Një efektiv i Komisariatit Numër 1 në Tiranë është plagosur me armë zjarri mbrëmjen e sotme në zonën e ish-parkut të autobusëve, pas një konflikti me dy persona.
Burime zyrtare nga Policia e Tiranës, bën me dije se i plagosur ka mbetur Ermal Bregu, 33-vjeç, pasi u përfshi në një konflikt me dy banorë të lagjes, për arsye ende të panjohura.
Një prej tyre nxori armën dhe qëlloi në drejtim të 33-vjeçarit, duke e lënë të plagosur.
Mësohet se forca të shumta kanë mbërritur në vendngjare, ndërsa Bregu është dërguar në spital dhe është futur menjëherë në sallën e operacionit.
Burime nga spitali i Traumës thanë për Opinion.al, se i plagosuri është jashtë rrezikut për jetën.
Grupi i hetimit i cili ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes ka nisur punën për zbardhjen e plagosjes, ndërsa policia tha se ngjarja nuk ka lidhje me detyrën e efektivit.
Gjithashtu në pyetje janë marrë disa dëshmitarë, ndërsa pritet të merren edhe kamerat e sigurisë së bizneseve përreth zonës.
Informacion paraprak i policisë
Më datë 28.11.2017, rreth orës 19.35, në Sallën Operative ka ardhur një telefonatë se në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, ka patur të shtëna me armë zjarri.
Menjeherë në vendgjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe Ambulanca ku nga veprimet paraprake ka rezultuar se:
Në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, tek ish parku i autobuzave përballë një lokali, shtetasi E.B, rreth 33 vjeç, punonjës policie i Komisariatit te Policise Nr 1 Tirane, por jashtë orarit të sherbimit ka debatuar me dy shtetas banore të lagjes.
Në konflik e sipër njëri prej tyre ka qëlluar me armë zjarri ku për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi E.B.
Shtetasi E.B., është derguar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë te rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorëve./opinion.al