Home KRYESORE Gara e fotove me banditë! Nga Dasada Metaj

Gara e fotove me banditë! Nga Dasada Metaj

Foto të një personi me precedentë të fortë penalë dhe të kërkuar nga interpoli, në shoqërinë e drejtuesve socialistë janë denoncuar mbrëmë në emisionin “Opinion” nga kryetari demokrat Basha dhe Monika Kryemadhi. Në këto foto, Durim Keci, i njohur dhe si “forti” i Shijakut duket qartë i afërt me drejtues të strukturave të PS-së, edhe pse në fakt duhej të ishte pas hekurave të ndonjë burgu të sigurisë së lartë. Por si gjithmonë kur krimi përfshihet me politikën, ata që duhet të mbajnë përgjegjesi ose heshtin ose përgjigjen me foto të ngjashme.

Kështu ndodhi sot edhe me kryeministrin, që publikoi një tjetër foto, ku personi në fjalë kishte dalë në çadrën e protestës së demokratëve. Me ndryshimin e madh që në cadrën e ngritur në një ambjent publik sic është sheshi përballë kryeministrisë, Durim Keci ishte në shoqërinë e disa militantëve dhe jo të ndonjë deputeti apo drejtuesi të PD-së.

Ky në fakt do të ishte dhe problemi më i vogël i një debati politik, që tashmë ka në qendër të tij kriminalizmin e partive politike. Sepse problemi më i madh mbetet tek mbështetja që këta persona të inkriminuar kërkojnë tek politika. Çfarë e shtyn një person që kërkohet nga policia e shtetit fqinj, që duhet të vuajë dënimin me dhjetëra vite burg të afrohet me partitë politike? Për ç’arsye një person që i ka shpëtuar drejtësisë kërkon të jetë prezent në mbledhjet dhe tavolinat e fushatave elektorale?

Përgjigja është shumë e thjeshtë dhe nuk gjendet në asnjë nga rreshtat e fjalimit të gjatë të kryeministrit. Këta kriminelë kërkojnë mbështetjen e pushtetit për t’i shpëtuar drejtësisë. Dhe këtë mbështetje sigurisht që nuk e sigurojnë falas. Durimi dhe shokët e tij që sot enden të lirë dhe të rrezikshëm rrugëve të Shqipërisë janë kontigjenti që përdoren lirisht për të blerë apo kërcënuar shqiptarët ditën e zgjedhjeve. Është ky kontigjent që në këmbim të fshehjes së letrave të ekstradimit, shkatërrimit të provave apo të ndonjë pazari tjetër, sigurojnë votat dhe “prodhojnë” deputetët që sot qetësisht nuk e prishin terezinë kur kryetari i qeverisë apo ndonjë ministër shfaqet në shoqërinë e banditëve me pushtet.

Janë këta banditë që me sigurinë e “punës” dhe votave që kanë sjellë në zgjedhjet e qershorit, sot vrasin dhe terrorizojnë qytetarët në mes të ditës. Është lehtësia me të cilën politika, por edhe ne vetë e trajtojmë këtë problem që po i rikthen qendrat e qyteteve shqiptare në skena ku bandat lajnë hesapet duke plagosur dhe rrezikuar jetën e kalimtarëve. Banditë dhe të “fortë” Shqiperia ka patur që në fillimvitet ‘90. Madje dhe legjenda urbane që qarkullonin për forcën e tyre ka patur pa fund. Por vetëm vitet e fundit, për ta kemi dëgjuar dhe parë afërsinë me pushtetin.

Aq sa disa prej tyre i kemi patur edhe deputetë një vit më parë. Bandat dhe kapobandat kanë qenë gjithmonë një punë e vështirë për forcat e rendit dhe drejtësinë, për shkak të potencialit të tyre ekonomik. Por të fuqizuar edhe me pushtetin politik, tashmë ata janë më të rrezikshëm dhe të imunizuar edhe nga ajo pjesë e policisë dhe e drejtësisë që realisht do të bejë detyrën e saj. Për fat të keq askush, as kryeministri dhe as personat e përfshirë në foton me një person të kërkuar nga Interpoli nuk kërkuan sot të paktën formalisht ndjesë për faktin, që u ndodhën në një tavolinë me një bandit. Askush nuk mbajti asnjë fije përgjegjësi për lënien të lirë të një personi mbi të cilin rëndojnë akuza të rënda.

Publikimi i një tjetër fotoje me kontekst krejt të ndryshëm ishte i vetmi argument i Edi Ramës, që nuk sqaroi aspak dhe me asnjë fjali të vërtetën e përfshirjes së kriminelëve në fushatë. Dhe vështirë se do ta bëjë, për sa kohë ende nuk i ka kërkuar ndjesë shqiptarëve që vetëm një vit më parë kishte në grup parlamentar apo kryetarë bashkie, persona që dhe vetë e kishin harruar me çfarë emri ishin regjistruar në gjendjen civile.

Share: