Home KRYESORE Naço: Ligji i ndihmës juridike, shpërblimi me para i Ramës për OJF-të...

Naço: Ligji i ndihmës juridike, shpërblimi me para i Ramës për OJF-të që sabotuan KLP-në

Nga Nasip Naco

Të nderuar kolegë deputetë, grupi parlamentar i LSI do të votojë kundër këtij projektligji dhe pse është i shkruar shumë bukur, por është një ligj klientelist. Është një ligj klientelist sepse në emër të reformës në drejtësi, nga Komisioni i Posaçëm, ne kemi një draft të paraqitur në Komisionin e Ligjeve, një draft i cili është ndryshuar 100 % në Komisionin e Ligjeve, falë relatores, punës së saj, falë ekspertëve anonimë, të cilët kanë injoruar ekspertët vendas e ndërkombëtarë edhe pse mburren me ta, i lavdërojnë gjithë ditën. Të nderuar kolegë të mazhorancës, ndryshimi 100 % i draftit fillestar të hartuar nga ekspertët më të mirë ndërkombëtarë po edhe ata vendas, edhe nga relatorja, sigurisht që më la një shije të hidhur ky ndryshim 100 % që nga titulli: nga ndihma juridike, në ndihmë juridike e garantuar nga shteti.

Pra e kanë shtuar garantimin nga shteti. Dhe sigurisht që më vjen keq për keqpërdorimin e këtyre ekspertëve ndërkombëtarë të cilët nuk kanë mundësi të jenë këtu dhe të flasin, por e rëndësishme për ta mbase qenka që të shënohet në CV e tyre. Të nderuar kolegë deputetë, personalisht unë kolegëve të mazhorancës nuk ua heq dot dëshirën dhe simpatinë që kam për këta ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, por sigurisht do tu lutesha që të hiqnin hipokrizinë, cinizmin që keni ndaj tyre apo dhe keqpërdorimin, kur i keqpërdorni për interesat tuaja për të sjellë në Kuvend në emër të reformës së madhe, në emër të kësaj reforme që e kemi pritur të gjithë, të sillni ligje të cilat janë klienteliste. Më poshtë për të qenë dhe korrekt me ju, po parashtroj disa arsye përse ligji i paraqitur nga ju është klientelist, po parashtroj hipokrizinë tuaj për ekspertët vendas, ndërkombëtarë por edhe për partnerët ndërkombëtarë si dhe për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Të nderuar kolegë deputetë, nëpërmjet këtij projektligji të ri, të propozuar për ndihmën juridike të garantuar nga shteti, synohet ngritja dhe zbatimi i një skeme efikase të ndihmës juridike e cila do të garantojë një akses të shpejtë, të drejtë, e të rregullt në drejtësi me qëllim sigurimin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Dhe sigurimin e ofrimit të shërbimeve të ndihmës juridike veçanërisht për kategoritë që janë në nevojë e që janë më të diskriminuara si dhe rritja e numrit të përfituesve të shërbimit. Të nderuar kolegë deputetë, qëllimi i këtij projektligji është për tu vlerësuar, është për tu admiruar, ligji është shkruar shumë bukur, pa gabime, por sigurisht që ligji është klientelist. Në nenin 11 të këtij projektligji janë parashikuar kategoritë e veçanta të përfituesve, që përfitojnë nga ndihma juridike e garantuar nga shteti, pavarësisht të ardhurave apo pasurisë së tyre.

E ndërkohë po në nenin 12 të këtij pr/ligji parashikohen kriteret që duhet të plotësohen nga individët për të përfituar nga skema e ndihmës juridike, kritere këto të lidhura me pamjaftueshmërinë e të ardhurave dhe pasurinë. Referuar parashikimeve të këtij neni, individët mund të përfitojnë nga skema e ndihmës juridike të garantuar nga shteti vetëm nëse kanë të ardhura në total mujore ato, të të gjithë pjesëtarëve të familjes, pra të pjesëtuara për numrin e anëtarëve.

Më të ulëta se 50 % të pagës minimale mujore. Referuar vendimit të këshillit të ministrave, nr. 399 të vitit 2017, paga bazë minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person fizik apo juridik, vendas apo i huaj është 24 mijë lekë, ose 240 mijë lekë të vjetra. Pra, kriteri tjetër për përfitimin nga skema e ndihmës juridike, lidhet me pasurinë e pamjaftueshme. Të nderuar kolegë, pr/ligji i mësipërm, është shkruar thashë bukur, por është klientelist sepse është ndryshuar 100 % dhe është në kundërshtim me interesat e qytetarëve. Në draftin e paraqitur nga ekspertët vendas dhe të huaj, pra nga ekspertët më të mirë që i citojnë që të gjithë dhe i lavdërojnë që të gjithë, pr/ ligji i paraqitur është ndryshuar 100%.

Duke iu referuar atij drafti dhe atij neni të paraqitur nga këta ekspertë më të mirë ndërkombëtarë të pranuar nga të gjithë, dhe është theksuar se të ardhurat mujore të personit të jenë nën pagën minimale, jo gjysma saç e thoni ju, ose personi nuk është në marrëdhënie pune, ose është në pension, gjë që ju i keni hequr, nuk jeni me ata ekspertë. Dhe prandaj them që ligji është klientelist sepse është bërë për interesat tuaja. Apo të ardhurat totale të familjes nuk kalojnë më shumë se 500 mijë lekë në muaj, apo 5 milionë në vit.

Ju çfarë keni bërë? Keni thënë 36 paga për 240 mijë lekë, mbi 8 milionë lekë të vjetra. Pra, përsëri jeni hipokritë me qytetarët dhe me ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë. E treta personi dhe familja që kërkon shërbim ligjor nuk disponon pasuri të tjera përveç banesës në të cilën jetojnë. Këtë kanë thënë ekspertët ndërkombëtarë dhe ju e keni ndryshuar 100%. Jeni hipokritë me këtë ligj që keni paraqitur dhe kundër interesave të shqiptarëve. Të nderuar kolegë, mjafton të krahasojmë vetëm këto dy nene për të kuptuar keqpërdorimin e ekspertëve vendas dhe atyre ndërkombëtarë.

Për qëllimin për ndryshimin e ligjit për ndihmën juridike të garantuar nga shteti ka vetëm një fjalë: hipokrizi. Të nderuar kolegë, projektligji ka risi, duhet ta pranojmë. Ka risi sepse prandaj është klientelist. Ka nenin 15 të tij të cilin ndryshe nga sa paraqitën ekspertët ju e keni shtuar. Përmbajtja e këtij neni ka të bëjë me dhënien e ndihmës juridike për organizatat jo fitimprurëse, për shoqërinë civile e cila na mungon këto ditë për të krijuar KLPnë. asnjë nga kolegët e mazhorancës nuk e ka përmendur nenin 15, nuk ka dashur të thotë që po parashikohet t’i jepet shoqërisë civile para nga buxheti i shtetit, nga taksat tona, që të mbahen me të mirë këto organizata fitimprurëse, të cila në fakt si qëllim nuk kanë fitimin.

Mjafton të lexosh këtë nen për të kuptuar qartë se pse ligji është klientelist nga fillimi deri në fund. Për të kuptuar qartë se cili ishte qëllimi që është ndryshuar komplet ky ligj. Që midis ndryshimeve të shumta të mos kuptohet që ka dhe një nen 15. Ky ligj ka vetëm një qëllim, që ju të manipuloni shoqërinë civile. Nëpërmjet buxhetit të shtetit i jepni fonde shoqërisë civile. Prandaj them që ligji është klientelist. Nëse nuk do të ekzistonte ky nen 15 apo nëse nuk do të ishte ndryshuar neni 12 LSI do të votonte pro këtij projektligji, të 19 deputetët e saj. Por nuk mundemi. Nuk duam të bëhemi pjesë e klientelës suaj.

Më vjen keq për një pjesë të deputetëve që janë në mazhorancë të cilët ndoshta nuk e kanë kuptuar akoma që thelbi i këtij projektligji është neni 15. Pra, nga fillimi në fund është hipokrizi ndaj qytetarëve shqiptarë, ndaj ekspertëve vendas dhe të huaj dhe është një ligj klientelist që kënaq interesat tuaja./TPZ.AL

Share: