Zyrtarë të shërbimeve sekrete izraelite, që u janë vënë pas “hacker”-ave të qeverisë ruse, kanë zbuluar se ata kanë përdorur programin antivirus “Kaspersky Lab”, që përdoret nga mbi 400 milionë njerëz anembanë globit, përfshi edhe agjencitë qeveritare amerikane.
Zyrtarët, që kanë mundur të futen në mënyrë pirate në rrjetin e “Kaspersky”-t mbi dy vite më parë, paralajmëruan më pas homologët e tyre amerikanë mbi ndërhyrjet ruse, njofton “New York Times”, e para që e raporton këtë lajm.
Kjo solli për pasojë vendimin e Uashingtonit, muajin e kaluar, që urdhëron heqjen e programit “Kaspersky” nga kompjuterat e institucioneve qeveritare.
“Washington Post” raportoi gjithashtu të martën se, spiunët izraelitë kishin zbuluar gjithashtu në rrjetin e “Kaspersky”-t edhe mjetet e piraterisë që mund të kenë ardhur vetëm nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA) së Shteteve të Bashkuara. Pas hetimit, NSA-ja doli në përfundimin se këto mjete ishin nën zotërimin e qeverisë ruse, thotë “Washington Post”.
Ndërkohë, në fund të muajit të kaluar, Këshilli Kombëtar i Inteligjencës në SHBA hartuan një raport të klasifikuar që e ka ndarë së bashku me aleatët e NATO-s, ku dilet në përfundimin se shërbimi sekret rus “FSB” ka “qasje të mundshme” në bazat e të dhënave të klientëve të “Kaspersky”-t, si dhe kodet e burimit. Kjo qasje – thuhet në raport, – mund të ndihmojnë në ndërmarrjen e sulmeve kibernetike ndaj qeverisë amerikane, rrjeteve të kontrollit tregtar dhe industrial”, shton më tej “Washington Post.
“New York Times” thotë gjithashtu se operacioni rus, sipas njerëzve me njohuri mbi këtë çështje, dihet që ka vjedhur dokumente të klasifikuara nga një punonjës i NSA-së, i cili i ka ruajtur ato në mënyrë të paligjshme në kompjuterin e tij shtëpiak, që kishte të instaluar programin antivirus “Kaspersky”.
Ende nuk dihet publikisht se çfarë sekretesh amerikane mund të kenë zbuluar “hacker”-at rusë, teksa kanë kthyer programin “Kaspersky” në një lloj motori kërkues (si Google) për informacione të ndjeshme, thotë “New York Times”. Zyrtarë aktualë apo ish-zyrtarë qeveritarë që përshkruan këtë episod folën në kushte anonimiteti për shkak të rregullave mbi materialet e klasifikuara.
Gazeta vet tha se NSA-ja dhe Shtëpia e Bardhë refuzuan të komentonin mbi këtë zhvillim, sikurse edhe Ambasada e Izraelit, ndërsa Ambasada e Rusisë nuk i është përgjigjur fare kërkesës për koment.
Ambasada ruse në Uashington e quajti muajin e kaluar “ndalimin” e programit “Kaspersky” si “për të ardhur keq”, e tha se kjo vonon perspektivën e rivendosjes së marrëdhënieve dypalëshe.
“Kaspersky Lab”, ndërkohë, ka mohuar për “NYT” të ketë dijeni apo të jetë përfshirë në sulmet kibernetike ruse. “Kaspersky Lab nuk ka ndihmuar kurrë e as nuk do të ndihmojë ndonjë qeveri në botë, në përpjekjet e saj për spiunazh kibernetik”, deklaronte kompania në reagimin e saj. /360grade.al