Home KRYESORE Si plasi sherri mes socialistëve për parajsat fiskale dhe paratë e pista

Si plasi sherri mes socialistëve për parajsat fiskale dhe paratë e pista

Një debat i pazakontë është zhvilluar dje në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit, ku përfaqësues të mazhorancës parlamentare kanë shkëmbyer dialog me terma të ashpra lidhur me rolin që kanë në ekonominë shqiptare kompanitë me qendër në parajsat fiskale.

Ka qenë kryetari i Komisionit, Erion Braçe, i cili ka kërkuar nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj që të bëhen publike kompanitë, të cilat kanë marrë koncesione në Shqipëri, ndërsa rezultojnë të regjistruara në vende, që nuk respektojnë transparencën e financave dhe bankave, ku ruajnë paratë e pista edhe shumë mafiozë apo politikanë të korruptuar nga gjithë botë.

Duke pranuar se administrata shqiptare është në gjendje të japë një listë të tillë, gjithsesi ministri deklaroi se nuk ka një ligj në Shqipëri që të ndalojë hyrjen në treg të kompanive me bazë në vendet “off shore”. Ahmetaj premtoi se së shpejti mund të bëjë një listë të tillë për të gjitha këto kompani që operojnë në vendin tonë.

Kreu i Komisionit, socialist Erjon Braçe, nga ana e tij, deklaroi se ai është në dijeni të rasteve të shumta, kur koncesionet po u jepen kompanive të dyshimta. Kompanive, që nuk përfaqësojnë asgjë, nga pikëpamja e fuqisë financiare, që janë regjistruar në vende ku zakonisht paratë e pista fshihen, që janë të panjohura, megjithatë atyre u besohen koncesione që mbulojnë sektorë kyç dhe strategjikë, që operojnë me ekskluzivitet dhe të cilat, për më tepër, në shumë raste rezultojnë se nuk kontribuojnë as në financat e shtetit.

Sipas Braçes, në rast se ligji deri tani nuk e ka planifikuar një ndalim të tillë, ai duhet të amendohet në mënyrë që të hyjë një nen që të ndalojë pikërisht këtë mundësi të hyrjes në ekonominë shqiptare të kanaleve që pastrojnë para. Ahmetaj mbrojti ligjin aktual, duke thënë se ai bazohet në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe të gjitha difektet e konstatuara më koncesionarët datojnë para vitit 2013, kur nuk ishte në pushtet mazhoranca aktuale.

Parajsat fiskale

Në botë, sot, janë disa dhjetëra streha fiskale—kryesisht vende me popullsi të vogël dhe ekonomi të papërfillshme, një pjesë vende të vogla ishullore. Belizeja, Panamaja, Ishujt Virgjin Britanikë, Ishujt Cayman, Seyschelles, Bermuda, Barbados, Anguilla, Ishulli i Manit, Jersey, Gjibraltari — janë disa nga vendet më të preferuara. Por, me disa kufizime, edhe vende të BE, si Qiproja apo Malta.

Parajsat fiskale ofrojnë disa apo të gjitha lehtësitë e mëposhtme: Kanë nivel shumë të ulët taksash, shpesh taksim zero; kanë sistem bankar shumë pak të rregulluar; ofrojnë sekret bankar, duke mos kërkuar raportim të transaksioneve financiare që bëhen nga territori i tyre; nuk japin apo shkëmbejnë informacione financiare me vende të tjera; lejojnë kompani guackë (“shell”)—kompani që nuk zhvillojnë aktivitet në vend, por vetëm regjistrojnë transaksione në letër; lejojnë mbajtjen sekret të strukturës organizative të enteve ligjore—shoqërive tregtare, fondeve, fondacioneve, etj—si dhe anonimatin e pronësisë dhe të drejtave në këto ente.

Shpesh dalin në pah, nga investigimet gazetareske, emra të VIP-ave botërorë të politikës, artit, sportit, që kanë fshehur në këto parajsa pasuri të mëdha, për t’iu shpangur taksave të vendeve të tyre. Por edhe të mafiozëve të njohur. Nisur nga kjo, BE, SHBA dhe shumica e vendeve të zhvilluara kanë ndërmarrë hapa ligjorë ndërkombëtarë për të çuar ekzistencën e tyre drejt fundit, duke kërkuar normalizimin të rregullave të tyre fiskale dhe financiare, në përputhje me standardet e njohura botërisht të transparencës. Megjithatë, deri më sot, duket se nuk ka një aksion të vendosur për t’i eliminuar.

Shqipëria

Për përdorimin e parajsave fiskale nga qytetarët shqiptarë është mësuar kur, ndër letrat e zbuluara ngë gazetaria investigative, të njohura me emrin “Panama Papers”, dolën emrat e Andis Harasanit dhe Ismail Mulletit, si investitorë që përdornin këto vende.

Ndërkohë, nuk janë pak koncesionet e rëndësishme, që u janë dhënë kompanive me bazë në to. E para kompani e njohur, që solli këtë praktikë, ishte ajo, që mori koncesioninmë të madh të naftës. E krijuar në Ishujt Cayman, Saxon International Energy (më pas Bankers Petroleum) u regjistrua në Shqipëri vetëm disa ditë më vonë, më 22 prill, ndërsa ka lidhur kontratë koncesionare me qeverinë shqiptare të asaj kohe për të shfrytëzuar fushën më të madhe naftëmbajtëse mbi tokë në Europë, atë të Patos Marinzës.

Në vitin 2006, kompania ndryshoi emrin në Bankers Petroleum, por adresa e shoqërisë mbeti e njëjtë. Ish-Stream Oil (më pas Transatlantic Petroleum), një tjetër kompani që shfrytëzoi me koncesion 4 vendburime nafte dhe gazi në Shqipëri, Ballsh-Hekal, Gorisht-Kocul dhe Cakran-Mollajt në naftë, si dhe fushën gazmbajtëse të Delvinës, hyri në Shqipëri në vitin 2007, gjithashtu me origjinë nga Ishujt Cayman. Në fund të vitit 2014, kompania u ble nga Transatlantic Petroleum, me seli në Bermuda (destinacion i njohur offshore), që pas një viti e nxorri në shitje.

Ndërkohë, Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH.A (IRTC) është kompania që ka marrë në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO. Kompania rezulton e regjistruar offshore në Ishujt Virgin Britanikë, duke vijuar me “traditën” e kompanive më aksionerë të panjohur që hyjnë në aktivitetin e naftës në Shqipëri.

Asnjë nga kompanitë nuk ka rezultuar me fitim dhe Shqipëria nuk ka arritur të përfitojë pothuajse asgjë nga vitet e arta 2011-2014 kur ari i zi në tregun ndërkombëtar luhatej në 120 dollarë për fuçi (nga rreth 50 dollarë që luhatet sot). Ndërsa renta e paguar nga kompanitë që shfrytëzojnë naftë dhe pasuri të tjera nuk i ka kaluar 100 milionë eurot në vit.

Por edhe aeroporti i Rinasit, koncesioni i të cilit u shit nga gjermanët, kaloi tek Keen Dynamics Limited, i regjistruar në Ishujt Cayman, me një xhiro zero në vitin 2015.

Pasuritë e nëntokës dhe mbitokës shqiptare do të mund të tërhiqnin vëmendjen edhe të gjigandëve botërore, por, përveç mungesës së stabilitetit në vend, ata janë mbajtur larg edhe nga pushtetarët në vite, në favor të hyrjes së kompanive të dyshimta që kokën e kanë në zonat e pastrimit të parave.

Le të shpresojmë që vettingu të thotë fjalën e vet edhe në raste të tilla./Shqiptarja.com

Share: