Çfarëdo që bën e ndjen se historia jote është shkruar në Librin e Madh të Jetës. Ajo ka një Shkrimtar të Madh dhe ne jemi të gjithë personazhet e kësaj historie mijëra vjeçare.Breza të tërë ikën dhe breza të tërë erdhën dhe i zëvendësuan. Disa sollën me shumë, disa më pak dhe secili la gjurmën e tij në kujtesën e njerëzve.
Jeta pati luhatjet e saj, disa i përkëdheli, disa i lëndoi, disave u dha një peshë të rëndë për të mbajtur mbi supe. Ajo kishte lëvizjet e saj, herë na ngriti lart, herë na zbriti poshtë. Kudo që shkuam, çdo gjë që bëmë ishte një sfidë e re, një provë e re. Jeta s’mund të jetë një shesh me lule gjithë kohën. Herë ajo rrjedh e qetë, herë ka tufane…
Anija lundron aty ku e çon rryma e jetës .Mbi të gjitha, duhet ta dimë se ky është teatri ku ne recitojme një vjershë të shkruar nga Krijuesi Ynë. Ai na fali vullnetin e lirë, për të marrë vendimet tona.Ai nuk na krijoi të ishim skllevër, por të ishim njerëz të një bote të lirë. Artisti i Madh i Jetës na dha frymën dhe na tha: “Jeto tani”!
Urdhërat që ai dha nuk janë detyrime, por mësime që një prindër i mirë dhe i dashur i jep femijës së tij. Ne duhet ta shijojmë jetën, por s’duhet të harrojmë fjala e epilogut i takon atij, Artistit të Madh.