Prokuroria do t’i kërkojë zyrës së Interpol Tiranës që të vendosë në listën e të kërkuarve ndërkombëtarë ish-Drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, ish-shefin e Krimit të Organizuar në Vlorë, Gjergj Kohila dhe ish-Shefin e Postës Kufitare të Dhërmiut, Sokol Bode.
Kjo konfirmohet nga burime të tvklan. Dyshohet se 3 shefat e policisë, të akuzuar nga prokuroria për përfshirje në trafikun e drogës me klanin Habilaj, mund të jenë larguar nga vendi.
Aksioni policor për arrestimin e tyre zyrtarisht është dekonspiruar, dhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj distancoi veten nga ky dekonspirim, kur siç paralajmëroi Edi Rama dje në emisionin “360 gradë” po përgatit një kallëzim penal për këtë dekonspirim.
Mbrëmjen e djeshme në “Opinion” u zbulua si dhe kur janë larguar Çela, Bode dhe Kohila nga vendi.
Gazetari Dashamir Biçaku tha se njëri prej tyre është larguar nga Shqipëria nga aeroporti i Rinasit më datë 9 Nëntor drejt Milanos.
Ish-zyrtari i dytë është larguar drejt Malit të Zi më 29 Gusht nga dogana e Muriqanit me një makinë me targa AA 808 OB, dhe ish-zyrtari i tretë u largua përmes Kakavijes më 18 Nëntor me makinë me targa AA 911 JE.
©LAPSI.AL