Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, pasi shoqëroi tre ministra në takimet e sotme, u ndal konkretisht në atë të ministrit të brendshëm Fatmir Xhafa, ku ishte sajuar një teatër aspak optimist. Donald Lu pas deklaratës për katër klane mafioze e 20 familje kriminale, premtoi se do të kapen këtë here peshqit e mëdhenj, por në fillim të vitit tjetër. Kjo e sotmja nuk ishte vetëm nje promovim punësh para peshkaqeneve, po ambasador, një pjesë syresh ishin bash në atë sallë, teksa qeshnin bashkë me peshkatarët.
Na e keni ngatërruar fillin shkëlqesi Ambasador, teksa kjo puna e mafies, klanefe, familjeve kriminale, peshqve të mëdhenj, peshkatarëve, na gdhin të lirë, e na ngrys skllevër. Natyrisht, duhet të tregohemi të sinqertë se fajtorët kryesorë për këtë gjendje të rëndë jemi NE, shqiptarët, që ngatërrojmë kohën e heshtjes me atë të të folurës dhe reagimit, duke bërë lëmsh secilën e zgjidhur mirë asnjërën.
Këta trafikantë i kemi bërë ne më së shumti, duke iu dhënë parcelat, puntorët, hapur doganat, kufinjt, ndarë paratë me to, zgjedhur në pushtet, parlament, bashki, administratë. Jo për hir të mëkateve, kurrëfarë faji sna keni në këtë episod të parë. Por, puna erdhi dhe zu ndryshk fort, kur shumë ambasadorëve në Tiranë, sidomos pas vitit pushtues të pemës së hashashit, nisën tu çarten tekstet e qëndrimet, në raport me eskportet në brigjet e vendeve fqinje. Guardia qëlloi ca muaj që u mjergullua në pamje, raportet e Departamentit të Shtetit dhe Europolit nxinin, por qëndrimet e ambasadorëve në Tiranë, shpesh zbardhnin e shpesh mekeshin. Nëse bëjmë një vizitë të shpejtë në dyqanin e peshkut, sa për të kuruar disi leksikun, unë do ta pyesja veten për të kuptuar se kush do ta bëjë këtë drejtësinë e re, e cila do të na rrafshojë peshqit e mëdhenj..Mjerë tigani..
Dy vite më herët në Raportin e OSCE, thuhej se Rama mendohet se ka 200 milionë dollarë diku në ofshore nën emrin e të vëllait, Peleshi në pikëpyetje të tjera, Meta mendohej i përzier në aferat e CEZ, pastaj Beqja në batërdinë e shëndetësisë, Tahiri në atë të kanabizimit të vendit, Kodheli verboi radarët se duhej të ishin rehat avionët me drogë, Minsitri i Transporteve fiku Rinasin, Ahmetaj dhe Gjiknuri me mëkatë në energji dhe ekonomi sa kapërcejnë Hollivudin, Nikolla tek Arsimi nuk ia prishi askujt nga ata që ishin grupe interesi, përveç studentëve dhe maturantëve. Në tatimet dhe doganat drejtuesit e tyre plot me çudira, Kumbaro diku nga Butrinti, të cilat janë në pragje shpërthimi. Fatmir Xhafa me te vellane te kerkuar per trafik kokaine dhe ne hetim e gjykim nga antimafia…
Armando Prenga vraponte konkurues me Usain Bolt per te votuar Reformen ne drejtesi, duke e zënë paradoksin në hall..Sigurisht ish qeverisja e PD ka mëkatë të ngjashme por jo në këto përmasa aspak. Ruli, Bode, Imami, janë përfolur për dosje, Mediu dhe Basha janë hetuar për ngjarje të ndryshme, minsitrat e LSI kanë qenë gjithnjë shenjestër akuzash publike. Gramoz Ruçit nuk i mundësoni vizë në SHBA, pasi e shkuara e tij pas viteve 90-ka mëkate me drejtësinë dhe askush nuk mendon ta bëjë përgjegjës ndonëse dijenia nuk mungon.
Kryebashkiaku i Tiranës, rrethon gjykatat me protestues partie, pastaj kërdiset me tendra duke drekuar embëlsisht me prokurorët që e hetojnë për shkelje të rënda ligjore, disa me pasojë vdekjen. Prokurorë e gjykatës, të cilët fshehën nja dy javë orat dhe makinat me vlerë shtëpish, e tashmë janë kuruar me kohën e pamatë që kishin dhe kanë në dispozicion.
Në parlament ka endë të dënuar për trafiqe, Kryeministri ynë ende bën qoka banditësh. Përfituesit e koncensioneve janë kasafortat e parave të pushteteve. Kompani amerikane janë larguar dhe të tjera kanë ndërmend të ikin nga Shqipëria sepse Rama dhe të tijtë po i zëvëndësojnë me rusë dhe knezë, ngaqë me to merren vesh për ryshfetë, pazare e ndarje hesapesh, aksionesh, se sa me amerikanët, të cilët nuk i qasnin nëpër qese punësh.
Drejtorë policish, drejtues komisariatesh, oficërë jo të paktë nëpër Kryeqytet dhe nëpër qarqe kanë lënë detyrat, janë ngarkuar me miliona euro dhe gjezdisin nëpër qoshe evropiane plot para kriminale. Të tjerë kanë nëpër banka jashtë vendit, aq sa bankat duan shtesë katesh. Bosët e mediave janë ndërtues, koncensionarë, tenderfitues, oreksshumë dhe me burime të dyshimta në shumë episode.
Asnjëri nga këta shkëlqesi Ambasador nuk është anonim..Të gjithë të tjerët, puntorë e krahut, e të armëve, disa në qeli, shumë të tjerë në shtëpi, janë infrastruktura e rezervuarit të peshkimit… Tu japesh ketyre leje disa mujore, eshte nje njoftim turbullues disi. Ndaj pyesim veten, ku ti kërkojmë tjetër peshqit e vegjël dhe të mëdhenj, kur janë ata peshqit që gjithnjë e më tepër vendosin se çfarë do të bëhet me peshkatarin, të cilit ia kanë marrë edhe grepin e fundit….