Nga Azem Parllaku
Në Shqipëri, ku shteti nuk po e mund dot krimin, Edi Rama, e relativizon përgjegjësinë e tij, duke i bërë fajtorë gazetarët dhe mediat. Në shtetet e kapura nga krimi, sundimtari ka bindje që, e vërteta është veç ajo që, ai thotë se është e vërtetë. Propaganda është sektori më i rëndësishëm në shtetin e kapur nga krimi, dhe nëse ky sektor çalon (sipas konceptiti të sundimtarit), atëherë njerëzit nuk mendojnë më që qeverisja ecën vaj, dhe përgjegjës për këtë janë gazetarët. Nën akuzë i vendos gazetarët Kryeministri i Shqipërisë, sepse ata, u japin zë të pathënave dhe kallëxojnë mizerjen sociale.
“Opinioni Juaj” zoti Kryeministër përpara kujdo që të jepet, as më pak e as më shumë, është titull ekzekutiv. Dhe këtë titull ua bëni gazetarëve! Gazetarët mund të jenë pyetës të këqinj e të bezdisshëm por janë shenjëtarë mjaft të mirë, ta modifikojnë portretin, ndaj mos e dhëntë Zoti, të pësosh fatin e Silvios duke ngrënë ndonjë statujë në fytyrë. Në një vend si Shqipëria, ku Demokracia mbetet iluzion, hipokrizi, ironi, ligësi, zemërim, përçarje, sundim, dhe ku yjet ndriçojnë vetëm për oligarkët dhe politika e diktuar shpërfill të urtët, gazetarët janë të vetmit që i bëjnë diversion retorikës bajate të demagogëve.
Në një shoqëri normale, një sjellje si kjo e Ramës ndaj gazetarëve, konsiderohet dhunë, ashtu siç s’kanë vend në një shtet ligjor gazetarët shantazhues të opinionit, firmave dhe politikës. Në shoqëritë e zhvilluara demokratike, informacioni ka qenë dhe mbetet baza e komunikimit njerëzor, e në këtë kontekst mediat dhe teknologjitë e komunikimit, janë shndërruar në elementin e fuqishëm të ekzistencës së vetë njerëzimit. Nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dita e 3 majit është shpallur Dita Botërore e Lirisë së Shtypit për të ngritur vetëdijen dhe rëndësinë e lirisë së shtypit dhe për t’ua kujtuar popujve dhe qeverive detyrën që kanë në drejtim të respektimit të të drejtës së shprehjes së lirë, që është e garantuar me nenin 19 të Deklaratës së Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut.
Shoqëria njerëzore, sot është bombarduar nga informacioni 24 orë pa ndërprerje. Kronikat, lajmet, opinionet, vijnë drejtpërdrejtë nga vendi i ngjarjes, ndërsa interneti nga ana e tij është shndërruar në një pompë benzine. Nëse referohemi zhvillimit spektakolar në fushën e komunikimit dhe informacionit, rezulton se sot ka inflacion në këtë aspekt. Shoqëria shqiptare pas një periudhe relativisht të gjatë të totalitarizmit, ka trashëguar tipe organizimi shoqëror, ku ka dominuar modeli i shoqërive të mbyllura, që karakterizohet nga fryma e fshetësisë dhe sekretit.
Po kështu shoqëria jonë post-komuniste në stadin aktual të zhvillimit të saj nuk ka arritur ende të ketë media të shkruara dhe elektronike, të ngjashme me modelin anglo-sakson të tyre. Sipas këtij modeli, drejt të cilit kanë synuar dhe kanë hedhur hapa pozitiv mediat shqiptare, (Jo) gjithmonë promovojnë paanësinë, e angazhojnë në mision gazetarë profesionistë, që pavarësisht nga ndienjat e tyre në formulimin dhe transmetimin e lajmit, të jenë të përkushtuar për ndarjen e faktit nga opinioni personal, të jenë të paanshëm në debatin publik rreth çështjeve të ndjeshme, duke patur si detyrë themelore të informojë lexuesit, dëgjuesit dhe teleshikuesit mbi gjithçka pa mbajtur anën e askujt.
Ekskluviteti i informacionit edhe pse në tërësi konsiderohet “pronë” e instutucioneve, autoriteteve, organizmave, etj, përsëri janë mediat dhe gazetarët ata që, duhet të jenë të prirur t’i servirin opinionit publik një lajm, apo opinion, jo të rëndomtë, konsekuent, kurioz, të diskutueshëm, diçka që ka të bëjë me ndienjat. Media në thelb është një proçes prodhimi, një mjet i orientuar drejt një qëllimi të caktuar pse jo fisnik, që mundëson riprodhimin e fjalës së shkruar dhe pamjeve për një audiencë kërkesat e të cilës rriten ndjeshëm çdo ditë.
Media për nga rëndësia dhe ndikimi që ka në një shoqëri të hapur e demokratike jo më kot është quajtur edhe pushtet i katërt. Zyrtarët janë zgjedhur nga publiku për të bërë vepra të mira, ndërsa mediat investigojnë për të gjetur pikërisht ato që, publiku do deterymisht prej zyrtarëve. Mendësia censuruese e medias në vendin tonë, kryesisht asaj on-line, duke kërcënuar bllokimin pa urdhër gjykate të saj, para disa muajsh u tentua si përpjekja e radhës e brigadave të propagandës të pushtetit. Një paradoks ky, kur mbajmë parasysh se, gjenialiteti i teknologjisë, ka shkuar shumë më larg se sa mendjet e mykura nga censura. Veçanërisht për demokracitë e brishta dhe ato në zhvillim, liria e të shprehurit konsiderohet si mjeti kryesor i llogaridhënies. Zgjedhjet rregullisht mbahen një herë në katër vjet. Qeverisja bëhet çdo ditë, ç’ka do të thotë se po çdo ditë, duhet të ketë shtyp të lirë që t’i mbajë përgjegjës zyrtarët qeveritarë dhe ata publikë.
Mediat janë zhvilluar dhe janë bërë thelbësore në gjirin e shoqërive moderne, pasi përmbushin nevojat njerëzore për të marrë bashkërisht informacion e zbavitje dhe pasi përbëjnë “urën lidhëse” kulturore që bashkon persona të ndryshëm me interesa socialë, politikë dhe ekonomik të përbashkët. Por në anën tjetër megjithëse mediat e shkruara e audiovizive kanë botues e pronar , në të vërtetë ata janë pronar e botues vetem përsa i përket anës administrative, pasi lajmi e informacioni që ato percjellin tek publiku bëhet pronë e publikut porsa del nga redaksistë apo studiot e tyre. Bashkimi Europian, ku Shqipëria aspiron, mëse njëherë ka kërkuar prej kësaj të fundit, të demonstrojë se është e zotuar ndaj lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes. Kjo do të thotë të zbatojë ligjet, të përqafojë vlerat universale dhe standardet europiane të lirisë së medias.
Gazetarët duhet të kenë një kod qëndrimi të përbashkët etik, të jenë të hapur dhe transparentë ndaj çështjeve të pronësisë së medias dhe ndarjeve politike. Gazetarët nuk duhet të presin që lirinë e shprehjes t’ua japë shteti pasi ajo është thelbi i profesionit të gazetarit. Në Shqipëri media duhet të heqë dorë nga “të qenit e blerë” prej elitave politike me qëllim manipulimin e medias për ndikim politik. Bashkimi Europian ndryshe nga zgjerimet e mëparshme kur në fokus ishin çështjet e administrimit të shtypit në valën e tanishme të zgjerimit me vende potenciale për anëtarësim si Shqipëria, ka nënvizuar se shqetësim është liria e medias dhe liria e fjalës. Liria e medias dhe liria e fjalës zënë vend të rëndësishëm në kriterin politik të Kopenhagës për anëtarësim në BE dhe më pas për standardet e BE-së.
Garantimi i lirisë së shprehjes është aq fondamental për Shqipërinë për të pasur një demokraci solide dhe të drejtë, sa edhe garantimi i së drejtës për një gjykim të lirë dhe të drejtë, të drejtës së pronësisë, të drejtës për përfaqësim të lirë dhe të ndershëm. Liria e shprehjes dhe pluralizmi i medias janë në zemër të vlerave të BE-së, kështu duhet të jetë edhe për vendet kandidate si Shqipëria. Shumë nga ligjet në Shqipëri përputhen me standardet e mira evropiane, por zakonisht ajo që mungon është zbatimi. Mungojnë aftësitë strukturore për zbatimin e ligjeve të tilla, si ai për lirinë e informimit. Problemi i vërtetë është te sistemi juridik, i cili nuk është i fortë sa duhet. Praktikisht në vendin tonë, radiotelevizionet publike kanë një prirje proqeveritare dhe kjo u jep koalicioneve në fuqi një avantazh, sidomos gjatë periudhave zgjedhore.
Shpeshherë vërehen trysni editoriale nga pronarët e disa mediave. Nuk ka munguar gjithashtu dhuna, fizike ose verbale, kundër gazetarëve dhe zërave të pavarur, gjë që çon në vetëcensurë. Informacioni është pushtet. Pak njerëz mund të përballojnë jetesën, t’iu kërkojnë llogari qeverive të tyre, dhe të edukojnë fëmijët pa një rrjedhë të shëndetshme e të lirë informacioni. Qytetarët kanë nevojë për lajme të sakta, në kohë, si dhe të pavarura të cilave mund t’iu besojnë. Liria e medias i mban shoqëritë dhe ekonomitë të gjalla, energjike dhe të shëndetshme.
Kur ndërpritet rrjedha e lirë e lajmeve dhe informacionit, individët dhe shoqëritë vuajnë. Nevoja e Shqipërisë për të luftuar për një shtyp të fortë dhe të pavarur nuk është e izoluar në disa raste, nuk është vetëm qeveria që sulmon, kanos, dhe kërcënon gazetarët. Janë edhe kriminelët, kartelet e drogës, apo fraksionet politike, po kështu dhe elementët terroristë. Kur një gazetar apo media kërcënohet, sulmohet, gazetarët e mediat e tjera vetëcensurohen, e për rrjedhojë nuk raportojnë realitetin. Ndaj është domosdoshmëri që të gjithë aktorët, parlamenti shqiptar, organizatat e medias, si dhe vetë gazetarët, të ecin përpara me një përpjekje të përbashkët për të kryer ndryshimet e duhura që do të çojnë përpara lirinë e medias në Shqipëri.