Deri në orën 16:00 deputetët kanë mundësi të depozitojnë në sekretarinë e Kuvendit pyetjet për ministrat e qeverisë së re Rama 2, por demokratët nuk kanë depozituar asnjë pyetje.
Ballkanweb bën me dije se shkaku pse PD-ja nuk do të depozitojë asnjë pyetje bëhet për të mos i dhënë mundësi ministrave të Ramës të flasin.
“Eksperienca dhe historiku i këtyre seancave ka treguar që, drejtimi i pyetjeve pa mundësi për debat është keqpërdorur për të marrë kohën e një propagande elektorale. Koha e përgjigjeve asnjëherë nuk i ka shërbyer qartësimit programor për qytetarët, por ka favorizuar reklamën e propagandën e kryeministrit“,- theksohet sakaq në një deklaratë për mediat nga zyra e shtypit e PD-së.
Duke deklaruar se nuk është e gatshme t’i japë asnjë shans kësaj maxhorance të keqpërdorë kohën në favor të publiciteteve varfëruese për shqiptarët, Partia Demokratike thotë se do të bëjë opozitë të vërtetë dhe përmbajtësore.
“Për rrjedhojë vendimi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, është të mos drejtojë pyetje që i japin mundësi propagandës qeveritare. Pyetjet dhe çështjet që shqetësojnë qytetarët do të ngrihen gjatë seancës së debatit ku secili deputet do të ketë mundësinë të mbrojë gjatë fjalës së tij qëndrimet dhe argumentet në favor të qytetarëve“,- sqarohet më tej.