Presidenti Meta uron Festën e Krishtlindjeve: Besoj se jo vetëm Kisha jonë Ortodokse është edhe më shqiptare, por jam i bindur që edhe shoqëria jonë është edhe më evropiane, edhe më mirënjohëse.
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta i shoqëruar nga fëmijët e Tij Bora, Besari dhe Era, ishte sot në mesditë në Bashkësinë Fetare “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë” për t’i uruar Krishtlindjet Kryetarit të VUSH-it, Pastor Ylli H. Doçi dhe drejtuesve e besimtarëve ungjillorë shqiptarë.
Më pas Presidenti i Republikës vizitoi Qendrën Sinodike të Katedrales Ortodokse “Ringjallja e Krishtit” ku u prit nga Fortlumturia e Tij, Kryepeshkop Anastasi.
Presidenti Meta u përcolli personalisht urimet më të mira e të përzemërta besimtarëve të krishterë për Festën e shenjtë të Krishtlindjeve: “Kam kënaqësinë të uroj edhe njëherë gjithë besimtarët ortodoksë të krishterë dhe gjithë shqiptarët: Gëzuar Krishtlindjet!
Dëshiroj që në këtë ditë shprese, dashurie, solidariteti, harmonie dhe paqeje të gjithë të jemi sa më pranë familjeve tona, sa më pranë njëri-tjetrit. Të punojmë dhe të bashkëpunojmë për më shumë paqe, mirësi dhe begati. Edhe më shumë vëmendje dhe kujdes ndaj atyre që janë më të pambrojtur, më të përjashtuar, më në vështirësi në mënyrë që te kemi një shoqëri më të bashkuar, më optimiste dhe më të fortë për të ardhmen.
Njëkohësisht, Krishtlindja është pak më e veçantë. Besoj se jo vetëm Kisha jonë Ortodokse është edhe më shqiptare, por në mënyrë të veçantë, jam i bindur që edhe shoqëria jonë është edhe më evropiane, është edhe më gjithëpërfshirëse, është edhe më mirënjohëse. Është edhe më e vendosur në ato vlera të solidaritetit, të mirëbesimit, të bashkëpunimit, të mirëkuptimit, që e çojnë këtë shoqëri më me besim drejt evropianizimit të saj të plotë dhe natyrisht kjo është një ditë e cila ka dhe shumë diell, ka dhe shumë shpresë.”
Në përgjigje të interesimit të përfaqësuesve të medias lidhur me arsyet pse pikërisht në këto momente i dha shtetësinë shqiptare
Kryepeshkop Janullatosit dhe a është njohur me kontenstimin që ka pasur vendimit i Tij, Presidenti i Republikës tha: “Përgjigjen më të mirë e ka dhënë Fortlumturia e Tij: Është si puna e verës.
Mendoj se është një moment shumë pozitiv i shprehjes së mirënjohjes për këtë vepër të madhe që ai ka krijuar me lidershipin dhe përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm për njëzet e pesë vite duke ringritur nga hiri Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, me një infrastrukturë të jashtëzakonshme. Mjafton të shohim Katedralen përballë, e cila vite më parë nuk ekzistonte apo kishat kudo në të gjithë vendin që ishin të shkatërruara dhe ajo që është shumë e rëndësishme do të thoja, investimi, frymëzimi dhe edukimi i tij për të krijuar një plejadë tashmë të shkëlqyer të klerikëve shqiptarë të Kishës Ortodokse, të cilët kanë arritur në këto nivele kaq të larta padyshim falë lidershipit të tij.
Dhe njëkohësisht duhet të theksoj se lidershipi i tij në krye të kësaj Kishe ka qenë një mundësi e shkëlqyer jo vetëm për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë për t’u afirmuar në të gjithë botën e ortodoksisë, por ka qenë edhe një mundësi shumë e mirë për të promovuar edhe Shqipërinë si një vend evropian, si një vend me vlera, por mbi të gjitha si një vend i bashkëjetesës shqiptare, të tolerancës e të dashurisë, dhe Fortlumturia e Tij gjithnjë ka predikuar jo vetëm për besimtarët ortodoksë, për për të gjithë shqiptarët paqe, dashuri dhe mirëkuptim.”
I pyetur nëse ky vendim lidhet me faktin se Kryepeshkopi Anastas ka bërë të qartë se pasardhësi do të jetë një shqiptar, dhe jo më një grek, Presidenti Meta u përgjigj: “Mendoj se kjo lidhet me veprën e tij, dhe ashtu sikurse ai u shpreh se ‘vera, sa më e vjetër të jetë, aq edhe më shumë vlera ka’, unë do të thoja se sa më shumë vite do të kalojnë nga sot, aq edhe më shumë do të lartësohet figura dhe vepra e tij në ringritjen, zhvillimin, modernizimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe sidomos, në investimin e tij gjithmonë në funksion të bashkëjetesës, harmonisë ndërfetare midis shqiptarëve.”