Në mbarë botën, 80 për qind të të ardhurave tatimore nga TVSH – ja, i paguajnë 4 për qind e totalit të tatimpaguesve.
Ky fakt ka sjellë si domosdoshmëri gjetjen e mënyrës më të mirë për t’u “marrë me “rebelët” e sistemit të biznesit të vogël, veçanërisht në vende të tilla me ekonomi të fragmentuar, sektor informal të konsiderueshëm, kulturë tatimore pa ndonjë trashëgimi dhe me marrëdhënie të ndërsjella mosbesimi ndërmjet administratës tatimore dhe tatimpaguesve.
Bizneset e vegjël janë kontribues madhorë për ekonominë informale që operon jashtë rrjetit tatimor. Ky nuk është një antagonizëm, për arsye se ndërmarrjet mikro dhe të vogla përbëjnë segmentin e biznesit që rritet në mënyrën më të shpejtë.
Një numër shumë i madh i ndërmarrjeve mikro dhe të vogla regjistrohen në mënyrë vullnetare, ose me masa shtrënguese si tatimpagues.
Kostot e larta, proçedurat e vështira të formalizimit, ose parashikimi i fitimit të avantazhit krahasues nga mospërmbushja e kërkesave të legjislacionit tatimor i udhëheqin shumë biznese mikro dhe/ose të vegjël të operojnë në ekonominë informale.
Në këtë kuptim bizneset mikro dhe/ose të vegjël operojnë ose jashtë sistemit të administrimit tatimor, ose ia fshehin një pjesë të ndërveprimeve/transaksioneve të biznesit të tyre administratës tatimore.
Risku i zbulimit të praktikave të tilla të evazionit deri tani ka qenë modest si rezultat i një administrate tatimore me kapacitet të dobët, i masave shtrënguese pa efektivitet dhe një niveli të lartë të korrupsionit.
Kësisoj, një sistem tatimor i komplikuar dhe një administratë tatimore arbitrare janë ndër arsyet kryesore që bizneset makro dhe/ose të vegjël operojnë në ekonominë informale.
Kostot e përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor, në mënyrë thelbësore, shtojnë kostot e përgjithshme të formalizimit të një biznesi mikro dhe/ose të vogël.
Firmat operojnë në sektorin informal i shmangen detyrimit për TVSH në shitjet e tyre, për arsye se ato nuk janë në gjendje të kreditojnë TVSH – në e paguar në blerjet që bëjnë.
Prandaj, zakonisht, operimi i një tatimi indirekt/konsumi në mënyrë joefiçente konsiderohet një mënyrë që vendos një barre të papërshtatshme tatimore mbi bizneset në sektorin informal.
Niveli i një barre të tillë indirekte tatimore varet nga shkalla që mbështeten bizneset informale në blerjet e mallrave dhe shërbimeve nga furnizuesit e regjistruar për qëllime të TVSH – së.
Në këtë mënyrë, ndërmarrjet mikro dhe/ose të vegjël me marrëdhënie thelbësore biznesi me ndërmarrjet e sektorit formal fitojnë përparësi madhore nga regjistrimi për qëllime të TVSH – së, për shkak të TVSH – së së paguar në blerje.
Mundësitë e biznesit mikro dhe/ose të vëgjël zvogëlohen automatikisht si rezultat i mosregjistrimit për qëllime të TVSH.
Konsumatorë potencialë të mallrave dhe shërbimeve të ofruara nga bizneset mikro dhe/ose të vegjël mund të jenë hezitues për t’u marrë me bizneset që operojnë në sektorin informal, pasi ato nuk mund të paraqisin një faturë tatimore me TVSH.
Një fakt mjaft domethënës: që në vitin 2006 biznesi i madh (më saktë importuesit dhe prodhuesit e mëdhenj) ngriti me forcë shqetësimin se bizneset mikro dhe/ose të vegjël nuk pranonin furnizime/blerje me faturë për arsye se administrata tatimore i regjistronte nga zyra për qëllime të TVSH – së.
Për një klient të regjistruar për qëllime të TVSH – së, mundësia për të blerë mallra dhe shërbime pa TVSH nuk është tërheqëse, pasi mund të ekspozohet kundrejt administratës tatimore, e cila mund ta ndëshkojë për mbështetjen e bizneseve të paligjshëm.
Të tatuarit është gjithnjë politik. Reforma tatimore aspiron të promovojë rëndësi më të madhe politike të të tatuarit si një prej blloqeve bazë ndërtuese për një shtet efektiv në të cilin varet zvogëlimi i varfërisë.
Zgjerimi i rrjetit tatimor shkakton një cikël vituoz të të tatuarit dhe të përgjegjshmërisë që është në zemër të konsolidimit të shtetit efektiv dhe demokratik për arsye se është e vështirë të rritësh tatimet efektivisht ose në mënyrë efiçente pa “bërë pazar” me tatimpaguesit.
Historikisht ky pazarllëk ndërmjet ligjvënësve dhe tatimpaguesve rriti kapacitetin e shtetit për të mbledhur dhe administruar tatimet, si dhe përgjegjshmërinë e tij për qytetarët tatimpagues.
Qeveritë që kërkojnë të gjejnë nxitës për të promovuar lulëzim më të madh ekonomik kanë treguar se negociimi me tatimpaguesit të çon në një politikë publike më të mirë.
Përvoja më e mirë botërore ka treguar se zgjerimi i suksesshëm i rrjetit tatimor nëpërmjet regjimeve tatimore më të mira për ndërmarrjet mikro dhe/ose të vegjël ka pasur një ndikim pozitiv mbi përgjegjshmërinë e qeverisë, që nga koha që “kultura e përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor” është varur nga “morali tatimor” i vednit, ose shkalla në të cilën, qytetarët si tatimpagues, i besojnë qeverisë.
Reforma e politikës tatimore me objektivin për krijimin e një mjedisi tatimor të favorshëm për rritjen e ndërmarrjeve mikro dhe/ose të vegjël nevojitet t’i kushtojë një vemendje të veçantë hartimit të ligjit të TVSH – së.
Prirja e një numri të konsiderueshëm të tatimpaguesve të bizneseve mikro dhe/ose të vegjël, me një qarkullim ekonomik më të madh se 8 milion lekë/vit për t’u fshehur ndën pragun tatimor të trajtimit të tyre me TVSH, nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë, thjesht, problem i kohëve të fundit.
Që prej 1 Korrikut të vitit 1996 (kur filloi zbatimi i ligjit për TVSH), dhe deri në ditët e sotme nga administrata tatimore, me fakte të pakundërshtueshme, është vërtetuar prirja e bizneseve mikro dhe/ose të vegjël për t’u trajtuar dhe për të paguar TVSH.
Duke marrë në konsideratë atë çka na ofron shkenca e psikologjisë dhe shkenca ekonomike e sjelljes, duhet kuptuar se nuk mjafton perqendrimi vetëm mbi një analizë të thjeshtë për të hartuar një sistem të suksesshëm të TVSH – së.
Megjithëatë, edhe pse ka një gjobë/ndëshkim për moslëshimin/pranimin e faturës tatimore me TVSH, tatimpaguesit e biznesit mikro dhe/ose të vogël nuk janë frenuar në shitjen e mallrave dhe shërbimeve pa faturë me TVSH, sepse kanë vërtetuar se mundësia për t’u kapur nga organet tatimore është i vogël.
Megjithëatë, ndryshimi i pragut tatimor për TVSH, kërkon ndryshimin e normës shoqërore të tatimpaguesve të bizneseve mikro dhe/ose të vegjël, duke i inkurajuar tatimpaguesit të frenohen nga moslëshimi/mospranimi i faturës tatimore me fushata të përgatitura mirë, sepse pas këtij ndryshimi do të kishte nevojë për më pak masa shtrënguese.
Në qoftë se sjellja e tatimpaguesve të TVSH – së luan një rol të rëndësishëm, kjo mund të fuqizohet më tej, duke konsideruar të dobishëm kombinimin e ekspertizës, lidhjeve dhe fuqinë bindëse të tatimpaguesve të TVSH – së për të ndryshuar më gjërë sjelljen e tatimpaguesve të biznesit të vogël që, prej vitesh, fshehur ndën pragun tatimor të qarkullimit 8 dhe 5 milion lekë/vit.
Kur tatimpaguesit e biznesit mikro dhe/ose të vogël bëjnë diçka jashtë zakonit, ata bëjnë pak ose aspak përpjekje për të njohur rregullat e TVSH – së.
Pjesa më e madhe e tyre nuk shpenzon një kohë të gjatë për të menduar mirë se çfarë do të ndodhë në rast se do të kapen nga organet tatimore për shkelje të ligjit, sepse nuk i lejon rutina ditore, që dëshmon se te ata zakoni i moslëshimit/mospranimit të faturës fiskale është i rrënjosur thellë.
Madje edhe kur tatimpaguesit e biznesit mikro dhe/ose të vogël mendojnë në mënyrë të ndërgjegjshme mbi atë çfarë bëjnë duke mos lëshuar/pranuar faturë tatimore, do të ishte e vështirë të ndërrohej sjellja e tyre.
Merret me mend se tatimpaguesit me parapëlqimet e tyre të veçanta të caktuara, veprojnë në mënyrë të arsyeshme për të maksimizuar dobinë e tyre (dobia gjërësisht nënkupton lumturinë dhe kënaqësinë që u sjellin atyre fitimet qoftë edhe në mënyrë të paligjshme, sepse TVSH – ja e paguar nga konsumatori, ose përdoruesi fundor i mallit/shërbimit duhet të shkojë në buxhetin e shtetit dhe jo në xhepin e atij që luan rolin e agjentit për mbledhjen e TVSH në burim = shitje).
Por duke bërë diçka jashtë zakonit të lëshimit/pranimit të faturës tatimore, kur shesin mallra dhe/ose shërbime është e pamundur të mendohet se ata do të bënin analizën e plotë të të gjitha opsioneve të ndryshëm që kanë në dispozicion në lidhje me lëshimin e faturës tatimore.
Rregullat e TVSH – së mund t’i ndihmojnë tatimpaguesit e biznesit të vogël të ndryshojnë sjelljen e tyre të deritanishme me qëllim që lëshimi/pranimi i faturave tatimore t’u bëhet zakon.
Por në synimin për të ndryshuar sjelljen e tatimpaguesve të biznesit të vogël, në mënyrë të veçantë, duhet të konsiderohet roli që luajnë zakonet e tyre, duke shtruar pyetjet:
A ka ndonjë zakon që ka të ngjarë të jetë pengesë për ndryshimin e sjelljes dhe në qoftë kështu sa i fortë ka të ngjarë të jetë ai dhe si mund të ndryshohet një zakon i tillë i sjelljes në vetëdijen e tatimpaguesve të ndërgjegjshëm të biznesit të vogël?
Çfarë nxitësish, financiarë dhe jofinanciarë, mund t’u jepen atyre për t’i ndihmuar që ata të ndryshojnë sjelljen e tyre dhe çfarë informacioni mbështetës mund dhe duhet t’u jepet për t’i ndihmuar që të riforcojnë sjelljen e re dhe për ta çimentuar atë në një zakon të ri?
A mund të përgatitet dhe t’u jepet në kohën e duhur ky informacion që ata të veprojnë për të maksimizuar efektin e të mësuarit?
Një analizë e thellë në lidhje me zbatimin e TVSH – së për një shtresë të caktuar të tatimpaguesve të biznesit të vogël, si ajo që fshihet ndën pragun e një qarkullimi ekonomik të mallrave dhe/ose shërbimeve prej 8, ose 5 milion lekë/vit do të duhej të parashikonte kostot/përfitimet, për t’i inkurajuar këta tatimpagues, si dhe gjobat/ndëshkimet që do të duheshin për t’i shkurajuar ata.
Duhet të parashikohen gjithashtu rrethanat në të cilat do të veprojnë zyrtarët tatimorë në lidhje me lëshimin/moslëshimin e faturës tatimore me TVSH.
Më tej, fakti që zyrtarët tatimorë do të jenë të gatshëm të ndëshkojnë shkeljet e ligjit nga tatimpaguesit, me një kosto të konsiderueshme për veten e tyre, pa ndonjë përfitim të dukshëm financiar vetiak, nuk mund të shpjegohet nga një analizë e thjeshtë.
Analistët tatimorë pranojnë se tatimpaguesit e TVSH – së në veprimtarinë e tyre ekonomike motivohen se brendshmi dhe nga jashtë, veçanërisht, për arsye financiare, por ka gjasa që motivimi nga jashtë për arsye financiare t’ia “zerë vendin” motivimit të natyrshëm për të zbatuar ligjin në përfitim të një të mire publike, që nënkupton se shpërblimi financiar, mund të zvogëlojë motivimin e natyrshëm dhe, në këtë mënyrë, politika tatimore e adoptuar për trajtimin e tatimpaguesve të biznesit të vogël që meriton të trajtohet me TVSH, të mund të rezultojë me efekt të kundërt dhe jo si një mjet motivues.
Vendim – marrësit politikë duhet të konsiderojnë si e perceptojnë tatimpaguesit sjelljen që ata po përpiqen t’ua ndryshojnë (në rastin konkret trajtimin e një shtrese të caktuar të tatimpaguesve të biznesit të vogël me TVSH), sepse në qoftë se do të jetë i gabuar një trajtim i tillë do të rezultonte me efekte të kundërta: në vendosjen e gjobave dhe kreditimin e TVSH – së.
Prandaj duhet të konsiderohet me kujdes edhe madhësia e çdo antinxitësi, pa harruar proçedurat e apelimit dhe, veçanërisht, kujdesin që tatimpaguesit të mos e shohin këtë politikë tatimore si të pandershme edhe pse kjo politikë është me një përfitimin të përgjithshëm.
Vetë administrata tatimore duhet të krijojë besimin e duhur te shtresa e tatimpaguesve të biznesit të vogël që trajtohen me TVSH, pasi një gjë e tillë do të ketë ndikim mbi zbatimin e ligjit për TVSH në të ardhmen.
European Investment Bank në studimin Albania – Assesment of financing need of SME’s in the Western Countries pika 3.4.5 Pagimi i tatimeve (6 gusht 20160 thotë:
“Shqipëria regjistron pak pikë në pagimin e tatimeve. Si mesatare firmat bëjnë 34 pagesa tatimesh në një vit, krahasuar me 19,2 në Europë dhe Azinë Qendrore dhe 11.1 në OECD (vendet me tëardhura të larta). Firmat shqiptare shpenzojnë gjithashtu, në mënyrë të konsiderueshme më shumë kohë për të përgatitur dhe dokumentet tatimore dhe për të paguar tatimet. Megjithëse pagimi i tatimeve u bë më i lehtë me përgatitjen elektronike të dokumenteve tatimorë dhe duke lejuar që tatimi mbi të ardhurat (tatimi i fitimit K.S.) të paguhet për çdo tremujor, përqindja totale tatimore është rritur. Në vitn 2014, qeveria rriti përqindjen e tatimit mbi të ardhurat nga 10 deri në 15 për qind për firmat e mesme dhe të mëdha dhe zvogëloi përqindjen tatimore nga 10 në 7,5 për qind për firmat me qarkullim vjetor më pak se 80 000 USD.”.
Ja çfarë tregon një studim i FMN – së:
Madhësia Përpjestimi i tatimpaguesve Përpjestimi i kontributit të
e tatimpaguesit të regjistruar të ardhurave
________________________________________________________________________
Tatimpagues të
mëdhenj > 1 për qind 70 + për qind
Tatimpagues të
mesëm 5 – 25 për qind 10 – 25 për qind
Tatimpagues të
vegjël 70 – 95 për qind 0 – 10 për qind
________________________________________________________________________
Burimi: FMN
“I lirë në miell, I shtrenjtë në krunde.”?!
Kasem Seferi – ekonomist