Home KRYESORE Kthim në shtëpi. Franz Kafka

Kthim në shtëpi. Franz Kafka

Përktheu Adrian Klosi

Jam kthyer, kam kaluar korridorin dhe po vështroj rreth e rrotull . Është oborri i vjetër i tim eti. Me pellgun në mes. Vegla të vjetra të papërdorshme janë kapërthyer mbi njëra-tjetrën dhe pengojnë shkallët për në papafingo.

Macja rri e mban vesh tek parmakët. Një pëlhurë e grisur që dikur valëvitej rreth një shtage çohet lart në erë. Mbërrita. Kush do të më presë? Kush pret prapa derës së kuzhinës? Nga oxhaku del tym, po zien kafeja për darkë. Ndihesh ngrohtë, ndihesh në shtëpi? Nuk e di jam shumë i pasigurt. Është vërtet shtëpia e tim eti, por njëra pas tjetrës , pjesët janë tejet të ftohta, sikurse secila të ishte zënë me punët e veta, që unë një pjesë i kam harruar dhe një pjesë nuk i kam njohur kurrë.

E ç’mund t’u hyj në punë unë atyre? Ç’jam unë për to sado që jam biri i tim eti, i fermerit të vjetër. Dhe nuk guxoj të trokas tek dera e kuzhinës, përgjoj vetëm nga larg, vetëm nga larg përgjojduke ndenjur në këmbë që të mos më befasojnë si përgjues. Dhe ngaqë përgjoj për së largu, nuk pikas asgjë, dëgjoj vetëm një rrahje të lehtë sahati ose kujtoj se e dëgjoj qysh nga ditët e feminisë.

Të tjerat që ndodhin në kuzhinë janë e fshehta e atyre që rrinë ulur atje dhe ata nuk duan të ma tregojnë mua.Sa më shumë që nguron para derës , aq më i huaj bëhesh. Si do të ishte sikur dikush ta hapte tani derën dhe të më pyeste ndonjë gjë? Nuk do të isha dhe unë vetë atëherë si dikush që kërkon të ruajë të fshehtën e vet?

Share: