Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Shqipëria kantier ndërtimi, rritje e frikshme numrit të lejeve. Në Tiranë trefishohen

Shqipëria kantier ndërtimi, rritje e frikshme numrit të lejeve. Në Tiranë trefishohen

E gjithë Shqipëria do të kthehet në kantier ndërtimi. Pothuajse në të gjitha qarqet rezulton një rritje e ndjeshme e lejeve të ndërtimit të dhënave në tremujorin e tretë të këtij viti, ndërsa në kryeqytet, rritja ka filluar që në tremujorin e parë të vitit.

Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e tretë të vitit janë dhënë gjithsej 310 leje ndërtimi, nga të cilat 65 në Tiranë. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë në gjithë Shqipërinë ishin dhënë vetëm 145 leje.

Ndërsa për gjithë 9 mujorin janë dhënë gjithsej 608 leje, 27% e të cilave (167) kanë qenë në Tiranë.

Në krahasim me 9 mujorin e vitit 2016, kur u dhanë gjithsej në gjithë vendin 308 leje, në 2017-n ato janë dyfishuar (rritje 97%).

Në kryeqytet, për gjithë 9 mujorin janë dhënë 167 leje, me një rritje prej 157% në krahasim me 9 muajt e parë të 2016-s, pra pothuajse me një trefishim, (102 leje më shumë).

Pas Tiranës, në vlerë absolute numri më i lartë i rritjes së lejeve të ndërtimit është në Fier, ku janë dhënë 67 leje më shumë, e ndjekur nga Vlora me 48 leje më shumë dhe Durrësi me 38 leje më shumë.

Në tremujorin e tretë 2017 ka një rritje të ndjeshme të lejeve të dhëna në qytetin e Korçës, i cili është kthyer në një destinacion të preferuar turistik, ku janë dhënë 57 leje, nga më pak se 6 leje që janë dhënë mesatarisht tremujorët e mëparshëm.

Në të gjithë vendin ka një orientim të lartë të likuiditeteve të lira në ekonomi në sektorin e ndërtimit, ku më e ndjeshme është në qytetet kryesore, sidomos në Tiranë, Fier, Vlorë, Durrës.

Ekspertët kanë paralajmëruar se kjo ofertë që po krijohet me apartamente është me e lartë sesa kërkesa dhe tregu mund të rrezikojë në flluskë, teksa banesat rrezikojnë të mbeten pa shitur./Monitor

Share: