Home KRYESORE Për fëmijët që masakrojnë kafshët! Nga Lediona Braho

Për fëmijët që masakrojnë kafshët! Nga Lediona Braho

“Djelmoshat i gjuajnë bretkosat me gurë për gallatë, por ato nuk ngordhin duke qeshur, por (ngordhin) në të vërtetë”. Këtë e ka thënë një filozof grek, por tingëllon kaq aktuale edhe sot. Sidomos për të gjithë ne, që ditët e fundit, jemi bërë dëshmitarë të një skene mizore dhune që një fëmijë 15-vjeçar ka ushtruar ndaj një qeni të pambrojtur. Besoj të gjithë e keni parë djalin duke e goditur qenin me sëpatë, derisa e ngordhi.

Të gjithë reaguan pas publikimit të videos, në heshtje apo me zë, përballë aktit mizor të dhunës së njeriut ndaj një kafshe. Kulmi i reagimit qytetar ishte nënshkrimi i një peticioni, për t’ia dërguar parlamentit që ai të miratojë një ligj për dënimin e abuzuesve me kafshët. Të tjerë reaguan duke sulmuar djalin për aktin e pamëshirshëm e bashkë me sulmin ndaj djalit, akuzuan familjen, shkollën dhe gjithë shoqërinë.

Në fakt, askush nuk mund të qëndrojë shpërfillës ndaj kësaj ngjarjeje. Dhe ka shumë arsye për të reaguar. As unë nuk mund të rrija dhe të bëja sehir dhe arsyeja ime është e thjeshtë: një njeri që abuzon me një kafshë sot mund të jetë rrezik për njerëzit nesër! Këtë nuk e them vetëm unë, por shumë studime të kryera gjatë dekadave të fundit: Abuzimi me kafshët mund të jetë fillimi i një historie kriminale. Abuzimi me kafshët sot mund të bëhet nesër abuzim në familje, apo edhe më keq: një histori vrasjesh seriale, përdhunimesh dhe zjarrvënieje.

Në rrëfimet e vrasësve serialë, gjejmë gjurmë të abuzimit me kafshë. Për shembull, vrasësi serial Xhefri Dahmer, kur ishte i vogël, ua shponte kokat me drunj maceve dhe qenve. Ndërsa Ted Bandi kishte parë gjyshin e tij duke torturuar kafshë. Për fatin tonë të keq, mizoria ndaj kafshëve konsiderohet një “prapësi” që bëhet kryesisht nga djemtë. Shumë djem, i testojnë kufijtë e tyre duke i tërhequr kafshët nga bishti ose duke i tallur.

Në fakt, abuzimi ndaj kafshëve nuk është thjesht një çapkënllëk, por shumë më tepër. Ai mund të zbulojë një mendje kriminale. Që në vitin 1986, një studim gjeti se gjysma e përdhunuesve dhe një e treta e abuzuesve me fëmijë kishin abuzuar me kafshë në fëmijëri ose adoleshencë. Në vitin 2001, Departamenti Amerikan i Shtetit, rishikoi të dhënat dhe përcaktoi se afro dy e treta e të burgosurve që kishin kryer akte agresioni kishin abuzuar me kafshë.

Sigurisht, jo çdo fëmijë që abuzon një herë të vetme me një kafshë do të bëhet kriminel në të ardhmen. Mirëpo, abuzimi serioz me kafshët nga një fëmijë nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë “normal”. Abuzimi me kafshët është një flamur i kuq për ne. Një fëmijë që abuzon me kafshët dërgon sinjale paralajmërimi që tregojnë se po rrezikohet jeta e të tjerëve, por edhe jeta e tij. Një fëmijë që nuk ka mëshirë përballë dhimbjes që po i shkakton një kafshe, është një fëmijë për të cilin duhet të shqetësohemi dhe të veprojmë.

Studimet thonë se fëmijët që abuzojnë me kafshët, janë të ekspozuar ndaj dhunës në familje. Këta fëmijë mund të imitojnë skena të dhunës që shohin në shtëpi. Ata bëhen pjesë e një rrethi vicioz dhune ku dhuna sjell dhunë dhe mekanizmi i dhunës nuk ndalet asnjëherë. Po përse me kafshët? Sepse mbi to mund të ushtrohet kontroll më lehtë. Ushtrimi i kontrollit brutal mbi të pambrojturit është një tregues i frikshëm i një modeli kërkimi të dhunës mbi të tjerët.

Mizoria ndaj kafshëve mund të jetë simptomë e një çrregullimi. Ajo është një nga kriteret për të diagnostikuar “çrregullimin e sjelljes” në fëmijëri. Po ashtu, një histori mizorie ndaj kafshëve është parë në mënyrë të vazhdueshme te personat me simptoma të çrregullimit të personalitetit antisocial ose me diagnozë të këtij çrregullimi, si dhe abuzimit me substanca në moshë të rritur.

Çfarë mund të bëjmë për këta fëmijë të shqetësuar, para se prirjet e tyre të dhunshme të përshkallëzohen në moshë të rritur?

Lajmi i mirë është se ne mund të bëjmë ndërhyrje dhe t’i ndihmojmë këta fëmijë dhe familjet e tyre. Shpesh fëmijët e kanë më të lehtë të tregojnë çfarë i ndodh qenit sesa p.sh., nënës së tyre në shtëpi. Mund të jetë e vështirë të identifikohen, por rasti i 15-vjeçarit është një rast i identifikuar tashmë, i cili duhet adresuar siç duhet. Çdo fëmije duhet t’i mësohet që herët empatia dhe mëshira për të gjitha qeniet. Në familje, në shkollë dhe kudo. Por nëse ky mësim nuk është bërë në kohën e duhur, duhet të ofrojmë ndihmë psikologjike që fëmija të mësojë aftësitë që i mungojnë për të funksionuar normalisht. Nuk është zgjidhje stigmatizimi dhe veçimi i atij fëmije nga njerëzit e tjerë. Zgjidhje është dhënia e ndihmës së duhur, në kohën e duhur. Duke e ndihmuar atë, ne frenojmë shanset që ai, kur të rritet, të bëhet një abuzues ose vrasës. Dhe ne duhet ta bëjmë këtë gjë në mënyrë urgjente. Ndërprerja e rrethit vicioz të dhunës fillon nga fëmijët.

Share: