Ambasada ruse në Tiranë, ka dalë diten e sotme e merkure me një deklarate shtypi, duke bëre nje sqarim per rolin e Moskës, lidhur me zhvillimet më të fundit ne arenën nderkombetare.
Ajo ka sqaruar projektrezolutën e paraqitur nga Rusia në Këshillin e Sigurimit të OKB për Ukrainën.
Njoftimi i plotë i Ambasadës Ruse
Më 5 shtator 2017 Rusia ka shpërndarë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së një projektrezolutë mbi krijimin e një misioni të OKB-së për asistencë në mbrojtjen e Misionit Special Monitorues (MSM) të OSBE-së në juglindje të Ukrainës. Në këtë zonë ende vazhdon ballafaqimi i armatosur midis ushtrisë ukrainase dhe forcave të republikave të vetëshpallura të Donjeckut dhe Luganskut.
Siç dihet, ka muaj të tërë që në zonën e konfliktit nuk zbatohet dakordësia për tërheqjen e trupave dhe pajisjeve të palëve nga vija e kontaktit. Dakordësi kjo që u arrit nga liderët e “Katërshes së Normandisë”, përkatësisht nga presidentët e Rusisë, Francës dhe Ukrainës, si edhe kancelarja federale e Gjermanisë, dhe u mishërua në Marrëveshjet e Minskut, të cilat më vonë u miratuan unanimisht me rezolutën 2202 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Për një kohë të gjatë mosdashjen e vet për të përmbushur dispozitat politike të Kompleksit të masave për zbatimin e Marrëveshjeve të Minskut (Minsk-2) Kievi zyrtar e ka përligjur me mungesën e “heshtjes”. Veç kësaj, tashmë janë bërë sistematike ankesat se vëzhguesit e OSBE-së nuk mund të kryejnë me efikasitet detyrën e tyre në një situatë kur jeta e tyre është në rrezik. Duke qenë se OSBE-ja nuk ka eksperiencë në fushën e misioneve të armatosura, Rusia ka propozuar që të angazhohet OKB-ja e cila ka pasur një pervojë të tillë, dhe që MSM-së t’i jepet një rojë e armatosur e OKB-së, përbërja e së cilës do të përcaktohet nga palët e konfliktit: Kievi, Donjecku dhe Lugansku.
Më 11 shtator parametrat e misionit të OKB-së u bënë temë diskutimi midis Presidentit të Rusisë Vladimir Putin dhe Kancelares gjermane Angela Merkel. Në përfundim të bisedimeve pala ruse shprehu gatishmërinë për të zgjeruar funksionet e misionit me qëllim që paqeruajtësit e OKB-së të kenë mundësi të shoqërojnë vëzhguesit e OSBE-së në udhëtimet e tyre në të dyja anët e vijës aktuale të kontaktit, sipas mandatit të OSBE-së për të dhënë asistencë në zbatimin e Kompleksit të masave.
Një moment tjetër me rëndësi parimore është se misioni i OKB-së nuk duhet të zëvendësojë formatet ekzistuese të zgjidhjes së konfliktit, Grupin e Kontaktit dhe “Formatin e Normandisë”, dhe as të konkurrojë MSM-në në çështjet e monitorimit, të cilin ky i fundit po kryen në përputhje me Kompleksin e Masave. Lidhur me këtë, për instalimin e një misioni të OKB-së në Donbas duhet të plotësohen disa kushte të rëndësishme:
– mandati i misionit të ri duhet të kufizohet qartë në ato detyra që kanë të bëjnë me garantimin e sigurisë së personelit të OSBE-së;
– dërgimi i ekipit të OKB-së mund të bëhet vetëm pas tërheqjes së trupave dhe armatimeve të rënda nga palët;
– operacioni duhet të miratohet nga palët e konfliktit: si nga autoritetet zyrtare në Kiev, ashtu edhe nga Republikat Popullore të Donjeckut dhe Luganskut.
Pala ukrainase deklaron se propozimin e Rusisë e cilëson si të papranueshëm. Kievi kërkon që paqeruajtësit të vendosen në të gjithë territorin e dy republikave të vetëshpallura, para së gjithash përgjatë gjithë kufirit me Rusinë. Pala ruse beson se qëndrimi i Ukrainës çon në prishjen e formateve ekzistuese të zgjidhjes së krizës, si edhe tek rishikimi i sekuencës së hapave të parashikuar nga Kompleksi i masave, sipas të cilit rimarrja nën kontroll të plotë e kufirit nga ana e Kievit përbën etapën finale të zgjidhjes dhe është e mundur vetëm pas zbatimit të të gjitha dispozitave të Kompleksit, përfshirë edhe ato politike. Këto të fundit përfshijnë fiksimin në kushtetutën ukrainase të statusit të veçantë të Donbasit, zhvillimin e zgjedhjeve në Republikat Popullore të Donjeckut dhe Luganskut, si edhe shpalljen e amnistisë për të gjithë pjesëmarrësit e ngjarjeve të ndodhura pas grushtit të shtetit në Ukrainë në shkurt 2014 dhe pas nisjes së së ashtuquajturës “operacion antiterrorist” të Kievit kundër qytetarëve të vetë.
Nga ana e tyre përfaqësuesit e Perëndimit, përkundrazi, kanë filluar të deklarohen pro iniciativës ruse. Kështu, Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë Sigmar Gabriel e quajti propozimin e Presidentit Putin për dërgimin e misionit të OKB-së në Donbas, shans për garantimin e armëpushimit. Padyshim që prezenca në rajon e paqeruajtësve nga vende të ndryshme të botës do të ndihmojë në përhapjen në mediat ndërkombëtare të informacioneve objektive për konfliktin, të cilat do të përgënjeshtrojnë edhe mitin e pranisë në Donbas të ushtrisë së rregullt ruse. Nuk është çudi që Kievi e sheh propozimin e Rusisë si të papërshtatshëm: paqeruajtësit do të kontribuojnë në ndalimin real të zjarrit në zonën e konfliktit, dhe pikërisht kjo është kushti kyç i përcaktuar në Marrëveshjet e Minskut, të cilin Ukraina refuzon kategorikisht ta zbatojë. Dhe në qoftë se me ndihmën e paqeruajtësve ky kusht do të plotësohet, atëherë Kievi do të duhet të kalojë tek zbatimi i pikave të tjera, pra, atyre politike. Gjithashtu, implementimi i Marrëveshjeve të Minskut do të vërë në pikëpyetje nevojën për furnizimin e Kievit me armët vdekjeprurëse amerikane.
Pavarësisht se Ukraina po bën deklarata të shumta të pavërteta me qëllim diskreditimin e propozimit rus dhe minimin e Marrëveshjeve të Minskut të mbështetura unanimisht nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, Rusia mbetet e përkushtuar për të siguruar një zgjidhje sa më të shpejtë të konfliktit në Donbas. Linja e ndjekur nga Kievi rrezikon të sjellë përshkallëzim të situatës dhe regres në procesin e zgjidhjes, dhe për këtë arsye pala ruse u bën thirrje të gjithë partnerëve ndërkombëtarë që planet e rrezikshme të autoriteteve ukrainase të parandalohen.