Një makinë sportive luksi, model Lamborghini Huracán, iu dhurua Papës sot paradite, në praninë e krerëve të shtëpisë automobilistike të Sant’ Agata Bolognese.
Në oborrin para Shtëpisë së Shën Martës, Papa la firmën e vet mbi kapakun e veturës, e cila do të nxirret në ankand nga Sotheby’s, Shuma e fituar do t’i dorëzohet drejtpërdrejt Atit të Shenjtë për disa Shoqata bamirëse, të caktuara nga ai vetë.
Një pjesë do të shkojë për të financuar rindërtimin e Rrafshit të Ninives përmes Fondacionit të së drejtës papnore “Ndihmë për Kishën që Vuan”. Projekti ka për qëllim të garantojë rikthimin e të krishterëve në banesat e tyre, në strukturat publike dhe në vendet e kultit, pas një trevjeçari të jetuar si të shpërngulur në Kurdistanin irakian. Të krishterët, më në fund, mund të rikthehen tek rrënjët e tyre e të rifitojnë dinjitetin e nëpërkëmbur.
Fondet e tjera të fituara nga shitja në ankand, do të vihen në dispozicion të “Bashkësisë Gjoni XXIII”, që kujdeset për gratë, viktima të trafikut e të prostitucionit – në dhjetëvjetorin e vdekjes së don Oreste Benzi-t dhe 50-vjetorit (2018) të themelimit të vetë bashkësisë (Projekti “Shtëpia Papa Françesku”). Do të financojnë dhe dy shoqata italiane, që veprojnë posaçërisht në Afrikë, “Gicam”, e profesor Marco Lanzetta-s, kirurg i dorës dhe “Miqtë e Afrikës Qendrore”, të cilët prej vitesh vënë në jetë projekte kushtuar posaçërisht grave e fëmijëve.