Shërbimet britanike të inteligjencës po përballen me një sfidë intensive nga terrorrizmi. Kështu deklaroi shefi i “MI5”, Andrew Parker, i cili tha se aktualisht ka më shumë aktivitete terroriste që po i drejtohen Britanisë, aktivitet më i shpejtë dhe më i vështirë për t’u diktuar.
Britania e Madhe ka pësuar 5 sulme terroriste këtë vit, e sipas Parker, stafi i “MI5” është prekur thellësisht nga ato.
“Është e qartë që po përballemi me një kërcënim terrorist intensiv në Britani, nga ekstremistët islamikë. Kërcënimi është shumëpërmasor dhe vjen me një ritëm e shkallë që nuk e kemi parë më herët. Është në nivelin më të lartë që unë kam parë në karrierën time 34-vjeçare. Por, po kështu është edhe reagimi ynë”, tha Andrew Parker, shef i “MI5”.
Parker tha se 20 sulme terroriste janë ndalur gjatë 4 viteve të fundit, përfshirë 7 në 7 muajt e fundit.
Parker preku edhe temën e teknologjisë, e cila – siç tha, – nuk është armiku, por kompanitë kanë përgjegjësinë që të përballen me efekte anësore të zonave të errëta që krijojnë produktet e tyre. Në veçanti, ai foli për blerjen e mallrave në internet, si kimikatet, si dhe praninë e përmbajtjeve ekstremiste në mediet siociale dhe komunikimet e koduara. /360grade.al