Home KRYESORE Pas SHBA, një tjetër shtet transferon ambasadën në Jerusalem

Pas SHBA, një tjetër shtet transferon ambasadën në Jerusalem

Presidenti i Guatemalës Jimmy Morales urdhëroi që ambasada e këtij vendi në Izrael të spostohet nga Tel Avivi në Jerusalem. në një postim në Facebook, Morales tha se vendimi u mor pasi foli me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe u ra dakord për këtë.

Javën e shkuar, Guatemala ishte vetëm një prej 9 kombeve që votuan kundër rezolutës së OKB-së që i kërkonte amerikanëve të kthenin mbrapsht vendimin për njohjen e Jerusalemit si kryeqytetin izraelit.

Donald Trump kërcënoi se do t’i ndërpriste ndihmën financiare vendeve që do të votonin kundër SHBA dhe Washingtoni është një donator i rëndësishëm për Guatemalën, një vend i varfër në Amerikën Qendrore.

Në mesazhin e tij, presidenti Morales, sigurisht që nuk e përmendi këtë, por tha se Guatemala është një aleat i vjetër i Izraelit. Ai shtoi se kishte urdhëruar autoritetet e vendit që të nisin koordinimin e nevojshëm me Izraelin për spostimin e ambasadës nga Tel Avivi në Jerusalem.

Statusi i këtij të fundit është në zemër të konfliktit mes palestinezëve dhe izraelitëve dhe pa u zgjidhur, zor se do të ketë ndonjëherë paqe.

Sovraniteti i izraelit mbi Jerusalemin nuk është njohur kurrë ndërkombëtarisht dhe të gjitha shtetet e tjera i mbajnë ambasadat në Tel Aviv. /360grade.al

Share: