Nga Opinion.al
Një udhëtim i befasishëm dhe i padeklaruar i kryeministrit Edi Rama në SHBA, ka ngjallur jo pak diskutime dhe hamendje. Udhëtimi që ka ndodhur në fundjavë, nuk u bë publik as nga zyra e Ramës dhe as nga mjetet e tjera pranë qeverisë. Por, shtypi ka arritur të mësojë për udhëtimin e Ramës me një grup shumë të ngushtë dhe jo i gjithi politik. Vetë Rama as e ka pranuar dhe as e ka përgënjështruar udhëtimin. Por Opinion.al ka mësuar nga burimet e tij në Nju Jork, se Rama ka qenë realisht atje.
Pyetja e parë në një rast të tillë është përse Rama udhëtoi sërish drejt Nju Jorkut, kur ai u kthye prej andej vetëm para dhjetë ditëve? Rama mori pjesë në seancën e radhës së OKB – së në mes të shtatorit dhe qëndroi thuajse një javë në Nju Jork. Por ai është rikthyer në Nju Jork në më pak se një javë, në një udhëtim që nuk e ka bërë publik.
Shtypi e ka lidhur udhëtimin e tij me kritikat e Ambasadorit Amerikan Lu për krimin e organizuar dhe lëvizjet e anuncuara në departamentin Amerikan të shtetit. Po sipas shtypit kritik ndaj Ramës ky i fundit është në dijeni të qëndrimeve të ashpra amerikane dhe ka kërkuar t’i zbusë ato. E gjitha kjo mund të jetë e vërtetë, por një burim shumë i besueshëm i ka deklaruar opinion.al se kryeministri shqiptar është parë në një ceremoni të veçantë përkujtimore në Nju Jork. I njëjti burim që ka qenë i pranishëm aty, ka deklaruar se Rama ka marrë pjesë të dielën në një përkujtimore që familja kishte organizuar për ndarjen nga jeta të Artur Filkenshtajn, në shtëpinë e tij në periferitë e qytetit.
Filkenshtajn ka qenë prej shumë vitesh një nga njerëzit më të rëndësishëm të imazhit, analizave dhe konsultimit mediatik në SHBA. Ai ka hyrë në këtë biznes në vitin 1969 dhe së bashku me të vëllain ndërtoi një kompani PR që mori shumë emër në SHBA sidomos në fushatën e dytë të Niksonit më 1972 dhe në fitoren spektakolare të Reganit në 1980. Filkenshtejn njihej si një maxhistar i analizës së të dhënave dhe si një ndër personat më të aftë të fushatave negativiste. Ai u bë shumë i njohur në botë edhe si konsulent kryesor i kryeministrave të Izraelit si Ariel Sharon dhe Netanjahu. Në faqen e tij në uikipedia, thuhet se ai ka konsultuar ndër të tjerë edhe kryeministrin Hungarez Orban, atë Cek Topolanek dhe Kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi. Në të nuk përmendet Rama, por dihet që Filkenshtejn mbërriti në Tiranë si konsulent i Nanos në zgjedhjet e 2005 dhe vijoi të konsultojë si një njeri shumë i besuar edhe Ramën deri në vitin 2013.
Rama dhe Filkenshtejn rezultojnë shumë të lidhur midis tyre në një periudhë thuajse 10 vjeçare. Shumë dëshmitarë tregojnë se ai kishte një ndikim të fuqishëm mbi Ramën dhe ka luajtur rol, sidomos në qetësimin pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2009.
Filkenshtejn ndërroi jetë në datën 17 Gusht në Nju Jork, më moshën 72 vjeçare. Të dielën e shkuar, familja kishte organizuar një ceremoni përkujtimore ku merrnin pjesë thuajse 400 veta, midis të cilëve edhe njohës të Shqipërisë. Sipas një burimi të pranishëm në ceremoni, një ndër ata që ka folur ka qenë edhe Edi Rama. Në ceremoni kanë folur edhe ish Governatori i Nju Jorkut, Xhorxh Pataki, ish zëdhënësi i Presidentit Bush, Ari Fleisher dhe të tjerë.
Burimi ynë nuk konfirmon dot axhendën tjetër të Ramës. Pra, ne nuk dimë të themi nëse ai ka pasur takime të tjera apo jo, në Nju Jork dhe nëse ka vizituar Uashingtonin. Por një gjë është e sigurtë, zëvendësimi i Hojt Ji, me Xhonatan Mur si Deputy Assistent Secretary për Ballkanin nuk do pritet aq mirë në Tiranë.
Ajo që nuk kuptohet në këtë rast, është përse Rama nuk e bëri publik këtë udhëtim dhe cili që shkaku që e mbajti sekret?/Opinion.al