Mbrëmë dogana në Kakavijë ka qenë e bllokuara për mëse 7 orë. Personat me pasaporta shqiptare nuk janë lejuar të kalojnë në pikën kufitare të Kakavijës nga pala greke e cila ka nxjerrë si justifikim problemet me sistemin kompjuterik.
Situata është e rënduar pasi janë krijuar radhë të gjatë, për shkak se edhe mjetet të të gjitha llojeve nuk lejohen të kalojnë. Nisur nga apeli i qytetarëve, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka shkuar në Kakavijë ku është takuar me qytetarët bashkë me ministren Mirela Kumbaro.
Qytetarët të indinjuar kanë rrethuar Ministrin Bushati duke i kërkuar llogari për situatën. Ata kanë deklaruar se duhet të ishin njoftuar që prej ditës së djeshme dhe të mos prisnin sot gjithë ditën. Nga ana tjetër Bushati iu ka kërkuar të bëjnë durim. “Nuk dua të bëj avokatin e askujt. Pala greke ka thënë se ka rënë sistemi. Duhet të kuptojmë dhe të tregohemi të duruar. Nuk besoj se situata është e qëllimshme”, iu ka thënë Bushati qytetarëve.
Probleme të njëjta kanë ndodhur edhe në Kapshticë dhe Qafë Botë ku kalojnë vetëm shtetas me dokumente greke dhe të zonës Shengen./lapsi.al