Home KRYESORE Pensionet private, a ka shpresë për zgjidhje? Nga Avni Ponari

Pensionet private, a ka shpresë për zgjidhje? Nga Avni Ponari

Në Shqipëri tregu i pensioneve private vullnetare është tejet i vogël, aktualisht zë vetëm 0.05% të GDP-së, ose rreth 1% të gjithë të ardhurave nga sigurimet private. Primet bruto nga pensionet private vullnetare për 9-mujorin 2017 llogariten në 11.91 milionë euro, ndërsa numri i anëtarëve të fondit është 20.223 anëtarë. Shifra këto të papërfillshme jo vetëm në krahasim me rajonin apo Europën, por edhe për peshën që duhet të luajë ky sektor në ekonominë e vendit tonë.

Në skemën e pensioneve shtetërore raporti kontribues-përfitues ka njohur një përkeqësim të dukshëm në dekadat e fundit. Ky raport nga 4 kontribues për 1 përfitues që ishte në vitin 1990, zbriti në 0.8 kontribues për 1 përfitues në vitin 1997, dhe gjithë vitet më pas me gjithë sforcot e mëdha ka mbetur në kufirin 1.1 kontribues për 1 përfitues, ç’ka e vë në pozita jo të mira skemën shtetërore të pensioneve, ose ndryshe e njohur si skema e solidaritetit.

Ky keqfunksionim i skemës shtetërore ndër vite ka bërë që të akomulohet një defiçit i lartë në Buxhetin e Shtetit, për rrjedhojë e bën skemën financiarisht të papërballueshme. Pjesa më e madhe e kësaj skeme paguhet nga Buxheti i Shtetit, (nga taksat tona), ose e thënë ndryshe çdo vite me miliarda lekë paguhen nga shteti pikërisht për shkak të mosfunksionimit të kësaj skeme.

Iniciativa e qeverisë për rimodelimin dhe përmirësimin e kësaj skeme është pa dyshim një hap i drejtë për të shkuar drejt një standarti europian, ku secili duhet të kontribuojë për veten dhe jo për tjetrin, por deri më tani këto iniciativa kanë mbetur thjeshtë nëpër letra, duke mos u bërë asgjë konkrete.

Me skemën e vjetër shtetërore qytetarët dhe punëdhënësit paguajnë 21.6% (kontributet e punëdhënësit dhe punëmarrësit ndahen në dy kollona por derdhen në një llogari, që në fund të fundit është kosto e kompanive) për kontribute për pension, kontribute të cilat shpërndahen për të gjithë shoqërinë dhe nuk shkojnë direkt tek ai që i paguan kontributet.

Por edhe e ashtuquajtura reforma e re e pensioneve, nuk vë në funksion të plotë sistemin trekolonësh, sidomos kolonën e dytë, që ka të bëjë me investimet e kontributeve që disponon shteti në skemat private. Me skemën aktuale, fondet private funksionojnë në vullnetin e lirë të qytetarëve.

Për të shpëtuar nga kjo skemë, reforma e re e qeverisë parashikon forcimin e tre shtyllave: kontributin e detyruar, kontributin vullnetar dhe skemën private.

Por çfarë po bëhet për zhvillimin e këtyre tri shtyllave? Çfarë konkretisht do të bëhet për hartimin ligjor të këtyre reformave dhe për më tepër a do të zbatohen këto reforma? Si do të zgjerohen konkretisht pensionet private?
Nuk duhet të mbetemi në thjeshtë e vetëm tek diskutimet apo relacionet që mbeten sipër tavolinave të institucioneve, pa mundur të dalin jashtë atyre dyerve.

Ka ardhur koha që fondet private të pensioneve vullnetare të bëhen të detyrueshme dhe skema me tre kolona e pensioneve të funksionojë sikundër ndodh në të gjithë botën.

Çdo punëdhënës apo punëmarrës që do të lexonte këtë shkrim do të thoshte: E pse duhet të paguaj ca para më tepër?! JO!

Nuk është fjala për të rritur përqindjen aktuale që është e detyrueshme me ligj, 21.6% që paguhet aktualisht për kontributin e pensioneve, por nga kjo shifër një pjesë ti kalojë për menaxhim shoqërive private të pensioneve.
Qoftë edhe 1.6% e këtij kontributi që derdhen në shtet të kalonte në administrimin e shoqërive private të sigurimeve, do të ishte një lehtësim dhe një mundësi më e mirë për të patur një të ardhur shtesë, një pension privat për të gjithë kontribuesit qoftë të detyruar qoftë vullnetarë, sepse ky kontribut do të jetë një investim për vetë ata, të cilët në kohën e daljes në pension do ta marrin në formën e një pensioni të dytë privat me nivele shumë më të larta se në shtet, duke filluar nga mosha 60-vjeçare. Sepse kështu është në të gjithë botën, nuk është asgjë e re për Shqipërinë, por këtu tek ne mungon iniciativa.

Duhet t’i japim mundësinë qytetarëve shqiptarë që të kenë edhe një alternativë tjetër për ato para që paguajnë si kontribute për sigurimet shoqërore.

Pra, heqja e një përqindjeje sado të vogël nga administrimi shtetëror i kontributeve të qytetarëve për pensionet dhe kalimi tek shoqëritë private, do të përligjte lindjen e pensioneve private si një alternativë zhvillimi, si një alternativë që ekziston kudo në botë, por vetëm tek ne mungon.

Ndryshe, me skemën ekzistuese pensionet private nuk kanë asnjë vlerë, sepse paralelisht me ato, madje me një avantazh më të madh, janë shoqëritë e sigurimit të jetës, në të cilat ke të siguruar edhe jetën por edhe mund të marrësh një pension mujor përsëri me sigurim jete dhe ku çdo person e zgjedh vetë shumën që do ta sigurojë jetën e tij dhe mënyrën se si do ta marrë këtë investim. Ai mund të zgjedhë që në moshën e daljes në pension këtë kontribut ta marrë si një kuotë mujore, pra si një pension privat, për shembull 500 Euro në muaj (në varësi të shumës që ka kontribuar ndër vite).

Ndryshimi ligjor ku një pjesë e kontributeve të detyrueshme që punëmarrësit paguajnë në shtet të kalojë nën administrimin e fondeve private të penisoneve, nuk sjell asnjë kosto shtesë as për punëdhënësin, as për punëmarrësin dhe as për vetë shtetin.
Kjo sepse punëdhënësi dhe punëmarrësi do të paguajnë të njëjtën kuotë të kontributit të pensioneve, por nga ana tjetër do të kemi edhe një alternativë zhvillimi të tregut financiar.
Sado e vogël të jetë kjo shumë, që do jetë e detyrueshme, ajo do krijojë në një formë apo tjetër dëshirën e qytetarëve për të rritur investimin individual dhe do edukojë tek shqiptarët frymën e investimeve sado të vogla në interes të tyre dhe të rritjes së të ardhurave të tyre.

Duke marrë parasysh kushtet në të cilat ndodhet Shqipëria, do të ishte e drejtë që 3%-5% e kontributit të përgjithshëm të përcaktohet si një kontribut i detyrueshëm privat. Kjo skemë është më funksionalja momentalisht, pasi në Shqipëri përqindja më e madhe e GDP-së përbëhet nga taksat e vjelura nga sektori privat, ndaj duhet që sektori privat të vlerësohet shumë më shumë nga çfarë është aktualisht. Së dyti, kjo skemë do të ndihmonte më mirë ekonominë e vendit, duke bërë që paratë e qytetarëve shqiptarë të investohen në instrumenta financiarë afatgjatë 5-10 vjeçarë (Obligacionet). Së treti, kjo skemë dhe kjo nismë ligjore duhet të jetë në kuadër të reformave dhe përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë europian. Reformat si në çdo fushë tjetër, duhet të jenë edhe në fushën e sigurimeve shoqërore, si një kusht i domosdoshëm për anëtarësimin në familjen europiane.

Sistemet private kanë një sërë përfitimesh si dhe i japin zgjidhje mjaft problemeve të kohës, një prej të cilave është edhe informaliteti i tregut të punës i cili është në shifra të larta në vendin tonë.

Funksionimi de facto i skemës private të pensioneve si një skemë pjesërisht e detyrueshme dhe pjesa tjetër vullnetare, do të zgjidhte problematikën e madhe të këtyre viteve të fundit që është derdhja e kontributeve vetëm nga brezat e rritur. Skema private do ta bënte brezin e ri më të interesuar për të derdhur kontribute, ç’ka do të sillte edhe ndryshimin e raportit 1.1 kontribues me 1 përfitues që është aktualisht në skemën shtetërore.

Nga ana tjetër duhet të theksojmë, se kalimi i një pjesë të kontributeve që qytetarët e derdhin në shtet, në fondet private të pensioneve bën që ata të dalin me dy pensione në fund dhe pensioni privat është më i favorshëm, sepse përfitimet janë më të larta.
Po kështu punëmarrësi dhe punëdhënësi kanë përfitime nga favoret ligjore të mostaksimit të kontributeve.

Për shembull, nëse një punonjës me pagë bruto 70 mijë lekë të reja në muaj do të vendoste që 5 mijë lekë ti kontribuonte për vete në fondin privat të pensioneve, paga e tij do të tatohej për 65 mijë lekë dhe jo më për 70 mijë lekë, sepse ndalesa per pension privat nuk tatohet. Për pasojë, tatimi për pagën 70 mijë do të ishte 5200 lekë në muaj, ndërsa për pagesën 65 mijë tatimi është 4550 lekë në muaj. Si rezultat punëmarrësi fiton në muaj 650 lekë ose 7800 lekë në vit.

Nëse do të merrnin shembullin e pagës 100 mijë lekë të reja në muaj për një punonjës, dhe ai/ajo vendos që 10 mijë lekë ti kontribuojë në fondin privat të pensioneve, do të përfitonte nga mostatimi i 10 mijë lekëshit 1300 lekë në muaj ose 15600 lekë të reja në vit.

Ndërsa për ata që e kanë pagën 150 mijë lekë të reja në muaj dhe vendosin të derdhin si kontribut për pension privat 20 mijë lekë në muaj, përfitimi që do të kishin në vit është 55200 lekë të reja.

Por këtu nuk përfiton vetëm punëmarrësi, por edhe punëdhënësi përfiton sepse i ulet tatimi mbi fitimin për kompaninë e tij, për shkak se kontributet për pension privat i llogariten punëdhënësit si pjesë e zbritshme. Nga ana tjetër, kompanitë që vendosin që të kontribuojnë për stafin e tyre për pension privat, gjithashtu kanë benefite për efekt mostatimi.
Për shembull, nëse një kompani me të ardhura vjetore 500 milionë lekë, me shpenzime vjetore 300 milionë lekë, vendos që 5 milionë lekë ti investojë për stafin si pension privat, përfitimi që do të kishte nga tatimi mbi fitimin do të ishte 750 mijë lekë të reja.

Krijimi e zhvillimi i skemave private të pensioneve në Shqipëri është shumë efektiv dhe për faktin e moshave te reja që ka popullsia e Shqipërisë 33-35 vjeç, kundrejt 48-50 vjeç që e ka Europa, ç’ka ekziston mundësia të përfitohet shumë nga investimi i tyre.

Shqipëria ka nevojë të hedhë tani themelet e një sistemi të diversifikuar pensionesh, ku rëndësi kritike kanë si pensionet publike ashtu edhe ato private, për të kontribuar në sigurinë financiare të vendit. Pjesë kyçe e këtij sistemi janë sipërmarrjet private, e veçanërisht industria e sigurimeve private, e cila ka nevojë të rigjenerohet dhe të mbështetet nga shteti dhe jo vetëm t’i vilen taksat.

Share: