Ish-drejtori i Aeroportit në Kukës, Agron Xhafa ka kallëzuar në Prokurori prokuroren e qytetit verilindor, Rita Gjati dhe oficerin e Policisë Gjyqësore, Bledar Xhoxha për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre. Në kallëzimin e datës 14 shtator, që i është drejtuar kreut Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe që i ka shkuar për dijeni edhe Presidentit Ilir Meta, ish drejtori i Aeroportit tregon se si prokurorja dhe oficeri falsifikuan një document kur e dërguan dosjen e tij në gjykatë. Sipas dosjes që ka shkuar në Gjykatë, prokurorja Gjati shkruan se Xhafa është pyetur për rastin për të cilin akuzohet dhe në fund nuk ka pranuar të firmosë, ndërkohë që vetë ish drejtori shprehet se ditën që duhej të pyetej, ai ishte shtruar në spital. “…Pas kësaj në nr. tim 0694130361 jam telefonuar nga Prokurorja zj. Rita Gjati, ku në pamundësi të përgjigjes nga ana ime, telefonin e ka hapur zj. Ilirjana, të cilës i thotë, – “…për kokë të dy fëmijëve do të vij vetë në Tiranë dhe të arrestoj z. Agron Xhafa…”. Bashkëjetuesja ime i është përgjigjur se “Agroni ndodhet në spital i sëmurë dhe ju zbatoni ligjin dhe vetëm ligjin..””, thuhet në kallëzimin e Xhafës./gazetadita.al
|