Ato që u quajtën “bomba” dhe “silure” të ambasadorit amerikan për klanet mafioze dhe familjet kriminale që sundojnë Shqipërinë, ndryshe nga herët e tjerë, nuk do të mbeten veç deklarata mediatike. Në nëntor të këtij viti, pritet që në vendin tonë të mbërrijnë agjentë amerikanë që do të asistojnë policinë e shtetit dhe Shërbimin Informativ për luftën kundër krimit të organizuar.
Lajmin e dha Edi Rama në parlament.
“Kemi 3 muaj që bashkëpunojmë për domosdoshmërinë e goditjes së rrjeteve kriminale. Kur them do të bashkëpunojmë, do bashkëpunojmë në planin e burimeve njerëzore, që brenda muajit nëntor do vijnë këtu agjentë të specializuar që do të bashkëpunojnë ngushtësisht me Ministrin e Brendshëm, dhe me policinë dhe me Shërbimin Informativ dhe agjensitë e tjera” u shpreh Edi Rama.
Një pikë ku të gjithë bien dakort është bashkëpunimi i politikanëve me kriminelët. Dilema qëndron tek fakti se është politika që kontrollon krimin, apo krimi që kontrollon politikën?
Në mesin e këtyre diskutimeve, Edi Rama, politikan prej 19 vjetësh tashmë, e pozicionon veten në anën e kundërshtarëve të krimit.
Duke folur në parlament për agjentët amerikanë që do të vijnë në Shqipëri, ai e quajti këtë lëvizje të ambasadës, pjesë e të njëjtës përpjekje me qeverinë.
“Për këtë, i kam kërkuar bashkëpunim atij, bashkëpunimin e opozitës për të mos u bërë një luftë siç doni ju. “Ambasadori amerikan doli kundër qeverisë” dhe tani oburra ju vutë ambasadorin amerikan përpara. Si nuk ju vjen zor, nuk latë gjë pa i thënë atij kur ishte puna për reformën në drejtësi. Mirë shqiptarët i merrni lehtë, po si nuk e mësuat si funksionon bota.
Na jeni bërë të gjithë si komisarët e filmave italiane. Komplet qesharakë. Kshu që edhe deklaratat e ambasadorit amerikan, edhe të tjera deklarata më parë dhe më pas, janë pjesë e të njëjtës përpjekje, nuk janë ashtu siç i pikturoni ju.
Dhe jeni ju, që po hoqët krimin nga fjalori nuk dini çfarë të thoni. Ja provojeni të bëni një fjalim pa fjalën krim, drogë, mafie, kriminel dhe pa fjalën Elvis Rrosh. Provojeni, një fjalim pa këto dhe hajdeni ma tregoni, shumë shumë mund të flisni tre minuta. Na morët në qafë dhe ata shokët tanë atje. (për LSI)” tha kryeministri./LAPSI.AL