Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, duke komentuar vendimin e SHBA-ve për pezullimin e dhënies së vizave për shtetasit turq, theksoi se një hap i tillë është shumë zhgënjyes, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ky vendim para së gjithash është shumë, shumë zhgënjyes. Në fakt, zhgënjyese është se ambasada në Ankara lëshoi këtë vendim dhe urdhëroi zbatimin e tij. Zyrtarët e ministrisë sonë të Punëve të Jashtme, pasi mësuan për këtë zhvillim të ngjarjeve, kontaktuan me bashkëbiseduesit relevantë në mënyrë që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme”, tha Erdoğan, pas takimit në Kiev me Presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko.
Ai theksoi se Republika e Turqisë është shtet i sundimit të ligjit dhe jo një fis. “Turqia është një shtet i së drejtës. Nuk jemi fis, nuk jemi shtet fisesh”, tha Erdoğan, duke shtuar se Turqia mori të njëjtin vendim, pasi ambasada e SHBA-ve në Ankara kishte njoftuar se ka pezulluar lëshimin e vizave joemigruese në të gjitha përfaqësitë diplomatike në Turqi.
Duke vlerësuar marrëdhëniet me Ukrainën, ai theksoi se lidhjet ndërmjet dy vendeve çdo ditë po bëhen gjithnjë e më të forta. “Marrëdhëniet tona me Ukrainën, partnerin tonë miqësor dhe strategjik, çdo ditë e më shumë zhvillohen dhe intensifikohen. Marrëdhëniet tona me siguri se zhvillohen në frymën e miqësisë, solidaritetit dhe bashkëpunimit”, tha Erdoğan.
Presidenti i Turqisë qëndroi për vizitë në Kiev, ku pastaj udhëtoi për në Serbi. /360grade.al