Shifrat që raporton Komiteti i Emergjencave Civile për dëmet e përmbytjeve janë dramatike. Vetëm me tre ditë shi 3300 banesa janë nën ujë, 10,200 hektarë tokë të përmbytura dhe afro 5,800 hektarë të tjerë me prani uji, kryesisht në Fier e Vlorë. Shifrat janë zyrtare dhe tregojnë se qarqet më të prekura janë Fieri dhe Vlora. Numri i shkollave të dëmtuara është 56, ndërsa 28 kanë dalë tërësisht jashtë funksionit.
596 familje janë evakuuar nga banesat e tyre dhe llogaritet që numri i banorëve të shpërngulur është mbi 1,500 persona.
Edi Rama mendon se aftësia mbrojtëse e shtetit nga përmbytjet do të përmirësohet në të ardhmen. Sipas tij mosmarrëveshjet me LSI në të shkuarën penguan pastrimin e kanaleve kulluese. Deklaratën e bëri gjatë një vizite në Berat, ku iu gëzua funksionimit të një kanali kullues që kishte shpëtuar prodhimet e banorëve të zonës.
“Ne do bëjmë edhe kalimin e kanaleve të para te bashkitë se u vonua ajo fazë, për pamundësinë për t’u kuptuar deri në fund me aleatët që kishim në Ministrinë e Bujqësisë. Besoj që në këtë mandat, plani është shumë i qartë. Ndërkohë po bëjmë një program të ri financimi të emergjencës dhe do shkojmë të gjitha ato pika që rezultuan të dobëta, pasi kemi nxjerrë një pjesë të atyre pikave të nxehta të 2015 dhe jam i bindur se do të kemi një aftësi mbrojtëse shumë më të madhe në rastin që do të ndodhin përsëri” u shpreh Rama, ndërsa kërkoi durim nga banorët e zonës, sepse timonin i vetëm e ka vetëm e ka prej pak ditësh.©Lapsi.al