Nga Romeo Hanxhari, Pedagog ne UT
E nisim me një shembull për të kuptuar në kontekstin shqiptar si funksionon “tirania e imediates” dhe “mospërputhja kohore”. Fiks 4 vjet më parë, në 6 dhjetor 2013, pra brenda “100 ditëshit të parë” të qeverisjes së re, qeveria dërgoi kamionët e Ushtrisë gjoja për të zgjidhur problemin e helmeve të mbetjeve të cianurit që mbaheshin në Uzinën Dajti në Tiranë. Ajo ishte një nga “pikat më të nxehta mjedisore” të Shqipërisë, sipas studimit të PNUD-it në 2008.
Ai studim ndërkombëtar kishte përcaktuar me detaje protokollin e kujdesshëm teknik të heqjes së cianurit, si edhe kohën që nevojitej: ndërhyrja duhet të kryhej nga kompani të specializuara ndërkombëtare dhe kërkonte 6-8 muaj kohë. Kjo pra ishte koha normale e zgjidhjes së problemit të rëndë, sepse bëhet fjalë për helme të rrezikshmërisë më të lartë. Por koha e pushtetit është tjetër, pra e mospërputhur me këtë. Kështu që, nën nevojën për të provuar që po bën punë të papara brenda 100 ditëve të para, qeveria bëri të pabërën. C’bëri Ushtria praktikisht? Fuçitë dhe thasët me helme i nxori nga magazina ku mbaheshin të izoluara, i zbrazi në disa fuçi të tjera aty në mes të rrugës, e pastaj fuçitë e reja i ngarkoi në kamiona të hapur e i çoi diku në Elbasan.
Kjo u bë e gjitha nën transmetimin live të televizioneve vetëm 3 metra larg turmës civile që i ndoqi tërë kohës: tregtarë që shisnin, familjarë që kalonin, gazetarë që filmonin, të gjithë këta pa veshje speciale e pa maska. Pra, qeveria fitoi, por ama mjedisi humbi. Pse? Sepse qeveria ndërhyri shpejt e shpejt pa marrë në konsideratë kohën shkencore që i duhej këtij problemi për t’u zgjidhur. Qeveria kishte nevojë t’i jepte publikut iluzionin se problemi u zgjidh, dhe ia hoqi atij helmet nga sytë. Në realitet, problemi jo vetëm që s’u zgjidh, por u rëndua: gjatë ndërhyrjes nallbançe 4-orëshe kripërat e cianurit kaluan në ajër, në ujë e në tokë, në mushkëri, në ujëra nëntokësore, në prodhime bujqësore, etj etj, dhe madje edhe fucitë janë ende aty, vecse jo në Tiranë por në Elbasan…
Kjo pra ndodh. Të gjitha llojet e qeverive kanë gjithmonë tundimin që të mos veprojnë duke ndjekur kohën që nevojitet për zgjidhjen e problemit, por të veprojnë sipas kohës që i duhet vetë qeverisë që t’i tregojë publikut se problemi u zgjidh ose po zgjidhet shpejt. Koha e parë është natyrisht më e gjatë sepse nuk varet nga urdhrat, ndërsa koha e dytë është shumë më e shkurtër sepse vendoset me urdhër.
Tani nga ky shembull i mirënjohur le të vijmë tek inceneratorët e shumëpërfolur. Le të kuptojmë mirë se pse po ndodh ky vrap me revan i pushtetit politik drejt ndërtimit të impianteve të djegies së mbetjeve të ngurta, pra inceneratorëve. Këtë analizë të politikave mjedisore të qeverisë e paraqita edhe në kongresin që u mbajt javës që shkoi në Tiranë, por meqë zyrtarët nuk e dëgjuan po e bëj publike edhe këtu. Ky vrap ka ndodhur e po ndodh sepse Qeveria “nuk ka kohë” të merret me zgjidhjen reale të problemit të mbetjeve. Ajo është nën “tiraninë e imediates”. Ajo duhet të nxitojë t’i japë idenë publikut se po e zgjidh problemin. Kështu që ajo zbaton vetëm njërën nga pesë prioritetet e trajtimit të mbetjeve, atë më të shpejtin në kohë, më të sigurtin në marketing politik, dhe sigurisht më të shtrenjtin në kosto, pikërisht ndërtimin e inceneratorëve.
Ndërtimi i inceneratorëve sjell të paktën dy përfitime për Qeverinë. Së pari përfitimi është elektoral, sepse impianti djegës ndërtohet brenda 2 apo 3 vjetëve dhe kështu qeveria mund ta përdorë si kartë suksesi përpara publikut duke i krijuar atij iluzionin se problemi i mbetjeve u zgjidh. Inceneratorët i djegin mbetjet, dhe kështu që publikut i hiqen mbetjet nga sytë. “Out of sight, out of mind – pra larg syve, larg mendjes”. Duke ia hequr qafe mbetjet, qeveria nuk e ka hë për hë presionin e publikut për këtë cështje. Së dyti, ky investim i lejon qeverisë të angazhojë shumë mjete financiare, cka bën që fitimi për klientët të jetë i madh, i kollajshëm, i shpejtë e i garantuar në të dyja rastet, si në rastin kur investimi është publik e aq më tepër në rastin kur ai është P-P-P.
Por cfarë do të duhej të bënte qeveria që të na provonte se po punon për zgjidhjen e vërtetë të problemit të mbetjeve? Thjesht do të duhej të zbatonte njëherësh gjithë prioritetet e strategjisë kombëtare: të merrej me prioritet me elementet që janë në hierarki më lart se sa inceneratori. Hierarkia e trajtimit të mbetjeve në Strategjinë kombëtare është “Reduktim-Ripërdorim-Riciklim-Rekuperim dhe pastaj rekuperim-eleminim-depozitim”. Pra, inceneratori është i parafundit në hierarki, korrespondon me “rekuperim-eleminimin” meqë djeg mbetje dhe prodhon energji nga nxehtësia. Duhet thënë që, po, natyrisht që mund t’i duheshin Shqipërisë 1, apo 2, apo maksimumi 3 inceneratorë të teknologjisë BAT-EE (Best Available Technology – Economically Efficient).
Por sigurisht që nuk i duhet Shqipërisë nga 1 incenerator për cdo qytet, pra edhe në Elbasan, edhe në Tiranë, edhe në Durrës, edhe në Fier, edhe në Vlorë, edhe në Shkodër, etj etj. Dhe, thelbi i cështjes është detyrimi ligjor është që “më parë duhet të veprohet në 3 drejtimet prioritare” që përmendëm: të bëhet cmos që të pakësohet sasia e gjeneruar e mbetjeve (reduktim), të ndryshohet dizenjimi i produkteve që ata të mund të ripërdoren shumë here (ripërdorim), e më tej të krijohen kushtet që njerëzit të ndajnë mbetjet që në shtëpi e pastaj në kosha (riciklim). Pastaj, vetëm pasi janë ezauruar këto hapa, ato pak mbetje që ngelin mund të cohen në incinerator për t’u djegur e për të prodhuar energji. Pra, sa më pak dhe gjithmonë e më pak mbetje në incinerator…
Dikush do të thotë “cfarë pune prish, le të bëhen inceneratorët, e pastaj të fillohet puna me riciklimin”. Jo! Ndërtimi i shumë inceneratorëve me partneritet publik-privat (PPP) është pengesë për zgjidhjen e qëndrueshme të problemit të mbetjeve të ngurta urbane, është pengesë për reduktimin e mbetjeve dhe për riciklimin e mbetjeve. Konkretisht, kontrata e inceneratorit privat kërkon një sasi konstante të mbetjeve që të përfundojnë për t’u djegur. Kjo sepse inceneratori ka një kapacitet teknik që duhet furnizuar, dhe për më tepër, inceneratori sa më shumë mbetje të konsumojë aq më shumë fiton.
Por, thelbi duhet kuptuar: inceneratori dhe riciklimi kanë kërkesa dhe objektiva të kundërta. Inceneratori ka uri të madhe, kërkon shumë mbetje që të punojë, ndërsa riciklimi synon t’ia pakësojë mbetjet inceneratorit. Duke qenë se kanë objektiva të kundërta, kjo është arsyeja pse Riciklimi është graduar me gradë më të lartë në Ligjin tonë: me qëllimin që synimi i riciklimit të mbizotërojë mbi atë të inceneratorit. Por në fakt në Shqipëri, inceneratori po e pengon e do ta pengojë riciklimin, sepse e komandon atë në këtë mënyrë:
”kaq ton do të riciklosh, jo më shumë, sepse mbetjet e tjera më duhen mua për të punuar, pra që t’i djeg e të paguhem dhe që të fitoj edhe më shumë duke prodhuar energji”. Kaq thjesht është. Marrëdhënia e inceneratorit me riciklimin në Shqipëri është njësoj si një kapterr që po komandon një gjeneral në sheshin e luftës… A fitohet dot lufta nëse kapterri komandon gjeneralin? E sigurt është humbja.
Pse ndodh kjo? Përvec fitimit, bakshisheve, energjisë, etj etj, problem është edhe se rruga e reduktim-riciklimit është një rrugë e gjatë, dhe jo gjithmonë e suksesshme menjëherë. Dhe kryesorja është që riciklimi nuk sjell fitimt ë sigurt e të shpejtë. Prandaj qeveria i bie shkurt: i tejkalon të gjitha hapat dhe ndërton direkt inceneratorë.
Doni ndonjë shembull se pse rruga reduktim-riciklim është e gjatë, e pasigurt, dhe e ndërlikuar për pushtetin? Kujtoni vetëm atë që ndodhi 2 vjet më parë në Tiranë. Bashkia ndjeu “tiraninë e vet të imediates”, pra angazhimet e “300 ditëshit të parë”, dhe filloi shpejt e shpejt atë që e quajti “ndarje e mbetjeve në burim”, me dy kosha të vecantë.
Pra fillloi të zbatonte riciklimin, Pak por si fillim ishte ok. Puna u duk sikur filloi mirë sepse qytetarët reaguan mirë dhe i hidhnin mbetjet të ndara nëpër kosha. Por pak më pas u zbulua se puna ishte bërë e nxituar: bashkia i mblidhte mbetjet të ndara por pastaj i fuste në të njëjtin kamion. Kështu që qytetarët i këputën një “marsh indietro” sepse u zhgënjyen. Kështu, nga ky veprim i papërgatitur mirë i bashkisë u humbën të paktën dy vjet kohë. Madje edhe më shumë. Sepse tashmë, edhe sikur bashkia të arrijë të përgatitet më mirë se më parë për ndarjen në burim, qytetarët do e kenë shumë vështirë të kapërxejnë zhgënjimin dhe të rifillojnë bashkëpunimin.
Pra sic shihet, elementi i riciklimit që filloi bashkia e Tiranës, provoi që ishte rrugë e vështirë dhe me të papritura. Provoni tani të mendoni me sistemin e politikës: brenda kësaj kohe që “humbi” Bashkia me riciklimin, ajo do ta kishte ndërtuar një incinerator nëse do e kishte patur të hapur rrugën nga Qeveria, dhe në atë mënyrë do të siguronte një avantazh elektoral edhe ajo si Bashki kur t’i vijë rradha e përballjes.
…Është kjo që pritet të ndodhë tani: pasi ka marrë OK nga qeveria, edhe bashkia e Tiranës do ndërtojë inceneratorin e vet. …Me sa duket, prandaj Bashkia nuk po tenton sërish të riaktivizojë mekanizmin e riciklimit: sepse inceneratori i Tiranës nuk ndërtohet dot pa ia dhënë t’i hajë të gjitha mbetjet e Tiranës. Pra, nuk ka më vend për riciklimin. Kapterri incinerator do të komandojë edhe në Tiranë gjeneralin riciklim. …E, nëse ky qëllim i ndërtimit të inceneratorit në Tiranë nuk do të provohet i vërtetë apo nuk do të realizohet, Bashkia e Tiranës nuk duhet të mendojë se ka humbur kohë me tentativën e vet të riciklimit. Jo.
Rruga e riciklimit është e vështirë dhe aty mund edhe të gabosh, madje edhe mund të dështosh përkohësisht, por ama në atë rrugë nëpërmjet gabimeve mësohet. Ashtu si një luftë ku jo cdo betejë fitohet. Lufta është e gjatë. Pra, nëse administrata aktuale e Bashkisë do ta fillonte luftën tani, nuk do kishte asnjë problem nëse frytet e suksesit do vinin pas 5 apo 6 vjetësh, kur një administratë e re mund të jetë në krye të punëve. Kjo është normale në menaxhimin e problemeve mjedisore: zgjidhja e tyre e qëndrueshme shkon përtej afateve elektorale. Zgjidhja e problemit mjedisor shkon përtej “tiranisë së imediates”.
Por fatkeqësisht qeveria, pushteti në përgjithësi, është e do të jetë vazhdimisht nën “tiraninë e imediates”. Kjo është pak por e sigurt. Prandaj me sa duket qeveria do të vazhdojë të ndërtojë ende shumë inceneratorë. Dhe prandaj ne qytetarët do të vazhdojmë të paguajmë për ta. Do të paguajmë pra që të gënjehemi sikur e kemi zgjidhur problemin e mbetjeve. …Dhe e bukura është se një pjesë e mirë prej nesh do të besojë vërtet se ai problem është zgjidhur. Dhe kështu “tirania e imediates” do të vazhdojë të mbretërojë…