Home KRYESORE Çfarë kërkojnë himarjotët dhe ç’fsheh Kryeministri

Çfarë kërkojnë himarjotët dhe ç’fsheh Kryeministri

Nga NADA MEÇORAPAJ*

Si deputete, dhe sidomos si qytetare e Vlorës, si një grua me lidhje gjaku, fisi e shpirti me këtë zonë, ku përfshihet edhe Himara, pres një gjë nga zoti Rama të flasë për Himarën si Kryeministër i Shqipërisë dhe jo si estet, jo si biznesmen, jo si arkitekt dhe, sidomos, jo si artisti që është bërë Kryeministër “për të ndryshuar botën”. Ai zgjedh këtë gjuhë dhe këtë aksion, në vend të fjalorit dhe veprimit të një Kryeministri, që e ka për detyrë të qeverisë vendin, dhe jo territoret e imagjinatës apo interesave të veta.

Gjuha dhe aksioni i tij të çojnë te dyshimi se ai ka interesa në Himarë. Nuk është aspak çështje patriotizmi. Interesi i tij i parë është politik. Me zhurmën e Himarës, ai do të mbulojë llumin, zullumin dhe turpin e Tiranës dhe të Vlorës. Të tahirajve, habilajve e bilbilëve të tjerë. Ai do të mbulojë faktin se nuk ka pasur dëgjesa me himarjotët për planin e tij rregullues arbitrar, ata që janë drejtpërdrejt të prekur nga ky rregullim. Ai do të mbulojë faktin se, plani, i ashtuquajtur i rikualifikimit urban të Himarës, ka mangësi të theksuara ligjore, raportuar kjo edhe nga ekspertët e Avokatit të Popullit.

Ai do të mbulojë faktin se dërgon në Himarë, piratshe, në mes të natës dhe ua shemb me ruspa pronat dhe shtëpitë njerëzve të thjeshtë të zonës. Për të ngritur në vend të tyre, komplekse të miqve të vet, të interesave të biznesit dhe politikës. Ai do të mbulojë hilen dhe mashtrimin, që ministrat e tij, Gjiknuri dhe Kumbaro, u kanë bërë banorëve të zonës. Duke iu thënë se ne do t’jua shembim shtëpitë, por do t’ju zhdëmtojmë për shtëpitë. Ky është një mashtrim i ulët qeveritar. Për një fakt të thjeshtë.

Himarjotët, për shkak të problemeve të pronësisë, nuk kanë dokumente pronësie dhe nuk do të marrin kurrë dëmshpërblime për gjënë dhe mallin e tyre, pa pasur më parë tapitë në dorë. Ai do të mbulojë faktin themelor të protestës së himarjotëve. Ata kërkojnë titujt e pronësisë, që të mund të negociojnë me qeverinë apo privatin si të barabartë para ligjit. Këto janë arsyet se pse Himara vlon dhe ka për të vluar, derisa të marrë hakun e vet dhe jo ato që thotë Kryeministri.

Por, jemi të mësuar me këtë refren mohimi. Dikush që thotë prej katër vjetësh se ekziston Lazarati, por jo hashashi, nuk e ka problem të thotë se ekziston plani i tij rregullues, por jo padrejtësia që po i bën Himarës. Sa për patriotizmin që ai e paska dhe ne e kemi humbur, ta gëzojë. Sot, gara dhe argumenti i opozitës është Drejtësi për himarjotët dhe shqiptarët. Patriotizmi mbështetet te drejtësia. Të tjerat janë përralla me mbret.

*Deputete e Partisë Demokratike për qarkun e Vlorës./Panorama.al

Share: