Home KRYESORE Kur “ajo” ishte “ajo që unë nuk isha”. Nga Natasha Shuteriqi...

Kur “ajo” ishte “ajo që unë nuk isha”. Nga Natasha Shuteriqi Porocani

Etyd për dy jetë brenda një kohe të dyzuar

Kushtuar mikes së rigjetur në formë të plotë, Ermira Xhumaqi.

       Ne kemi pothuajse një moshë.

       Fëmijët tanë kanë një moshë dhe një rritje.

      Ardhur në të njëjtën epokë në këtë botë, fëmijët tanë kanë lidhur edhe më shumë miqësinë tonë. Sepse ne shpesh flasim për ta njësoj, ankohemi e mburremi njësoj. Dhe sa herë që në bisedat tona e tashmja prezanton veten në realitetin e konsumit, vlerës, antivlerës dhe globalizmit pjesë e të cilit bëhemi dashje pa dashje, unë instiktivisht realizoj paralele mes jetëve tona: rritjes sime dhe të saj. Sepse ndërsa fëmijët tanë ndajnë të njejtën kohë në rritjen e tyre, kuptoj pas kaq viteve që unë dhe ajo ndajmë konceptime të ndryshme të kësaj njësie vështruar në rrafshe diakronike sociale.

T’i rendis:

     -Fëmijëra jonë i përket viteve 70 dhe rinia e herëshme viteve 80. Në dukje e njëjta “kohë”, por në thelb e vlerësuar ndryshe.

Unë vija nga një familje e thjeshtë, e paangazhuar politikisht, por as edhe rrezikuar dukshëm nga terrori komunist. Kjo statukuo bënte që në vetëdijën time të mos isha e përgjegjëshme për atë që ndodhte në një tjetër botë, të cilën më tepër ma sillte të gjallë nocioni i “luftës së klasave” në tekstet shkollore, duke ma serviruar si një vijë demarkacioni të dobishme për të ndërtuar pikërisht “kohën ” në të cilën po jetoja e për të cilën më duhej të bëja apologji.

Nuk di nëse isha një fëmijë i lumtur, por të paktën isha një fëmijë i qetë.

Ajo ishte “ajo që unë nuk isha”. Ardhur nga një familje e cila vite para lindjes së saj kishte marrë goditjen më të tmerrshme nga regjimi diktatorial, ishte e dënuar të jetonte “rrënjëshkulur”, siç pohon vetë, me peshën e mospërgjigjes për pyetjen e vuajtjes: “Nga të kemi?”. Kjo peshë me sa duket, e kishte bërë të anonte nga një tjertër kuptim i nocionit të “kohës”, duke mos e parë më si etapë të një jete njerëzore apo të rritjes së një kombi, por duke e perceptuar si një hapsirë fizike, brenda së cilës ndaheshin njerëzit, klasat, familjet, shokët, madje edhe rrugët ku do të ecje apo vendi në rradhën e nxënësve të klasës. Të klasës së parë.

Ne kishim perceptime të ndryshme për konceptin “kohë“.

     -Të kuptuarit është çështje dinjiteti. E vërteta shpesh kërkon fuqi karakteri, jo vetëm për ta përballur por edhe për të kthyer levën e sistemit motorik të jetës sociale. Në këtë kuptim, unë dhe ajo ndanim njohje të ndryshme për epokën e socializmit në Shqipëri.

Për mua epoka që  jetoja nuk kish nevojë për interpretim dhe gjykim, sepse nuk kisha arsyen dhe motivin për të shkuar drejt analizave reflektive mbi faktorë që padukshëm për një pjesë të brezit tim (dhe nuk ishim pak) ishin inekzistentë, tangentonin në jetën tonë pa sjellë asnjë problem të tillë sa të cënonte përditshmërinë.

E në fakt për të njohja ishte e thellë dhe analoge. Sepse “i ishte vrarë një pjesë e jetës”. Të njihje epokën e saj, duhej të kuptoje para së gjithash vullnetin e një fëmijë të çfarëdoshëm 7 vjeçar, për të përçmuar dhe goditur atë, vajzën e vogël, të pafajshme që shkonte në shkollën e fshatit të rradhës, për të mbajtur vendin e fundit në rradhën e rradhës dhe për të mos kundërshtuar mllefin e bashkëmoshatarit që e lëndonte. Kjo ishte e vërteta e saj. E vërteta që (jo për fajin tim) unë nuk e njihja, por që në thelb do të thoshte se ne  ndanim njohje të ndryshme për mënyrën se si e kuptonim atë epokë.

     -Komunikimi është mënyra më elegante për t’u futur në magjinë e fjalëve dhe për ta risjellë këtë magji në kontekste të derivuara, duke përcjellë mesazhe të pafundme sipas situatave të ndryshme. Unë kam njohur fusha të ndryshme semantike, në kontekste të ndryshme ligjërimore, por pa patur nevojën të kodoj frikshëm gjuhën time. E ndërsa tani pas kaq viteve, analizoj mesazhet që përcjellin shkrimet e saj, kuptoj që në disa kode kam për të qenë përjetë e përjashtuar. Jo sepse nuk i kuptoj, por pikërisht për faktin se i kuptoj. Ato kode nuk kanë qenë pjesë e “gjuhës sime”, sepse nuk kam patur nevojë të kodoj në atë fomrë, e cila për të ka qenë domosdoshmëri, mbijetesë dhe fushë ligjërimore e detyruar.

Pra ne kemi folur gjuhë të ndryshme.

       Me të sot flas mes shumë shenjash. Janë verbale, emotive dhe të gjithëfarsojme. Unë flas shqipe ekselente, ajo më pak. Ajo flet frëngjishte ekselente, unë shumë më pak. Por pezull mes nesh është një mungesë lingustike: unë nuk jam pjesë e ishkodeve të saj, të cilat mbushnin vakumin e komunikimit të munguar gjithsesi.

              Ne sot ndajmë kujtime. Secila për kohën e saj, për të vërtetën e saj, për gjuhën e saj. Ndajmë gjëra të bukura dhe kjo është zgjedhje. U lindëm në një kohë, por nuk u rritëm në një kohë. E megjithatë, asnjë “kohë” nuk na pengoi të rriteshim bukur, të flisnim në gjuhën ekselente të qytetarit e të na shijonte aq shumë ajo kafeje e harruar mes vargjeve të Hygoit apo pasazheve të Kadaresë.

Të të gjesh të plotë ty…kjo është pasuri.

Share: