Një familje shqiptare prek zemrat e berlinezëve. Familja e Xhezo Ajazajt ndodhej para dëbimit, por reagimet bën që senatori i Berlinit të ndryshojë mendje. Rreziku nuk ka kaluar, por të paktën rasti do të rishqyrtohet.
Megjithëse shpesh në politikën gjermane dëgjohet refreni se kush është integruar e ka punë të sigurtë mund të jetojë në Gjermani, realiteti për emigrantët është më i vështirë. Sidomos të ardhurit nga Ballkani kthehen nuk kanë asnjë shans për njohjen e azilit. Shqipëria e Kosova janë vende të sigurta origjine. Shpresa e vetme për të ardhur në Gjermani mbetet ardhja me një vizë pune. Xhezo Ajazaj e ka këtë punë ndërkohë, familja është integruar në jetën gjermane, ndërkohë në Berlin ka lindur edhe vajza e tretë e Xhezo Ajazajt. „Vajzat flasin më mirë gjermanisht se shqip”, ka rrëfyer ai për mediat gjermane.
„Pllakashtruesi më i mirë”
Para gati tre viteve 31 vjeçari erdhi në Gjermani bashkë me familjen e tij. Tani ai punon me kontratë të plotë tek një firmë gjermane si pllakashtrues . E la Shqipërinë, „se nuk kishim asgjë”, është shprehur 31 vjeçari për Berliner Zeitung që kërkoi një jetë më të mirë në Gjermani. Shansi i tij me sa duket erdhi edhe për shkak të punës së palodhshme të Xhezo Ajazajt, i cili arriti të kishte një punë me kontratë të pakufizuar. Drejtuesi i firmës së ndërtimit ku punon ai, Martin Habeland e cilëson atë „pllakashtruesin më të mirë, që ka” dhe se ai punon sa për tre vetë, shkruan „Berliner Zeitung”. Ai u angazhua shumë që familja dhe punëtori i tij më i mirë të qëndrojnë në Gjermani.
Të shihet si rast i veçantë
Rasti i i Xhezo Ajazajt u kthye në temë debati në politikën e landit të Berlinit. Politikanë të partive të ndryshme në parlamentin e landit kanë kërkuar që familja të qëndrojë, për shkak se është integruar. Politikani i partisë liberale, FDP, Sebastian Czaja shprehet se „imigrantët e integruar në mënyrë të suksesshme pas vitesh me tolerim qëndrimi dëbohen, ndërkohë që rrihet duarkryq për ata që refuzojnë integrimin.”
Ndërsa i ngarkuari i Berlinit për integrimin, Andreas Germershausen, shprehet se ai dëshiron „që të shfrytëzohen mundësitë e komisionit për raste të veçanta.” Me sa duket integrimi i suksseshëm i familjes, Ajazaj ka bindur senatorin për çështjet e brendshme të Berlinit, Andreas Geisel, sepse u vendos që dëbimi i familjes të pezullohet dhe të shqyrtohet edhe një herë rasti. Pasiguria se do të kthehet sërish aty e ka rënduar jetën e familjes në javët e fundit, por tani Xhezo Ajazaj dhe familja e tij mund të marrin frymë lirisht dhe të shpresojnë. Të shpresojnë që autoritetet gjermane të vendosin për qëndrimin e tyre të përhershëm në Gjermani. / Deutsche Welle