Home KRYESORE Ja si u ekzekutua me 14 plumba vëllai i ish-deputetit socialist Arben...

Ja si u ekzekutua me 14 plumba vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka

Aleksandër Ndoka, vëllai i ish-deputetit socialist, Arben Ndoka është vrarë me armë zjarri pranë banesës së tij në lagjen “Nënë Tereza” në Lezhë.

48-vjeçari është gjetur i vdekur brenda automjetit të tij, tip “Mitsubish”, ndërsa burimet nga grupi hetimor bëjnë me dije se vrasja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 22:30 minuta të premten në mbrëmje.

Ndoka ishte anëtar i këshillit bashkiak të Lezhës nga një parti e vogël dhe dy muaj më parë ishte emëruar drejtor i IKMT-së për veriun.

Kur ndodhi vrasja?

Të shtunën në mëngjes, rreth orës 04:00, kanë qenë familjarët që kanë gjetur trupin e pajetë të 48-vjeçarit brenda makinës, ndërsa menjëherë kanë njoftuar policinë.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se vrasja mund të ketë ndodhur rreth orës 22:30 e të premtes.

Mësohet se familjarët kanë dëgjuar zhurmë, por kanë menduar se janë fishekzjarre.

Informacioni i paraprak i policise ishte: “Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në Lagjen “Nënë Tereza”, ku kanë konstatuar se në mjetin tip “Mitsubish”, me targa AA 382 SE,  ndodhej trupi i pajetë i shtetasit A.N.,48 vjeç, banues në lagjen “Nënë Tereza” Lezhë, i vrarë me arme zjarri nga persona akoma të paidentifikuar”.

Ndërkaq, bëhet e ditur se në drejtim të automjetit të Ndokës është qëlluar me breshëri automatiku. Burimet nga grupi hetimor thanë se janë gjetur 14 gëzhoja kallashnikovi në vendin ku ndodhi ekzekutimi. Burimet flasin se autorët mund të kenë qenë më shumë se një person.

Pse u ekzekutua?

Policia nuk ka një provë të saktë për shkaqet që mund të kenë çuar në ekzekutimin e Aleksandër Ndokës, por thekson se ka dyshime të forta për një atentat të mirëfilltë, pasi autorët i kanë ndjekur lëvizjet e viktimës.

Sipas saj, autorët duke përfituar nga errësira, kanë qëlluar në distancë të afërt në drejtim të Ndokës, me t’iu afruar banesës.

Është mësuar se Ndoka nuk kishte konflikte me ndonjë person, ndërsa në formularin e vetëdeklarimit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rezulton pa precedent penalë.

Një pistë dyshimi lidhet me djalin e tij, Samuel Ndoka, i cili u arrestua nga policia me 29 tetor të këtij viti. Ai bashkë me kushërinjtë e tij më 25 qershor plagosën me armë zjarri Florian Dushkun, aktivist i LSI-së.

A filmuan kamerat e sigurise vrasjen? 

Policia ka sqaruar se ka sekuestruar kamerat e sigurisë të disa bizneseve aty pranë ku dhe do të shikohen nga grupi hetimor, për të parë nëse është filmuar ndonjë levizje në momentin kur është kryer krimi.

Gjithashtu është theksuar se janë ngritur pika kontrolli, si dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve.

Në lidhje me ngjarjen janë shoqëruar në polici disa përsona të cilët po merren në pytje, ndërsa pritet dhe dëshmia e familjareve e të afërmve të viktimes për të mësuar me teper detaje.

Në mbështetje të veprimeve që po kryhen nga Policia e Lezhës për kapjen e autorëve, janë dërguar edhe dy grupe të FNSH-së së Shkodrës.

Kush eshte viktima?

Aleksandër Ndoka ishte baba i katër fëmijëve, dy djem dhe dy vajza. Vajzën e madhe e kishte të martuar, ndërsa vajzën e vogël vetëm 8-vjeçe.

Ndoka ishte emëruar drejtor i IKMT-së për veriun vetëm dy muaj më parë dhe nga viti 2015 ishte zgjedhur këshilltar në Këshillin Bashkiak të Lezhës, përfaqësues i “Partia Rruga e Lirisë”.

Ai ka dhe një lokal pranë banesës ku jetonte me familjen, si dhe një punishte duralumini.

Një muaj më parë, ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar përmes qytetarit digjital, se Aleksandër Ndoka, vëllai i ish-deputetit socialist vendoste gjoba ndaj atyre që ndërtonin apo bënin ndonjë shtesë.

Ndërkaq, djali i madh, Samuel Ndoka u arrestua nga policia në fund të muajit tetor, i akuzuar për “Plagosje e lehtë me dashje”, “Prodhim kanabisi dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, “Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”./opinion.al

Share: