Gazeta “Dita” në kryeartikullin e datës 10 nëntor, me autor Bedri Islamin, i jepte të drejtë kreut të qeverisë për kritikat lidhur me profesionalizimin e medias. Mes të tjerash, Bedri Islami përmend dhe publicistin Artur Zheji, si ish- mik të Edi Ramës dhe bën një aludim për të kaluarën e Artur Zhejit. “Duke hipotekuar, sipas kësaj tradite, të marr guximin e të them se, për shembull , ka zëra se Zheji ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit dhe nuk e besoj se ka qenë, se ka qenë bashkëpunëtor i shërbimeve të huaja dhe nuk e besoj se ka qenë, se ka abuzuar rëndë me fondet kur ishte drejtor i Përgjithshëm i RTSH, dhe nuk e di nëse ka qenë e vërtetë…”,- shkruan Bedri Islami.
Sot publicistit Artur Zheji, në një shkrim në portalin 360grade.al, i përgjigjet Bedri Islamit, por edhe gazetarëve dhe publicistëve të tjerë që janë përfshirë në debatin pro dhe kundër kryeministrit duke hedhur baltë mbi njëri-tjetrin. “Nëse duhet për të provuar se media është një kazan, ashtu si thotë kryeministri, zoti Islami, bëre mirë që më përmende. Po ta shkruaj ty dhe përmes teje edhe mjaft shkronjësve me penë të hollë apo të trashë të këtij fshati, që unë nuk kam qemë asnjë orë të jetës sime, as në kontaktin më të largët me Sigurimin e Shtetit, përveçse nëpër filmat e realizmit socialist.
Dhe është shumë e thjeshtë prova dhe sprova Bedri, se ti merr vesh mirë nga këto punë. Është vetë kryeministri, që mund t’ju kënaqë kureshtjen dhe të nxjerrë ndonjë dosje. Mund të kem qenë në ndjekje, së bashku me prindërit e mi të ndjerë, por asnjëherë në kontakt, e aq më tepër në bashkëpunimin më të largët me ato fytyra të sikletshme”,- shkruan Zheji.