Home KRYESORE Rruga për në shtëpi. Nga Franz Kafka

Rruga për në shtëpi. Nga Franz Kafka

Perktheu Ardian Klosi

Shihni se ç’forcë bindëse ka ajri pas një shtrëngate. Më shfaqen përpara e më vënë poshtë meritat e mia edhe pse nuk kreshpërohem.

Marshoj dhe tempi im është tempi i kësaj rrugice, i kësaj rruge, i kësaj lagjeje. Me të drejtë jam përgjegjës për të gjitha goditjet mbi dyer, mbi dërrasat e tryezave, për gjithë ndodhitë, për çiftet e dashnorëve në shtretërit e tyre, në skelat e ngrehinave të tyre, të ngjeshur pas mureve të shtëpive në rrugica të errëta, mbi divanet e bordellove.

Vë në peshore të shkuarën ndaj së ardhmes time, i gjej të dyja shumë të mira, por nuk mund t’I jap përparësinë asnjërës, më duhet vetëm të qortoj vetëm padrejtësinë e paracaktimit që më favorizon kaq shumë.

Vetëm kur hyj në dhomën time jam pak meditues, por jo se kam gjetur ndonjë gjë të vlefshme për meditim kur jam ngjitur në shkallë. Nuk më ndihmon shumë fakti që e hap dritaren kanatesh e që në një kopsht vazhdon të luajë muzika.

Share: