Partia Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoni shpalli fitoren në komunat kryesore të banuara nga shqiptarët pas balotazhit të zhvilluar këtë të diel.
Kreu i saj Ali Ahmeti tha se në Tetovë rikonfirmohet Teuta Arifi ndërsa kandidatët e partisë së tij udhëheqin bindshëm në Strugë, Çair, Dibër, Saraj, Likovë, Kërçovë dhe të tjera.
Ndaj tij reagoi ashpër kreu i Alenacës për Shqiptarët Ziadin Sela që akuzoi për manipulime të shumta pasi partia e tij po humbet bastionin e saj, Strugën.
Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev tha se rezultati i zgjedhjeve lokale tregoi mbështetjen që ka qeveria e tij duke i bërë thirrje VMRO-DPMNE-së të njohë rezultatin. Por kreu i opozitës Nikolla Gruevski tha se zgjedhjet shfaqën parregullsi të shumta.
“Është shkelur edhe heshtja zgjedhore. Disa persona kanë shpërndarë fletushka, dhe policia ka qenë në shërbim të tyre. Janë regjistruar edhe kërcënime, shantazhime dhe blerje e votave.”
Pjesëmarrja në raundin e dytë llogaritet rreth 52%. Autoritetet thanë se procesi u zhvillua në mënyrë të qetë dhe pa probleme serioze megjithëse nuk kanë munguar edhe incidentet e vogla./opinion.al