Home KRYESORE Ja si e zbuloi nëna që vajza shfrytëzohej si prostitutë nga i...

Ja si e zbuloi nëna që vajza shfrytëzohej si prostitutë nga i fejuari

Një i ri dhe e fejuara e tij janë dënuar nga Gjykata e Tiranës për akuzat e “shfrytëzimit të prostitucionit”. Bëhet fjalë për një çift nga Tirana, të cilët u fejuan në një moshë fare të re.

Sipas vendimit të Gjykatës, të disponuar nga “Panorama”, shtetasi Albi Sh. 21 vjeç, ka shfrytëzuar për prostitucion të fejuarën e tij, shtetasen S.T., 20 vjeçe.

Rasti është zbuluar fillimisht nga familjarët e vajzës në vitin 2015, teksa kanë parë të afërmen e tyre në gjendje jo të mirë psikologjike.

Kanë qenë nëna dhe motra e vajzës që prostituohej nga i fejuari i saj, që kanë zbuluar SMS-të komprometuese në rrjetet sociale të viktimës.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata ka vendosur të dënojë me 4 vjet e 8 muaj burgim të fejuarin për akuzën e “shfrytëzimit të prostitucionit” dhe me gjobë vajzën. I riu ka përfituar nga gjykimi i shkurtuar, por e ka ankimuar vendimin në Apelin e Tiranës.

NGJARJA

Më datë 10 maj 2015, nëna e viktimës, B.T., ka bërë kallëzim në seksionin për Trafiqet e Paligjshme ku ka sqaruar se vajza e saj, S.T., ishte lidhur prej kohësh me shtetasin Albi Sh.

Kjo lidhje, sipas saj, është ndërtuar me shkuesi. Sipas nënës, disa kohë pas lidhjes, kur S.T. ishte vetëm 17-vjeçare, ajo ka konstatuar se vajza dhunohej nga i fejuari i saj. Këtë gjë ia ka konfirmuar në një farë mënyrë edhe mësuesja kujdestare e vajzës në shkollën e mesme “Hoteleri-Turizëm”.

Nëna ka shpjeguar në Polici se mësuesja ka qenë fillimisht ajo që e ka sinjalizuar për një dhunë të mundshme nga i fejuari, pasi prej kohësh vajza ishte e mbyllur dhe nuk bisedonte me njeri.

Më herët, më 3 maj të vitit 2015, motra e S.T. kishte parë në rrjetin social “Facebook” mesazhet mes saj dhe Albi Sh. Nga bisedat, ajo ka vënë re se fjalori i përdorur mes te dyve ishte i “pamoralshëm” dhe se dukej qartë se S.T. kishte ushtruar prostitucion e shtyrë nga i fejuari. Këtë bisedë, motra e S.T. ia ka treguar nënës së saj. Kjo e fundit ka nisur menjëherë lëvizjet, duke e larguar vajzën nga shkolla dhe ka vënë në dijeni prindërit e të fejuarit të vajzës për rastin duke kërkuar që ata të ndahen./opinion.al

Share: