Home KRYESORE Kush qëndron pas kërcënimit të rektorit Koni nga Shullazi?

Kush qëndron pas kërcënimit të rektorit Koni nga Shullazi?

Dëshmitë e Saimir Tahirit, Haki Çakos, Lindita Nikollës, Dhori Kules e Mynir Konit nuk ishin në sinkron në Gjykatën e Krimeve të Rënda, në çështjen kundër Emiljano Shullazit.

Ish –ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako dhanë versione të ndryshme për faktin se si u vunë në dijeni se rektori Kule dhe kandidati për rektor Koni, u kërcënuan nga Shullazi (lexo më poshtë në faqen e lapsi.al).

Në pamje të parë janë detaje të vogla, por për një proces hetimor detajet janë thelbësore. Djalli fshihet brenda tyre.

Edhe në dëshmitë e zyrtarëve të tjerë ka po ashtu papërputhshmëri.

Gazetari i kronikës, Flamur Vezaj ka publikuar disa prej dëshmive. Por kjo nuk është pjesa më e rëndësishme e shkrimit të tij në faqen personale në facebook për këtë çështje, të cilën ai e ka ndjekur në vazhdimësi.

Gazetari ngre disa pyetje në përpjekje për të kuptuar thelbin e ngjarjes: pra, përse Emiljano Shullazi do të kërcënonte një kandidat për rektor? Ç’interesa kishte kreu i një bande të fuqishme në Universitetin e Tiranës?

Në pyetjet e shumta të ngritura prej tij tentohet pikërisht të kuptohet lidhja mes Shullazit dhe postit të rektorit. Dhe pyetjet i çojnë dyshimet te planet për të ndërtuar në hyrje të Qytetit Studentit, një pasuri e patundshme që është në vartësi të Universitetit të Tiranës.

Konflikti për këtë çështje – thotë gazetari Vezaj – vijojnë edhe sot në rektorat, me përplasje komptetencash. Një prej këtyre konflikteve u bë publike disa javë më parë kur rektorit Koni iu sekuestrua makina e rektoriatit pa i dhënë shpjegime. Më vonë u mësua se kishte qenë kancelari i universitetit që e kishte denoncuar përdorimin e makinës si në shkelje të rregullave (lexo shkrimin më poshtë në faqen e lapsi.al).

Në shkrimin e tij gazetari përmend edhe emra zyrtarësh e ish –zyrtarësh të tjerë, që sipas tij janë të implikuar në këtë çështje, që sipas argumentimit të tij s’ka të bëjë me postin e Rektorit të UT, por me firmën e tij që duhet për ndërtime në zonën e Qytetit Studenti, ku Shullazi ishte pajtuar për të bërë “përmbaruesin”. /Lapsi.al

Share: