Home KRYESORE Video/ Arrestimi në lokal i të fortëve të Fierit: Lëviznin me armë...

Video/ Arrestimi në lokal i të fortëve të Fierit: Lëviznin me armë e makinë të blinduar

Një grup i strukturuar kriminal i përbërë nga tre persona u shkatërrua në Fier. Policia tha se se në operacion morën pjesë Forca e Posaçme Operacionale dhe FNSH-ja. Ky grup kriminal vepronte në fushën e narkotikëve por dyshohet edhe për vrasje e rrëmbim personash.

Të arrestuarit janë:

– Kujtim Kuçi, 45 vjeç, banues në fshatin Sulaj, Fier.
– Bashkim Ahmeto (Kuçi), 43 vjeç, banues në fshatin Sulaj, Fier.
– Dritan Tusha, 47 vjeç, lindur dhe banues në Shijak.

Ata u kapën në lokalin në pronësi të shtetasit Kujtim Kuçi, në fshatin Fermë Çlirim të Fierit. Shtetasit Kujtim Kuçi iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri e markës Glock dhe 2 krëhëra me fishekë. Bashkim Ahmetos iu gjet dhe sekuestrua 1 pako me lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, 1 armë zjarri pistoletë e markës Glock dhe një krëhër me fishekë. Ndërsa Dritan Tushës iu gjet dhe sekuestrua një sasi lënde narkotike e dyshuar Cannabis Sativa.

Janë sekuestruar në cilësinë e provës material veç armave të zjarrit dhe drogës, edhe:

– 4 automjete, njëra e blinduar;
– 2 armë gjahu;
– 1 dedektor valësh;
– shkop gome;
– 2 thika me përmasa të ndryshme;
– 8 telefona celularë;
– 900 euro.

Personat e arrestuar vepronin si grup i strukturuar kriminal. Ata dyshohet se ndër vite në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë trafikuar lëndë narkotike të llojit Kokainë, Heroinë dhe Cannabis Sativa, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Gjithashtu, ky grup kriminal që operonte kryesisht në zonën e Fierit, dyshohet se ka qënë i përfshirë në disa ngjarje të rënda si vrasje, rrëmbim personi, për të cilat po vijojnë hetimet intensivisht.

Paralelisht me hetimin penal, Policia ka nisur edhe hetim për të gjitha pasuritë që zotërojnë anëtarët e grupit, të dyshuara si produkt i pastrimit të veprës penale të kryer prej tyre.

Deri tani janë dentifikuar disa prej pasurive, si:

– 1 kompleks shërbimesh në fshatin Fermë Çlirim, ku përfshihet hoteleri, restorant, pikë karburanti;
– 2 automjeje;
– 2 banesa në Tiranë dhe 1 në Golem.

Arrestimet u kryen në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” që u reklamua nga ministri Xhafa para ndërkombëtarëve afro 10 ditë më parë.

Share: