Home KRYESORE Kryemadhi: Që nesër votojmë krijimin e KLP, por e pengon Rama

Kryemadhi: Që nesër votojmë krijimin e KLP, por e pengon Rama

Kanë kaluar më shumë se 48 orë nga zhvillimet dramatike në Kuvendin e Shqipërisë, ku në një protestë të opozitës, brenda dhe jashtë kuvendit, u zgjodh Kryeprokurorja e Përkohshme. Ka pasur edhe debate për statusin e Arta Markut.

Debati vazhdon prej më shumë se 48 orësh. Tashmë palët janë grupuar, në një palë që mbështet zonjën Marku në pozicionin e saj dhe pala tjetër që e shikon zgjedhjen e saj jo vetëm si një puç kushtetues, por edhe si një përpjekje për të bllokuar reformën në drejtësi.

Zonja Kryemadhi duke folur për takimin që ka zhvilluar me ambasadorin e SHBA, Donald Lu, ka theksuar se forca e saj politike është e gatshme që të votojë në çdo moment krijimin e KLP-së, për të zgjedhur Kryeprokurorin e ri. Por sipas kryetares së LSI, kjo po pengohet nga kryeministri Rama, i cili, po sipas zonjës Kryemadhi, synon që të mos formohet KLP-ja, SPAK dhe Byroja e Hetimit.

“Takimin me ambasadorin e kishim lënë për të hënën, por për shkak të protestës e bënë sot. Takimi në kuadër të një vizite që do bëj në SHBA. Diskutuam edhe për situatën ku ne ndodhemi. Mesazhi që na është dorëzuar nga ambasadori Donald Lu shpreh si problem serioz dhunën e ushtruar ditën e hënë.

SHBA janë të vendosura për të vijuar Reformën në Drejtësi, kjo është një nga pikat. 19 votat e LSI janë të gatshme për të zhbllokuar krijimin e KLP-së, tanimë nuk pengohet më procesi. I kam thënë edhe ambasadorit, të mblidhet e të krijohet KLP-ja. Kjo tymnajë është krijuar për shkak se Ramës nuk i intereson të ngrejë SPAK dhe Byronë e Hetimit.

Donald Lu vlerësoi qëndrimin tim. Segmente të caktuar kërkojnë destibalitet që të mos krijohet KLP-ja, SPAK dhe Byroja e Hetimit”, shprehet Kryemadhi.

Ndërkohë që avokat Spartak Ngjela u shpreh se nuk ka asnjë shkelje në zgjedhjen e Kryeprokurorit të Përkohshëm, ndërsa jep edhe arsyet se pse u ngritën tensionet mes palëve. “Problemi ishte se ata që po drejtojnë reformën në drejtësi janë më të zgjuar se opozita. Duke qenë të bindur se këta do ta bllokonin KLP, i cili frenon akuzën. Për mendimin tim, frenimi ka qenë Basha-Rama filloi në maj.

Amerikanët nuk kanë qenë të bindur se këta nuk do t’i bllokonin nga të dyja palët. Këta po bllokonin KLP dhe ata bënë një lojë shumë të bukur, duke ngritur një ligj organik, i cili thotë se vërtetë se kushtetuta ka nxjerrë një ligj për KLP, por nëse ai nuk është i ngritur, atëherë del një prokuror i përkohshëm, i cili është ky që zgjodhëm. Prokurorin e Përkohshëm e kanë zgjedhur vetë amerikanët, nuk e ka zgjedhur Rama.

Kjo i ngriti të gjitha tensionet, pasi tani do të bëjnë edhe KLP, sepse ky është shumë i rrezikshëm dhe i ka trembur të dyja palët”, u shpreh ai./tch

Share: