Greqia ka lehtësuar procedurat për të gjithë emigrantët shqiptarë që marrin nënshtetësinë greke. I pyetur nga “Gazeta Shqiptare”, Fatos Malaj, ndërmjetës ndërkulturor në Ministrinë e Emigracionit dhe drejtues i organizatës së emigrantëve “Arogji – Përkrahja”, tregon se procedura për kryerjen e shkëputjes nga leja e qëndrimit, tashmë mund të kryhet automatikisht.
“Në momentin që një emigrant shqiptar merr nënshtetësinë greke, kjo paraqitet në gazetën qeveritare. Para funksiononte në këtë mënyrë: emigranti duhej të shkonte në Qendrën e Emigracionit, ku dhe kishte marrë lejen e qëndrimit dhe bënte shkëputjen nga kjo leje në mënyrë që të merrte nënshtetësinë. Por, kjo ishte një procedurë që zgjaste 2-3 javë. Tashmë procedura është lehtësuar dhe bëhet automatikisht”, – thotë Malaj.
Megjithëse heqja e lejes së qëndrimit mund të duket një veprim i thjeshtë, në fakt njerëzve u kushtonte shumë, sidomos të rinjve të brezit të dytë që mund të kishin shans për të shfrytëzuar programe studimi jashtë shtetit dhe nuk pajiseshin në kohën e duhur me këtë dokumente greke. Kjo, sepse nuk mund të paraqiteshin direkt në zyrat e shtetasve të huaj dhe emigracionit, por duhej që më parë të linin një takim, cili mund të realizohej edhe pas disa muajsh. Ndërkaq, edhe mbajtësit e “kartës së homogjenit”, duhej të paraqiteshin në polici për të anuluar kartën e tyre. Pra, e gjithë kjo procedurë sillte një zvarritje të panevojshme, në një kohë që gjithçka mund të zgjidhej në mënyrë elektronike nga shërbimet administrative greke. Fatos Malaj ishte i pari që e përcolli këtë shqetësim dhe me mbështetjen e Ilias Hronopulos arriti ta bindte administratën greke për ndryshimin që duhej të bënte. Ky ndryshim përshkruhet në shkresën që Ministria e Rendit i ka dërguar shërbimit të letërnjoftimeve dhe pasaportave dhe zyrave përkatëse në të gjithë vendin. Edhe pse dy vendime ministrore (2012 dhe 2014), parashikonin që kërkesa për nxjerrje letërnjoftimi duhej shoqëruar nga dorëzimi i lejes së qëndrimit apo i “kartës së homogjenit”, shkresa e tanishme përcakton: “Për nxjerrjen e letërnjoftimit nuk parashikohet paraqitja e vërtetimit për dorëzimin apo anulimin e lejes së qëndrimit apo kartës së posaçme të homogjenit”. Gjithashtu, ndërmjetësi ndërkulturor Malaj tregon për “GSH” se në fund të muajit nëntor do të ketë lehtësira edhe për emigrantët që aplikojnë për leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme. “Pritet që në fund të nëntorit të ketë lajme të mira edhe për emigrantët që aplikojnë për leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme. Të gjithë ata që kanë jetuar në shtetin helen ilegalisht për më shumë se 7 vjet dhe dëshirojnë të marrin leje qëndrimi, procedura do të thjeshtëzohet. Më parë iu duhet të dorëzonin dokumente vërtetimi që këta emigrantë dëshmonin se kishin qëndruar në Greqi për më shumë se 7 vite, ku përfshiheshin edhe kontratat e qirasë apo të punës. Pas fundit të nëntorit do iu duhet të dorëzojnë vetëm vërtetimin që prej 7 vitesh jetojnë në shtetin fqinj”, – tregon Malaj.
Si mund të merret nga të gjithë nënshtetësia greke:
– Nëse jeton 7 vjet ligjërisht në Greqi.
– Nëse jeton 3 vjet rresht në Greqi dhe ke ardhur nga një vend i Bashkimit Europian.
– Nëse je homogjen.
– Nëse je refugjat politik.
– Nëse ke buletin personi pa shtetësi.
– Nëse ke një fëmijë, i cili është shtetas grek.
CILAT JANË KËRKESAT FORMALE PËR MARRJEN E SHTETËSISË GREKE ME NATYRALIZIM
– Ju duhet të jeni në moshë madhore në kohën e deklarimit të natyralizimit.
– Të mos jeni dënuar me burgim të parevokueshëm (përfundimtar), të paktën një vit në dekadën e fundit.
– Të mos jetë në pritje një vendim deportimi (apelasi) kundër jush.
– Të kemi titull qëndrimi të ligjshëm. /Gazeta Shqiptare