Home KRYESORE Alarmi/ Bie me 32.6% shtesa natyrore e popullsisë. Gjirokastra ‘e kursyer’ në...

Alarmi/ Bie me 32.6% shtesa natyrore e popullsisë. Gjirokastra ‘e kursyer’ në lindje, në Fier rriten vdekjet

Gjatë tremujorit të dytë 2017, numri i lindjeve tejkaloi me 1.563 numrin e vdekjeve. Shtesa natyrore e popullsisë për tremujorin e dytë 2017, pasqyron një rënie me 32,6 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2016.

Në tremujorin e dytë 2017, shtesa natyrore e popullsisë për 12 qarqet e Shqipërisë, regjistron normën më të lartë në qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 936 numrin e vdekjeve.

Me shtesë natyrore të lartë paraqitet qarku i Durrësit me 216 lindje më shumë se vdekje, pasuar nga qarku i Dibërs me 199 lindje më shumë se vdekje. Në tremujorin e dytë 2017, shtesa natyrore regjistron vlerë negative vetëm në tre qarqe (Gjirokastër, Vlorë dhe Korçë). Vlera më e ulët është regjistruar në qarkun e Gjirokastrës dhe Vlorës, ku numri i vdekjeve tejkalon me 110 numrin e lindjeve.

Lindjet

Numri i lindjeve për tremujorin e dytë 2017, është 6.234, duke shënuar një rënie me 15,4 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2016, raporton INSTAT. Numri më i ulët i lindjeve regjistrohet në qarkun e Gjirokastrës, 83 lindje, me një rënie prej 36,6 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2016. Numri më i madh i lindjeve regjistrohet në qarkun e Tiranës me 2.013 lindje, të cilat shënojnë rënie me 8,8 % në krahasim me tremujorin e dytë 2016.

Të gjitha qarqet e vendit pësuan rënie të numrit të lindjeve në tremujorin e dytë 2017, krahasuar me tremujorin e dytë 2016. Rënien më të madhe të numrit të lindjeve gjatë kësaj periudhe e paraqet qarku i Gjirokastrës me 36,6 % dhe qarku i Vlorës me 30,3 %.

Vdekjet

Numri i vdekjeve për tremujorin e dytë 2017 rezulton 4.671, duke shënuar një rënie prej 7,4 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2016. Numri më i madh i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Tiranës, me 1.077 vdekje, me një rënie prej 8,7 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2016.

Numri i vdekjeve është ulur pothuajse në çdo qark gjatë kësaj periudhe, në krahasim me tremujorin e dytë 2016. Përjashtim bën qarku i Fierit ku numri i vdekjeve është rritur me 3,8%, në krahasim me tremujorin e dytë 2016.

Rënia më e madhe është regjistruar në qarkun e Lezhës me 25,5 %. Në tremujorin e dytë 2017, gjithashtu, me rënie më të madhe se 10,0 % të numrit të vdekjeve, paraqitet qarku i Dibrës me 13,2 % dhe qarku i Shkodrës me 12,8 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2016. /Monitor/

Share: