Home KRYESORE Orë pas ore/ Si e ka menaxhuar Rama plasjen e bombës Tahiri...

Orë pas ore/ Si e ka menaxhuar Rama plasjen e bombës Tahiri – Habilaj

Edi Rama e ka ditur që në shkurtin e këtij viti, kur nga një zyrtar i lartë ndërkombëtar mori paralajmërimin, ose hiq Tahirin ose gishti do të drejtohet nga ty dhe ne do të godasim publikisht, se një ditë dosja e ministrit të tij të preferuar, që ai e ka mes vizatimeve që mban mbi tryezë, do të shpërthente një ditë.

Ajo ditë u bë më e afërt këtë javë kur u mor vesh arrestimi i Moisi Habilajt në Itali. Ai e ka kuptuar se bomba me efekt të vonuar ka plasur dhe se loja mes politikanëve perendimorë, që e mbështesin ende, dhe shërbimeve të huaja të sigurisë, që e shohin si shefin e një republike të narkotrafikut, po çbalancohej në favor këtyre të dytëve.

Që nga ky moment, dhe që kur u mor vesh se përgjimet e italianëve do të dilnin në shesh, kryeministri është vënë vetë në ballë të manipulimit të opinionit publik, duke i parandjerë i pari efekete që kjo bombë, më e madhe edhe se videopërgjimi i Ilir Metës, do të shkaktonte.

Objektivat e Edi Ramës kanë qenë dy. I pari të kontrollonte sa qe e mundur debatin mediatik dhe e dyta të krijonte sa më tepër të kishte mundësi distancimin e tij nga Tahiri.

Gjithçka filloi të hënënë në mbrëmje, kur në fund të programit të tij, drejtuesi i emisionit Top Story, Sokol Balla paralajmëroi se të nesërmen ai do të nxirrte dosjen me përgjimet italiane. Menjëherë njerëzit e mbetur pranë Tahirit filluan të thërrasin nëpër korridore për tradhëti. Sipas tyre, Saimiri ishte shitur nga pasardhësi i tij, Fatmir Xhafa për lllogari të Edi Ramës. Por në fakt ky ishte një reagim sa miop, po aq edhe i dëshpëruar. Rama kurrë nuk do të donte që ajo dosje të dilte në dritë. Sepse ajo denonconte pikërisht atë që ai e kishte mohuar dy vite më parë. Madje atë për të cilën ai kishte sharë makinerinë e baltës dhe mediat e kazanit, lidhjen e Tahirit me klanin e Habilajve. Rama nuk do të donte asnjëherë që për një gjë që ai kishte kontribuar që të fshehte gjurmët (kur Dritan Zagani e denoncoi këtë marrëdhënie), sot të shpërfaqej në publik.

E vërteta ishte ndryshe. Siç arriti të mësojë Lapsi.al, vërtet dosja ishte servirur në Top Story nga njerëzit pranë Ramës, por për faktin e thjeshtë se ata dinin diçka më shumë. Ata e dinin që ndërkombëtarët do t’ia jepin atë të nesërmen edhe opozitës. Dhe kështu, midis dy të këqijave, ata përzgjodhën që të ishin vetë në pararojë dhe komandë të procesit.

Por në fakt nuk u eci. Lulzim Basha e plasi dosjen e përgjimeve që në mëngjes dhe aty u mor vesh se ai që akuzohej nuk qe vetëm Tahiri që merrte para nga trafikantët, por edhe Rama, sepse siç thoshin të arrestuarit “ministrit i duheshin 20 milionë euro për fushatën elektorale”.

Kur u pa se ç’efekt pati dosja e përgjimeve italiane, ku nuk fitej vëtëm për Saimirin por për gjithë qeverisjen (jo më kot qe përzgjedhur episodi ku Habilajt mburreshin se fiknin edhe radarët e ushtrisë) Rama kaloi në versionin e dytë të planit të tij.

Për të ish ministri nuk qe më heroi i policisë që duam, por njeriu që duhej flakur për të mos e implikuar edhe atë vetë. Rama disa orë pas publikimit të dosjes, megjithëse ishte ende për vizitë në Maqedoni, bëri deklaratën e parë ku distancohej me lezet nga Tahiri dhe thoshte se PS nuk do të pengonte hapjen e rrugës për drejtësinë. Një njeri nga stafi i tij i ngushtë pohoi për Lapsi.al se me të mbërritur në Tiranë kryeministri filloi kontaktet dhe marrjen e mendimeve se si duhej vepruar me rastin Tahiri. “Ai ka pyetur mbi 15 vetë, këshilltarë, miq dhe gazetarë se si duhej të vepronte”, tregon burimi ynë.

Versionet mbizotëruese ishin dy: i pari që Rama të mos e shiste Tahirin për arsye se kjo do ta dëmtonte edhe ata vetë, edhe mbrojtjen që ai i kish bërë me pathos “policisë që duam”. Një argument tjetër që e mbështeste këtë versin ka qenë edhe ai se nga inati Tahiri mund të kundërsulmonte me ato që dinte dhe kështu rrobat e pista të shtëpisë do të laheshin në sytë e publikut.

Ndërsa këshilla e dytë që mori Rama qe që të ndiqte një ndarje të butë, mundësisht konsensuale me Tahirin. Ky të pranonte të largohej nga politika duke mos iu bërë barrë qeverisjes, me justifikimin për t’u hetuar dhe, nga ana tjetër, Rama t’a mbronte pas kuintave në aferat e tij me drejtësinë.

Pas këshillimeve të shumta Rama zgjodhi rrugën e dytë. Megjithëse e dinte se kur kishte ndjekur të njëjtën taktikë, Tahiri nuk kish pranuar të përkulej duke mos e dhenë në mars dorëheqjen si ministër, ai tentoi ta provojë.

Në këtë sfond u krye takimi i së mërkurës në mesditë. Burime të pakonfirmuara mirë, pohojnë për Lapsi.al se mes ish ministrit dhe shefit të tij nuk u arrit asnjë kompromis. Tahiri nuk e pranoi ofertën për dorëheqje. Disa njerëz pranë këtij të fundit pohuan pa dashur të identifikohen se “Tahiri u ka thënë: Unë di të mbrohem vetë, nuk pres ndihmë as nga Rama, as nga gjysma e deputetëve të PS që janë të gatshëm të më hanë të gjallë”.

Në fakt, mosarritjen e një kompromisi, e konfirmoi edhe vetë Rama në një status tjetër në Facebook për këtë çështje. Ai e konsideroi Tahirin “një dru të shtrëmbër” mes socialistëve dhe u mundua menjëherë të bëj diferencën mes Rilindjes dhe kundërshtarëve politikë. “Unë nuk djeg vendin për të mos dorëzuar njerëzit e mij tek drejtësia, siç bëri Berisha me fëmijët e tij”, qe mesazhi i Ramës.

Këtu në fakt filloi edhe faza e tretë, ajo e provokimit të diferencës me Berishën për të tulatur sadopak efektin shkatërrues të skandalit Tahiri.

Pas dështimit të mirkuptimit me ish ministrin, Rama ishte i ndërgjegjshëm që prokuroria do fillonte punën e saj, siç bëri këtë të enjte me kërkesën për arrestim. Prandaj makineria e propagandës së Ramës u vu sërish në punë.

Pikërisht kur dukej sikur ngjarja e Elbasanit ishte harruar, menjëherë u shpik shkarkimi i gjithë zinxhirit drejtues të kësaj drejtorie policie. Po në të njëjtën kohë, drejtuesit e uniformave blu, që kanë kohë që ia fusin me gjumë, organizuan edhe një aksion të dytë. Sekuestrimin e drogës së Habilajve në Vlorë.

Përpos showt që duhet të fashiste sadopak përmasat e përgjimit të Tahirit dhe kërkesën për arrestimin e tij, këto aksione shërbyen edhe për një gjë tjetër. Që Edi Rama të shkruante statusin e radhës për këtë çështje.

Në pamundësi që t’i përgjigjej “makinerisë së baltës” së opozitës dhe “mediave të kazanit”, që pasi kishin denoncuar lidhjen e Tahirit me Habilajt tani po ngrinin dorën mbi të, Rama shkroi se këto ndryshime në polici ishin përgjigjja më e mirë. “Përshëndes shkarkimin e gjithë zinxhirit të komandës policore në Elbasan???? Kush është përzier me çorbën e krimit, po edhe kush s’ka kurajo të përballet sy për sy e dhëmb për dhëmb me të, s’ka vend nën uniformën e dëshmorëve të Policisë së Shteti”, shkroi ai duke lëshuar kushtrimin: “të harrojnë se do të na ndalin”.

Në fakt kështu kishte deklarauar Edi Rama edhe në 16 shtator 2015 pas plasjes së skandalit të lidhjeve të Tahirit me Habilajt. Atëherë ai mohoi çdo akuzë, kryqëzoi atë që dha dëshminë që sot po rezulton e vërtetë, e quajti njeri të trafikantëve dhe lartësoi Tahirin dhe policinë e tij. Pikërisht kjo e shkuar e errët po e ndjek edhe sot. Edi Rama e di se nuk ndahet dot nga fantazma e ish ministrit të tij. Mesazhi i koduar i këtij të fundit “s’keni parë gjë akoma” flet shumë edhe për kryeministrin. Përgjimet për paratë e fushatës, pohimet se Habilajt kontrollonin edhe radarët e ushtrisë e çon gjithçka më larg se Tahiri. Prandaj Rama po përpërlitet të shpëtojë ç’është e mundur.© Lapsi.al

Share: