Intervista e ambasadorit spanjoll Enrike Vigera në gazetën greke “Eleftheros Tipos” dhe kritikat e tij ndaj qendrimit të Athinës zyrtare për çështjen e Katalonjës ka shkaktuar incident diplomatik midis dy vendeve.
Ministria e Jashtme greke është përgjigjur me gjuhë të ashpër ndaj deklaratave të diplomatit spanjoll duke theksuar se ai ka fyer kushtetutën e Greqisë, duke pretenduar se Presidenti i Republikës nuk shpreh njëkohësisht edhe vijën qeveritare.
“Gjithashtu duke lënë të kuptohet se ka një mosmarrëveshje midis Presidentit të Republikës dhe qeverisë, z.Vigera provokon përtej kufijve diplomatikisht të tolerueshme, ndërsa komentet e tij me anë të të cilave jetëson publikisht pozicionimin e gabuar të opozitës greke për këtë çështje janë ndërhyrje e papranueshme në politikën e brendshme të vendit” -theksohet në deklaratë.
Ministria e Jashtme greke qe e ka thirrur ambasadorin spanjoll për të dhënë shpjegime, i ka bërë thirrje atij të mos sillet në një mënyrë që nuk është në përputhje me rregullat e diplomacisë dhe të korrigjojë deklaratat e tij të padrejta duke dhënë sqarimet e nevojshme tek qeveria greke.
Gjithsesi vetëm të dielën pas mesditës, Ministria e Jashtme greke dha për herë të parë një deklaratë zyrtare për ngjarjet në Katalonjë.
Aty theksohet se Greqia mbështet integritetin territorial të Spanjës, kundërshton veprimet e njëanshme që dëmtojnë unitetin e vendit dhe parimin e kufijve të pandryshuar dhe duke ndjekur me shqetësim situatën shpreson që dialogu paqësor dhe demokratik të rivendoset sa më shpejt që të jetë e mundur. /360grade.al