Home KRYESORE Ahmetaj ambasadorëve: Për 4 vjet nuk keni sjellë asnjë investitor të huaj

Ahmetaj ambasadorëve: Për 4 vjet nuk keni sjellë asnjë investitor të huaj

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, u kërkoi ambasadorëve tanë nëpër botë që të kërkojnë investitorë strategjikë, të cilët do të zëvendësojnë të ardhurat që sjellin sot dy të tillë që operojnë në vendin tonë.

Ahmetaj tha se është i rëndësishëm kalimi në një fazë të re të diplomacisë ekonomike, e cila lidhet me promovimin e Shqipërisë për përfitimin e sa më shumë investitorëve të huaj.

Sipas tij, statistikat tregojnë se investimet e huaja kanë kapur vlerën e 1.1 miliardë eurove. Gjatë fjalës së tij në konferencën vjetore të ambasadorëve, Ahmetaj tha se Shqipëria do të ketë 200 milionë euro minus nëse nuk do të ketë investime të huaja për të zëvendësuar investimet e TAP dhe atë të kaskadës së Devollit.

“Është TAP-i dhe Devolli që kanë ndikuar në rritjen e numrit në 1.1 miliardë. Sfida është që kur këto investime të mëdha kanë fazën e tyre të mbarimit të investimit dhe të kalimit, më pas, në operim, me çfarë do të zëvendësohen. Dhe kini parasysh se, nëse nuk do të bëjmë asgjë në gjetjen e investitorëve, qoftë të vegjël e qoftë strategjikë, atëherë në vitet 2019-2020- 2021, do të kemi një Gap prej 200 milionë dollarë nëse këto investime nuk zëvendësohen me të reja.”

Ministri i Financave nuk ka kursyer kritika për ambasadorët pasi sipas tij, ata nuk kanë mundur të sjellin asnjë investim të huaj në Shqipëri në katër vitet që shkuan.

“Unë nuk kam marrë asnjë telefonatë nga ju, si grup, për të më provokuar të pres një investitor të mundshëm në zonat ekonomike. Fatkeqësisht, asnjë nga ju nuk më ka bezdisur. Fokusohuni për investitorë të rëndësishëm në fushën e turizmit tani që me paketën e re fiskale, ne heqim taksat për hotelet dhe resortet me 5 yje. Gjithashtu, kërkohen investitorë të mëdhenj për zonën ekonomike të Spitallës, ku do të ketë lehtësira fiskale”, është shprehur ministri i Financave dhe Ekonomisë.

Share: