Home KRYESORE Ministri i Europës dhe i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimi Rajonal

Ministri i Europës dhe i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimi Rajonal

Nga Kasem Seferi, Siguria ekonomike

 

Është folur shumë mbi atë se si duhet ta masim sigurinë ekonomike të vendit, për arsye se secili vend në mënyrë unike ka nivelin e tij të zhvillimit ekonomik, një kapacitet për menaxhimin e riskut, një kulturë kombëtare dhe pozicionin e tij në mjedisin ndërkombëtar, gjë që justifikon arsyet përse secili vend në mënyrë të përherëshme duhet ta perceptojë sigurinë e tij ekonomike në mënyrë të ndryshme.

Për vende në tranzicion si Shqipëria, siguria ekonomike do të përkufizohej mirë si aftësi për të siguruar rritje të qendrueshme të standartit të jetesës për të gjithë popullsinë nëpërmjet zhvillimit ekonomik ndërkohë që ruan pavarësinë e vet relative ekonomike.

Sikundër shihet qartë kjo “medalje” ka dy anë: konkurrueshmërinë dhe sovranitetin e pavarur ekonomik; konkurrenca gjeneron zhvillim të shëndetshëm ndërsa shkalla e autonomisë e ruan ekonominë e vendit nga influenca e jashtme që nuk i përshtatet interesave të saj.

Konkurrueshmëria ekonomike është e domosdoshme jo vetëm për të nxitur rritjen ekonomike të vendit, por gjithashtu për të penetruar në tregun ndërkombëtar, gjë që në periudhën e globalizimit lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me faktin që asnjë vend nuk mund të mbyllet në vetvete nga sfidat që vijnë nga jashtë.

Për më tepër, të dy këto anë të “medaljes” janë në mënyrë të ndërsjellë përforcuese: si konkurrenca nëpërmjet avantazhit të krahasueshëm në tregun botëror, që është baza për rritjen e brendshme ekonomike të qendrueshme dhe, rritja, si përgjigje, i jep ekonomisë së vendit një anë në ekonominë e globalizuar: pa rritje ekonomike dhe konkurrencë nuk ka siguri ekonomike.

Ana tjetër e “medaljes” është sovraniteti ekonomik, i cili duhet të shihet si një masë e kontrollit të ekonomisë së vendit mbi zhvillimin e tij ekonomik dhe aftësive të saj për t’i rezistuar ndërhyrjeve nga jashtë; sovraniteti ekonomik përfshin 1) atë i cili quhet autoritet ekonomik “joshpërndarës”, që trashëgohet dhe nuk mund të ndahet me vendet e tjera dhe 2) pushtet ekonomik “shpërndarës” që mund të ndahet me vendet e tjera.

Sovraniteti në vetvete, njësoj si identiteti i vendit nuk transferohet te të tjerët dhe, në ekonomi, sovraniteti pasqyrohet kontrollin e ekonomisë së vendit mbi industritë dhe ndërmarrjet kyç, ndërsa autoriteti ekonomik “joshpërndarës” përmban aspekte të tilla si pushteti i vendim – marrjes strategjike të vendit mbi sistemin e tij ekonomik dhe pronësinë mbi burimet natyrore; me pak fjalë pushteti ekonomik “shpërndarës” përfshin politikat ekonomike dhe industriale dhe hartimin e institucioneve jothelbësore ekonomike.

Kufijtë ndërmjet sovranitetit “joshpërndarës” dhe pushteteve “shpërndarëse” ndën sovranitet ndryshon në secilin vend, gjë që varet nga fuqia kombëtare dhe zhvillimi ekonomik.

Sipas rendit të tanishëm ndërkombëtar (modeluar nga kombet e zhvilluara dhe projektuar për të ruajtur pozicionin e tyre ekonomik), forcat e fuqishme konkurruese të vendeve të zhvilluara ndikojnë mbi sovranitetin e vendeve të tjera; megjithëatë, shumica e vendeve në zhvillim po fitojnë interesa të rëndësishme ekonomike me hapjen e ekonomive të tyre kundrejt tregut ndërkombëtar, prandaj ruajtja e ekuilibrit delikat ndërmjet këtyre dy prirjeve shpesh kontradiktore kërkon një monitorim të kujdesshëm të marrëdhënieve konkurruese komplekse ndërmjet vetë vendeve dhe kapitalit të huaj.

Në një kohë që bashkëpunimi ekonomik në rajon dhe investimet e kapitalit të huaj nuk kanë arritur pikën e tyre kulminante në Shqipëri, sigurimi i sovranitetit të pavarur mbi ekonominë duhet të jetë themeli i sigurisë ekonomike dhe për këtë arsye politikat preferenciale nuk duhet të kthehen në subvencione, gjë që kërkon nga qeveritë që Shqipëria të mos mbajë një qëndrim të verbër kundrejt bashkëpunimit ekonomik në rajon dhe kapitalit të huaj, por t’i korigjojë politikat ekzistuese në funksion të sigurisë ekonomike të vendit.

Share: