, siç nënvizonte tashmë politologu konservator Samuel P. Huntington, perceptimi i rënies është një konstante e historisë së Shteteve të Bashkuara (dhe jo vetëm). Nga fundi i viteve Tetëdhjetë, historiani Paul Kennedy e kish lëshuar gurin në librin e tij “Ngjitja dhe rënia e fuqive të mëdha”, ushtrim i mëtejshëm i historisë ciklike.

Por kjo jetëgjatësi e rënies nuk mjafton që të likuidohet si jo e bazuar hipoteza në vetvete, përballë një tendence shumëvjeçare të ngadalësimit të rritjes së PBB-së së vendeve të OCSE-së. E thoshte edhe Stalini: “Vetëm pse je paranojak, nuk do të thotë se e ke gabim”. Emëruesi i përbashkët në këtë debat natyrisht që është Kina, vendi në ngjitje sipas skemës së Ibn Khaldunit, domethënë vendi që prodhon më shumë nga sa konsumon, vend bujqësor dhe prodhues, vend i ushqyer akoma nga një etikë e fortë e punës.

Edhe lidhur me këtë, zgjedhjet personale të Zuckerbergut rezultojnë tejet simbolike: pasi është martuar me një vajzë me origjinë kineze në 2012, është parë dy vite më vonë në një seminar në Pekin duke folur gjuhën mandarine. Ngjitjes së Kinës i është kushtuar një prej librave të pranishëm në listën e themeluesit të Facebook: “Dealing With China” i një tjetër Sekretari të Thesarit, Hank Paulson.

Supozohet se shpejt Zuckerberg do të mburrë pasurinë e jashtëzakonshme e mendimit ekonomik klasik kinez dhe teorinë e cikleve dinastike, por për momentin le të qëndrojmë në Mesdhe.

Ringjallja e kohëve të fundit e Ibn Khaldunit në Perëndim, pas një rizbulimi të parë në mes të Tetëqindës, ka dy baballarë. I pari është Abdesselam Cheddadi, i cili ka kuruar botimin e ri të veprave të tij, të botuar midis 2002 dhe 2012 në bibliotekën e famshme të Plejadeve dhe dedikuar historianit magrebas, një vëllim të trashë gjithmonë për Gallimard.

Sigurisht më influent, babai i dytë i neokhaldunianizmit në modë është Peter Turchin, biolog ruso – amerikan që studion evolucionin kulturor. Libri i tij “War and Peace and War: The Rise and Fall of Empires”, i botuar në 2007, ka ushqyer debatin intelektual në Shtetet e Bashkuara duke propozuar një metodë historiko – sasiore, të influencuar fuqimisht nga Ibn Khalduni.

Me një fije sensacionalizmi, “Wired” e ka quajtur Turchin si “historianin që parashikon të ardhmen duke u nisur nga të dhënat e së kaluarës”. Në mënyrë akoma më të ekzagjeruar, “Neë Scientist” ka folur për “llogaritje që demonstrojnë se Shtetet e Bashkuara janë duke falimentuar”.

Në një artikull tek “Bloomberg”, Turchin individualizonte në zemër të disekuilibrit ekonomik, problemin e “mbiprodhimit dhe elitave të mbiedukuara”: sipas Turchin, qysh nga kohërat e lashta, në çdo shoqëri rritja e popullsisë shkakton një sufiçit relativ të ofertës së punës në treg dhe, për pasojë, rënien e rrogave, duke i shtyrë kështu individët që të investojnë gjithnjë e më shumë dhe të konkurrojnë në mënyrë agresive, boll që të mund të futen në pozicione më të mira.

Zakonisht kjo çon edhe një rregullim demografik, si në rastin e klasës së mesme perëndimore që bllokon me denatalitetin varfërimin relativ të saj. Të studiosh kushton më shumë, por vendet e disponueshme janë gjithnjë e më pak. Për shoqërinë, shuma në rritje e investimeve përbën një humbje neto, pasi në pjesën më të madhe, investimet nuk e kthejnë koston e tyre.

Në këtë mënyrë rritet kuota e pasurisë së konsumuar në raport me totalin e akumuluar: gjë që tek Muqaddima, siç e kemi parë, është tregues që ndodhet në një fazë rënieje. Duke krahasuar raste studimi të ndryshme, Turchin konkludon se Shtetet e Bashkuara po përfundojnë si Perandoria Romake dhe se treguesi më i gjallë sasior i krizës është… bollëku i avokatëve. Pikërisht si në parlamentet tona moderne.

Pikërisht si në Kajron e shekullit të XIV-të, e transformuar sipas Ibn Khaldun në një xhungël fetvashë kontradiktore, nga një ushtri magjistratësh injorantë dhe kyftinjsh të korruptuar. Edhe pse Zuckerberg dhe këshilltarët e tij nuk e kanë në mendje “War and Peace and War” e Turchin, ndoshta kanë lexuar postimin e nobelistit shumë të ndjekur Paul Krugman, që në 2013 deklaronte se kishte zbuluar rëndësinë e Ibn Khaldun pikërisht duke lexuar Turchin.

Në postimin e Krugman theksohet një aspekt i mendimit khaldunian që deri më tani e kemi lënë në hije, por sigurisht themelor për Zuckerberg: bëhet fjalë për temën e novatorizmit.

Dhe me këtë kalohet nga dimensioni makroekonomik në atë biznesor. Sipas studimeve të Robert Wiggins, vetëm 5% e kompanive amerikane është rritur për një periudhë të vazhdueshme 10 vjeçare.

Dhe sipas të dhënave të paraqitura nga Chros Zook, mosha mesatare e një biznesi në 2007 ishte 12 vjet, ndërsa në 1990 ishte dyfishi. Ciklet e gjenerimit dhe korrupsionit vazhdojnë me një ritëm gjithnjë e më frenetik: në këtë kontekst, të rinovosh nënkupton të arrish ta shmangësh ciklin, të zëvendësosh në rrugë e sipër një kompani në rënie me një kompani performuese.

Faza e rënies në cikël karakterizohet nga një tendencë ndaj novatorizmit gjithnjë e më pak të fortë, deri në paralizë totale. Duke cituar shembullin e Microsoft, Krugman përdorte shprehjen “losing the edge”, daljen nga moda, humbjen e prekjes magjike. Në thelb është pak a shumë ajo që ndodhi me umajadët e shkretë dhe me të gjitha dinastitë arabe, që në Mesjetë kërkuan të formonin një shtet të zgjeruar dhe të centralizuar.

Me arritjen e apogjeut e zhvillimit të tyre, këto shoqëri e humbën elementin që deri më atëherë u kishte dekretuar suksesin, “asabiyya”, aftësinë për t’u vetëorganizuar, për të operuar kolektivisht, për të bashkëpunuar në vend që të digjnin resurse të mëdha në luftën për prestigjin. Temës së bashkëpunimit, kësaj radhe nga këndvështrimi i teorisë së lojës, i është kushtuar një libër tjetër midis atyre të listës së Zuckerberg, “Rational Ritual, Culture, Coordination, and Common Knowledge” i Michael Chwe, ish-përkthyes origjinal i romaneve të Jane Austen.

Mësimi i Ibn Khaldun mbetet i vlefshëm sot sepse problemet e kompanive të mëdha ngjajnë në mënyrë të habitshme me ato të shteteve të lashta. Kur ezaurohet asabiyya, qeveritarët tentojnë që të izolohen nga pjesa tjetër e popullsisë, pikërisht si në kompanitë e mëdha që shumëfishojnë nivelet dhe hapat vendimmarrës.

Në këtë pikë, vëren Khaldun, novatorizmat mund të vijnë vetëm nga jashtë, nga periferitë, nga “barbarët”, domethënë nga përfaqësuesit e një grupi të ri social në fazë ngjitjeje.

Nëse vetë Ibn Khaldun ka mundur të prodhojë një vepër kaq origjinale dhe disruptive, siç thuhet në zhargonin e Silicon Valleyt, kjo sepse vetë ai ishte një i jashtëm, një erudit autodidakt me një formim akademik jo të plotë.

Edhe ky është një tipar i përsëritur: në botën kristiane, në fillim të Modernizmit, gjeneratat e reja të intelektualëve vinin nga shkolla formuese të dorës së dytë, me prestigj më të pakët: Lefèvre d’Etaples nuk e mori kurrë doktoraturën e tij, Erazmusi mori një diplomë me pak vlerë në Universitetin e Torinos dhe Thomas Hobbes e kreu të tijën me shumë mundim …

Duke pasur në mendje shembullin e Galileos, në vitet Gjashtëdhjetë historiani i shkencës Thomas Kuhn tërhoqi vëmendjen lidhur me rolin themelor të të jashtmëve në kërkimin e dijes.

Kështu që nuk është rastësi nëse teksti i tij mbi Strukturën e revolucioneve shkencore, të jetë edhe ai pjesë e librave të këshilluar nga Zuckerberg kohë më parë. Kuhn analizon sesi ndodhin “ndryshimet e paradigmës”, domethënë ndryshimet rrënjësore e të paparashikueshme me të cilat përfundon një cikël dhe rihapet një tjetër.

Cikli ezaurohet kur klasa, kombi, dinastia apo kasta dominuese e funksionarëve, nuk arrin më të prodhojë vlerë dhe ezauron të gjitha resurset e akumuluara. Aristotelizmi mesjetar u shemb kështu, nën sulmet e pamëshirshme të intelektualëve “të serisë B”, por më të përshtatur me sfidat e kohës.

Shembulli më i fundit, sipas fizikanit Lee Smolin, fizika teorike ka humbur prekjen magjike kur është përzier në atë model tejet kompleks dhe abstrakt të njohur si “teoria e fijeve”, që prej dekadash okupon mijëra shkencëtarë dhe financime të konsiderueshme, pa prodhuar asnjë rezultat të rëndësishëm – të dobishëm apo të verifikueshëm.

Por siç na kujtojnë manualët modernë të menaxhimit, ajo për të cilat ka nevojë një shoqëri nuk janë idetë gjeniale, por zgjidhjet e thjeshta dhe të zbatueshme. Ajo që i intereson themeluesit të Facebook është sesi të mbrojë kompaninë e tij nga rreziku i të bërit, herët a vonë, një “peshë e vdekur” në treg. Ibn Khaldun tërhiqte vëmendjen për pasojat e zhvillimit hipertrofik të strukturave administrative, që gllabërojnë pasurinë e nxjerrë në fshatra.

Një shoqëri nuk mund të heqë dorë nga zgjerimi, por rrezikon gjithmonë që të zgjerohet shumë, domethënë të bëhet gjithnjë e më e rëndë, më e kushtueshme, më e brishtë, më pak produktive, më pak fleksibël. Në mënyrë të veçantë rrezikon të humbasë asabiyya e saj, aftësinë për të vënë në mënyrë efikase të gjitha mjetet dhe resurset në shërbim të një qëllimi të vetëm. Sipas psikologut të organizatave J.Richard Hackamn, grupet njerëzore tejet të mëdha tentojnë të jenë jofunksionalë, pasi me rritjen e shkallës rritet në mënyrë eksponenciale kostoja e menaxhimit të lidhjeve sociale (“managing the links”) midis çdo individi në grup.

Por sidomos strukturat e mëdha dhe skuadrat operative të mëdha tentojnë të dekurajojnë aftësinë e marrjes së këtyre rreziqeve, që gjithsesi janë të nevojshëm për të tentuar përmbysjen e tendencave degjeneruese. Dhe kjo është arsyeja për të cilën kompania Facebook është strukturuar qëllimisht rreth ekipeve të vogla, me shpresën që të mos mbytet nga karakteristika të tilla të kompanive të mëdha.

Dekadenca nuk është domosdoshmërisht një fat nga i cili mund të shpëtosh, por ndoshta Zuckerberg – nëse do të vazhdojë me leximet e mira dhe nëse këto të fundit shërbejnë për diçka – do të dijë të shmangë ndonjë gabim dhe të rezistojë një çikë më gjatë. Por çfarë të thuash për ne? Koinçidencë sugjestive, Ibn Khalduni e përcaktonte kohëzgjatjen e ciklit të jetës së një shteti brenda 120 viteve, domethënë 3 gjenerata me jetëgjatësi 40 vjeçare secili: një kohëzgjatje që pak a shumë mund të jetë ekuivalente me atë të shekullit amerikan, sipas asaj se kur i vendosim fillimin dhe sidomos fundin.

Duke lënë fantazitë numerologjike mënjanë, është interesante pasi ndarja treshe khalduniane korrespondon praktikisht me historinë e shekullit të fundit, të paktën në formën alegorike në të cilën kemi zakon ta përfaqësojmë: një fazë e parë e lidhur me vlerat e prodhimit e të akumulimit (koha e gjyshërve tanë); një fazë e dytë ekuilibri dhe bashkëekzistence midis vlerave të vjetra dhe atyre të reja (koha e prindërve tanë); së fundi, një fazë e tretë nën hijen e konsumit dhe të një aspirimi për luks, gjithnjë e më i vështirë për t’u financuar (koha jonë).

Kësaj klase të kamur në rënie, Ibn Khalduni i kushton refleksione të gjata shpesh befasuese për aktualitetin e tyre: kur flitet për pasojat e çlirimit seksual në qytetet e mëdha të Magrebit, zbulojmë se qartasi se, edhe arabët e Mesjetës kanë pasur 68-ën e tyre! Dhe në këtë pikë, me anakronizmin e fundit të habitshëm që kemi dashur t’u kushtojnë, teoricieni i kurseve dhe rikurseve historike do të na kishte bindur për vlefshmërinë e teorisë së tij.

Nuk do të na ndihmojë që të parashikojmë ditën dhe orën e fundit – në këto raste zakonisht zhvillimi tenton që të jetë i gjatë, i lodhshëm, i paparashikueshëm dhe i çkoordinuar – ama na jep ndonjë tregues për të njohur shenjat kur jemi brenda deri në fyt.

Share: