Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka folur publikisht për kritikat e bëra nga ish-kryeministri Sali Berisha pas humbjes në zgjedhjet e 25 qershorit.
Në një intervistë për Top Story, Basha pranoi se hartimi i listave nga vetëm ai ishte e gabuar dhe se kjo nuk do të ndodhë më. Ai ka komentuar edhe kritikën për këshilltarët e tij dhe strategjinë e zgjedhur në zgjedhje.
“Gjithçka ka ndodhur në një kontekst të veçantë. Në një ngushticë kohore. Ditën që kam shpallur listën kam thënë që kjo do të jetë hera e fundit që unë do të bëj listën, pasi atë tani e tutje do ta bëjë anëtarësia. Unë nuk e kam fshehur që listën e ka bërë kryetari. Jam angazhuar edhe në procesin e zgjedhjeve në parti. Përgjegjësitë e mia janë përgjegjësitë kryesore. Unë jam përgjegjësi kryesor” – tha Basha dhe shtoi: “Në nivelin taktik absolutisht ka gjëra që mund dhe duhet të ishin bërë ndryshe. Në nivelin politik unë nuk kam bërë asnjë lëshim”.