Në ato vite të errëta të regjimit komunist në Evropën Lindore, ngrihej lart kulti i individit, kulti i Liderit të madh komunist që sfidonte edhe vetë Zotin. Zoti nuk ekzistonte, Ai ishte i ndrydhur në zemrat e njerëzve liridashës. Zoti nuk i krijoi njerëzit që të bëheshin skllevër të ideologjive vëllavrasëse, vetëmohuese, por i krijoi ata që të donin njëri-tjetrin dhe të ishin qytetarë të një bote të lirë.
Atë kohë, ish-Presidenti i Republikës çeke Vaclav Havel do ta quante si një periudhë ku shoqëria ishte shpërbërë dhe fjalët miqësi dhe dhembshuri e kishin humbur dimensionin e tyre. Pikërisht, në këtë periudhë të errët të historisë, predikonte në Kishën Shën Stanislas Kostka në Poloni, At Jerzy Poieluszko. Ai predikonte kundër atij regjimi që kishte robëruar vendin e tij, që ishte përpjekur të mohonte Zotin.
Jerzy Popieluszko lindi në 14 shtator 1947 në Okopy afër Suchowola. Ai ishte përkrahës i lëvizjes sindikaliste “Solidarnosc”, lëvizje antikomuniste e udhëhequr nga Les Valesa. Ai bënte predikime antikomuniste, në të cilat ai i motivonte njerëzit të protestonin. Gjatë kohës së ligjit marcial në Poloni, Kisha Katolike ishte e vetmja forcë që mund të predikonte haptazi.
Meshat paraqisnin mundësi për tubime publike nëpër kisha. Predikimet e At Jerzy Popieliuszko ishin transmetuar nga Radio Free Europe dhe ai u bë i njohur në të gjithë Poloninë për qëndrimin e tij antikomunist. Shërbimet Sekrete polake u përpoqën ta bënin të heshte dhe e kërcënuan. Meqënëse keto taktika nuk funksionuan, ata mblodhën prova kundër tij dhe e arrestuan në 1983. Ata u detyruan ta lironin me ndërhyrjen e Kishës katolike dhe e falën me amnisti. Ata planifikuan një aksident automobilistik kundër tij, por ai shpëtoi. Shërbimet sekrete polake e rrëmbyen më 19 tetor 1984. Ata e rrahën dhe e vranë At Jerzy Popieluszkon.
Trupi i tij i pajetë u hodh në rezervuarin e ujit të Vistules afër Wlaclawek dhe u zbulua më 30 tetor 1984. Lajmi i vrasjes se tij indinjoi gjithë Poloninë dhe vrasësit e tij u dënuan me burgim për krim. Më shumë se 250000 veta, duke përfshirë Les Valesen, morën pjesë në funeralin e tij më 3 nentor 1984. At Jerzy Popieluszko ishte vetëm 37 vjeç kur u vra kaq mizorisht. Me gjithë këtë vrasje dhe konsekuencat e saj, regjimi komunist në Poloni vazhdoi deri më 1989. Vrasësit e At Jerzy Popieliuszkos, Kapiten Grzegorz Piotrowski, Leszek Pekala, Waldemar Chmieletrski dhe Kolonel Adam Pietruszka (përgjegjës për dhënien e urdhërit për të vrarë atë) u burgosën, por u liruan dhe u falën nga një amnisti. Kjo tregon se urdhri për vrasjen e At Jerzy Popieluszkos erdhi nga lart, nga nomenklatura komuniste polake…
Në vitin 1997, Kisha Katolike Romake filloi procesin e lumturimit dhe në vitin 2008, ai mori statusin e Shërbëtorit të Zotit. Më 19 dhjetor 2009, u anuncua se Papa Benedikti XVI kishte aprovuar dekretin e lumturimit të At Popieluszkos. Ai u lumturua në 16 qershor 2010 në sheshin Pilsudski në Varshavë.Nëna e tij,Marianna Popieluszko, e cila kishte mbushur 100 vjeç disa ditë më parë, ishte prezente në këtë ngjarje. At Popieluszko u bë anëtar i Urdhërit të Shqiponjës së Bardhë (Order of White Eagle) post mortem më 2009.
Pikerisht, ishin idetë dhe predikimet e At Jerzy Popieluszkos që triumfuan, dhe jo ato të vrasësve të tij…