Nga Azem Parllaku
Këto ditë ishin mediat serbe, ato që artikuluan rreth vizitës, që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, mund të kryejë në Beograd vitin e ardhshëm. “Kur e ftova, i kam treguar se pse është kaq e rëndësishme që ai të vijë në Serbi. Kam folur për qëndrimin që kanë qytetarët e Serbisë ndaj tij dhe ndaj politikës amerikane, se si e shohin atë njerëzit në Serbi dhe pse është e rëndësishme vizita e tij”, tha Vuçiq për gazetarët në Nju Jork. Nëse Trump do të shkelë në Beograd, atëherë shënohet vizita e parë e një presidenti amerikan në Serbi, që nga viti 1980, koha kur Jimi Carter vizitoi Jugosllavinë e atëherëshme.
Pas vizitave të presidentit të Rusisë dhe atij të Kinës, turi i Trump-it vitin e arsdhshëm, shënohet si një vlerësim i fuqisë që ka Serbia në rajon, por edhe si një sinjal për Beogradin, i cili duhet të vendosë se ku do të shkojë në të ardhmen. Sipas presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “Pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është e mundur të arrihet asnjë zgjidhje e problemeve në rajon. Në qoftë se dikush mendon ndryshe, kjo nuk është reale dhe nuk ka lidhje me realitetin”. Ky koment i tij, pas takimit me zëvendësen e parë të ndihmës sekretarit amerikan të shtetit për çështje të Europës dhe Euro-Azisë, Elizabeth Millard, nuk është mirëpritur nga një pjesë e bashkëkombasëve të tij.
Kritikët e presidentit Vuçiq, vizitën e presidentit Trump në Serbi, e konsiderojnë si, largimin përfundimtar të Beogradit nga Moska, njëherësh dhe si ndryshim të preambulës së Kushtetutës së Serbisë, në të cilën theksohet se Kosova është pjesë e Serbisë. Ish ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiq, i cili ka qenë kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, ka supozuar se delegacioni i Kosovës i pranishëm në kuadrin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që zhvilloi punimet gjatë këtyre ditëve, ka lobuar fuqishëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe për pranimin e Kosovës në UNESCO. Përtej këtyre deklaratave, e sigurtë është se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ruajnë influencën e tyre në Ballkan, dhe se, vizita e presidentit, Donald Trump, në Serbi duhet konsideruar si një sinjal i fortë. Kjo vizitë shënon edhe shansin e tretë shqiptarët e Kosovës.
Herën e parë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vepruan me vendosmëri të madhe kur, politika serbe e spastrimit etnik kundër shumicës shqiptare në Kosovë, me qëllim konsolidimin e një Serbie kompakte nga pikëpamja kombëtare, provokoi vrasje masive të civilëve dhe dëbime brutale, përgjatë viteve 1998-1999. Këtë herë Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, mori komandën për llogari të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Albright, përfitoi nga impulsi politik i ofruar nga zgjerimi i NATO-s, për të modeluar koalicionin që, e vuri Serbinë përballë ultimatumit: të linte Kosovën, ose të dëbohej me forcë. Me Amerikën dhe Europën të lidhura fort, fushata e bombardimeve i shkaktoi dëme të rënda instalimeve dhe infrastrukturës ushtarake serbe, teksa trupat e NATO-s, po grumbulloheshin në Maqedoni, Greqi, dhe në Shqipëri, për të organizuar një fushatë vendimtare nga toka.
Rusia nga ana e saj, kreu një tentativë ekstreme që të futej në konflikt, duke rreshtuar një repart të vogël në aeroportin e Prishtinës. Ky veprim i Rusisë, ose ishte një përpjekje për të shpëtuar një pjesë të Kosovës për Serbinë, ose për të përfituar një zonë të pushtimit rus. Por me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vendosura politikisht dhe ushtarakisht në favor të Kosovës, tentativa ruse nuk nxori gjë në dritë. Faza përfundimtare e zgjidhjes së krizës jugosllave në mesin e vitit 1999, u zgjidh sipas termave perëndimore dhe nën lidershipin amerikan. Serbia ishte e detyruar t’a linte Kosovën.
Herën e dytë: Ishte presidenti, George W. Bush, si presidenti i parë në detyrë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili me 10 qershor 2007 vizitoi Shqipërinë. Presidenti Bush nga Tirana komentoi, se besonte se plani i të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Martti Ahtisaari, për pavarësi të mbikqyrur, është zgjidhja e duhur për Kosovën. Lidhur me këtë çeshtje presidenti Bush lëshoi një mesazh të fortë kur tha: “Ajo që mund të bëjmë ne është që të lejojmë diplomatët tanë që së bashku me koleget rusë dhe të Bashkimit Europian, të kërkojmë një kompromis, një bazë të përbashkët, të cilën t’a mbështesin të gjithë.
Por në qoftë se, ata nuk do t’ia dalin mbanë atëherë, do të vijë dita, më mire më herët se sa vonë që, ata do të thonë. Mjaft është mjaft, Kosova është e pavarur”. Kështu Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt 2008, dhe nga marsi i vitit 2011, Prishtina dhe Beogradi kanë nisur bisedimet në Bruksel për një seri çështjesh teknike. Përmbyllja e pavarësisë së mbikëqyrur më 10 shtator 2012, tashmë vlerësohet si një mundësi për shtyrjen më tej të hapave për integrimin e Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Europian. “Pavarësi është qëllimi. Kjo është ajo ç’ka populli i Kosovës duhet t’a dijë”, kjo ishte porosia e, George W. Bush, në qershor të vitit 2007.
Hera e tretë: Si shansi i fundit për Kosovën, përkon me vizitën e përfolur të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në Beograd. Me siguri që, Presidenti Trump, do të kërcënojë suksesin e diplomacisë së pambuktë Europiane, e cila luan arbitrin në dialogun e Serbisë me Kosovën.
Nëse me, Elizabeth Millard, zëvendësen e parë të ndihmës sekretarit amerikan të shtetit për çështje të Europës dhe Euro-Azisë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, foli për tema në të cilat insistojnë amerikanët, siç është rasti i vëllezërve Bytyqi dhe rasti i djegies së ambasadës amerikane në Beograd, temat që mund të shtrohen në tryezën e takimit, Trump-Vuçiq, nuk do të jenë edhe aq të këndshme. Shtetet e Bashkuara dhe NATO, në njëfarë mënyre konsiderohen si kryexhandarët e Ballkanit. Në një nivel preokupimi në rritje për të drejtat e popujve, Uashingtoni zyrtar kurrësesi nuk do t’a braktisë kauzën tradicionale të politikës së jashtme. Ekziston një ironi e fortë në të gjithë këtë situatë, kur paramendohet mesazhi i lëshuar i presidentit Trump në Beograd. Deri atëherë, mund të jetë lëkundur suksesi i diplomacisë ndërkombëtare mbasi, Irani dhe Koreja e Veriut, mund të jenë kthyer në drejtim të Kinës dhe Rusisë, që do të thotë forcim i ekzagjeruar i frontit antiperëndimor.
Deri atëherë mund të jenë harruar në sirtar të gjitha përpjekjet me bekimin e Europës për t’i integruar në një treg të përbashkët vendet e Ballkanit Perëndimor. Dominimi amerikan në Ballkan, dhe në favor të shqiptarëve, do të vijojë të demonstrojë fuqinë dominuese në një botë me disa qendra dominuese. Dhe në këtë botë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë dëshmuar se, Kosova është një prej partnerëve, jo vetëm për të ndarë barrën psikologjike të udhëheqjes, por edhe për të formuar një rend botëror të qëndrueshëm me liri dhe demokraci.